Sofje, ministri serb braktis sallën
Vuk Jeremiç
Ministri i jashtem serb Vuk Jeremiç, iku i indinjuar nga një mbledhje ku merrnin pjese edhe perfaqesues te Kosoves
Pakënaqësitë rreth shpalljes së pavarësisë së Kosovës e kanë lënë në hije takimin e ministrave të Jashtëm të Ballkanit në Sofje të Bullgarisë. Takimi është i pari i këtij lloji pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, ripërsëriti se Serbia do të bëjë gjithçka për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe organizatat tjera ndërkombëtare. Ai kritikoi me arrogancë vendet që e njohin Kosovën, të cilat sipas tij do të duhet të përballen me pasojat e zgjedhjes së tyre perverse, siç e cilësoi ai. Jeremiç akuzoi homologët e Ballkanit, se po heqin dorë nga solidariteti rajonal për t’u radhitur krah SHBA-ve dhe BE-së. Në takim, Kosova u përfaqësua nga Besim Beqaj, kryetar i Odës Ekonomike. “Unë fola në emër të Republikës së Kosovës dhe kërkova që tash e tutje, Republika e Kosovës të jetë pjesë e të gjitha qasjeve rajonale bilaterale dhe multilaterale”, tha Beqaj. Delegacioni i Serbisë e ka braktisur sallën kur foli përfaqësuesi i Kosovës. Ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Ivajlo Kalfin, tha se fakti që delegacionet e Serbisë dhe Kosovës u ulën në të njëjtën tryezë, pak pasi Kosova shpalli pavarësinë, është shumë i rëndësishëm. Bashkëpunimi rajonal duhet t’i përfshijë të gjithë. Nuk duhet të ketë palë të izoluara apo të tjerë që nuk mund të marrin pjesë”, tha Kalfin.