E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hasreti i Superligës

Në Kosovë erdhi para disa vitesh si emigrant nga Kameruni, ndërsa ende vazhdon të jetë këtu. Mesfushori i Trepçës 89’, Sylvester Ambe është afrikani i vetëm në Superligë. Ai tregon se në Kosovë ndihet si në shtëpi, bashkëlojtarët i konsideron si vëllezër, ndërsa kupton mirë shqip, por ka vështirësi të flasë. Ambe ndihet aq mirë sa që nuk konsideron rikthimin në vendlindje, madje as për vizitë.

Në Kosovë erdhi para disa vitesh si emigrant dhe nuk kishte pritur se do të qëndronte gjatë. Por, me kalimin e kohës është ambientuar shumë mirë në vendin tonë dhe nuk e ndien mungesën e vendlindjes së tij, Kamerunit, ku nuk dëshiron të kthehet as për vizitë.

Mesfushori i Trepçës 89’, Sylvester Ambe është futbollisti i vetëm afrikan në elitën e futbollit kosovar. Si i tillë, do të ishte e natyrshme që ai të ndihej i vetmuar, por ndodh e kundërta. Kosova është bërë shtëpia e tij e dytë.

“Jam mësuar me gjithçka në Kosovë, jam mësuar me sistemin e lojës këtu dhe nuk kam asnjë problem, thjesht kam ndjenjën e të qenit në shtëpi”, tha Ambe për Express.

Për çdo futbollist kalimi në një shtet të huaj paraqet një sfidë, sidomos në aspektin e ambientimit dhe komunikimit. Por, Ambe nuk ka probleme të tilla.

“Bashkëlojtarët e mi flasin anglisht, por unë kuptoj mjaft mirë edhe shqip, do të thosha 50 për qind. Nuk kam problem me komunikimin”, shtoi ai para se të tregonte se si erdhi në Kosovë.

“Ishte një menaxher Jean Paul, i cili më tregoi më tepër rreth Kosovës. Por, kur erdha këtu nuk dukej ashtu siç prisja dhe izolimi i futbollit duke qenë se ende nuk është i pranuar nga asociacionet ndërkombëtare, ishte pak vështirë për mua”, shtoi ai .

Ambe në Kosovë erdhi si emigrant dhe ende ka status të tillë, problemet politike në vendlindjen e tij bëjnë që ai të mos mendojë për një kthim prapa, meqë i pëlqen e tashmja.

Përveç angazhimeve në futboll, Ambe tregon se kohën e lirë e kalon duke u shoqëruar me bashkëlojtarët, duke vizituar kafenetë dhe restorantet, siç thotë ai, si në shtëpi.

“Dalim, shoqërohemi për kafe ose për darkë në ndonjë restorant, vërtet ndihem si në shtëpi. Bashkëlojtarët më japin ndjenjën sikur jemi vëllezër. U jam mirënjohës për ngrohtësinë e tyre dhe jam shumë i kënaqur me ta”, shprehet Ambe.

Krejt kjo e ka bërë të mos mendojë të kthehet në vendlindjen e tij, madje as për vizitë. “Atje ka probleme politike dhe dua të qëndroj larg telasheve, nuk mendoj të kthehem, së paku jo tani”, thotë ai.

Në botën e futbollit shumë futbollistë afrikanë si Samuel Eto’o, Didier Drogba , Yaya Toure e të tjerë janë shndërruar në yje të këtij sporti. Si fëmijë në Kamerun, Ambe tregon se ka pasur rastin të luante kundër disa prej futbollistëve që më pas arritën të bëjnë emër në ligat evropiane.

“Sigurisht, si i ri në Kamerun kam luajtur së bashku me M'bami Modeste, i cili angazhohej në Olympique Marseille, Jean II Makoun, dikur futbollist i Lyonit dhe Aston Villas dhe disa të tjerë që arritën të paraqiten në liga të fuqishme evropiane si La Liga dhe Bundesliga”, tregon Ambe.

I njohur mirë me futbollin kosovar dhe gjërat që e rrethojnë, Ambe është i denjë të bëjë krahasime dhe mendon se niveli i lojës është përmirësuar ngadalë, por këshillon lojtarët që të punojnë më me seriozitet.

“Njerëzit duhet të jenë më profesionalë dhe futbollin ta konsiderojnë si punë, mënyrë e jetesës dhe të angazhohen me përkushtim. Sa i përket gjendjes aktuale, ishte shumë më ndryshe kur kam ardhur këtu dhe tani sigurisht se vërehen avancimet”, deklaron ai.

Racizmi është shndërruar në njërin prej problemeve më të mëdha në futbollin evropian dhe botëror, ku yje si John Terry, Luis Suarez e të tjerë janë përfshirë në incidente të kësaj natyre. Por, Ambe thotë se nuk ka hasur në probleme të tilla në Kosovë. “Kurrë nuk kam qenë i përfshirë në ndonjë incident të kësaj natyre, tifozët këtu janë mjaft energjikë, por nuk kam pasur kurrë problem me ta”, përfundoi ish futbollisti i Trepçës dhe 2 Korrikut.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›