E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurbetçinjtë, krenaria e Kosovës

Sporti kosovar në përgjithësi mbeti i izoluar edhe në vitin 2011. Përveç Majlinda Kelmendit, askush tjetër nuk arriti të lë gjurmë në garat ndërkombëtare. Mirëpo, Kurbetçinjtë edhe një herë ia kanë zdritur fytyrën Kosovës. Bijtë dhe bijat e rritur në Perëndim arritën shumë suksese me ekipet dhe përfaqësueset e tyre.

Sporti kosovar vazhdon të numërojë në vend. Disa federata ende janë të izoluara derisa ato që e përfaqësuan Kosovën (Hendbolli) në arenën ndërkombëtare nuk arritën të lënë asnjë gjurmë gjatë vitit 2011, përveç Majlinda Kelmendit.

Mirëpo, Kurbetçinjtë edhe një herë ia kanë zbardhur fytyrën Kosovës. Shumë futbollistë dhe futbolliste me sukses i mbrojnë ngjyrat e skuadrave evropiane. Këtë vit, shumë prej tyre kanë arritur të fitojnë edhe trofe të çmueshëm.

E fillojmë nga Zvicra, ku luajnë më së shumti futbollistë kosovarë. Në vendin helvetik, Baseli është shpallur kampion dhe e ka fituar kupën e shtetit. Për të arritur deri tek ky sukses, ekipin kaltër e kuq e ndihmuan katër futbollistët kosovarë: Beg Ferati (gjatë verës shkoi në Gjermani), vëllezërit Taulant e Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri.

Dy të fundit arritën një tjetër sukses me ekipin U-21 të Zvicrës, duke u shpallur nënkampion të Evropës. Ndërkohë, Adrian Nikçi u shpall nënkampion i Zvicrës me Zurichun.

Në Suedi, ku po ashtu luajnë disa futbollistë kosovarë, derisa vjet festonin Agon Mehmeti dhe Dardan Rexhepi me Malmon e tyre, këtë vit titullin e kampionit e fitoi Ardian Gashi me Helsingborgun.

Në Finlandë, Erfan Zeneli dhe Berat Sadik iu gëzuan titullit të kampionit me Helsinkin. Ata ishin ndër më të merituarit për këtë sukses të ekipit nga kryeqyteti finlandez. Në Gjermani, futbollistja kosovare Fatmire Bajramaj e fitoi titullin e kampionit shtetëror me ish ekipin e saj, Turbine Potsdam.

Ajo më pas u transferua tek Frankfurti, ku luan edhe sot. Ish numri 3 në botë ishte pjesë e Kampionatit Botëror, i cili u mbajt pikërisht në Gjermani, gjatë verës, edhe pse nuk luajti rregullisht.

Sukseset e futbollistëve kosovarë i vazhdoi edhe lojtarja Elena Sadiku. Sulmuesja e re kosovare e fitoi titullin e dytë rresht me ekipin e saj, LdB Malmo.

Këto nuk ishin sukseset e vetme që i arritën futbollistët kosovarë në ‘diasporë’, pasi edhe shumë boksier e kick-boksier ia zbardhën fytyrën vendit tonë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›