Havel vjen në shqip

“Ju lutem shkurt!”. Kështu titullohet libri i sapobotuar nga shtëpia botuese “55”, që ka në qendër ish-presidentin çek. Libri është ndërtuar në formën e një interviste të gjatë me gazetarin Karel Hvizhgjala dhe i plotësuar edhe me shënime të vetë Havelit, mbajtur në vitet ’90 e më pas në vitet 2000. Përmes intervistës dhe shënimeve vjen jeta e dramaturgut dhe politikanit, jeta e ndarë ‘përgjysmë’ mes këtyre të dyjave, burgosjet e tij, përpjekjet në krye të një politike plot tallaze, në një vend që po dilte nga diktatura.
Por ai tregon edhe për udhëtimet, jetën personale, për dy gratë e jetës së tij, vdekjen e së parës dhe njohjen me të dytën. Një rrëfim që bën për vete jo vetëm të pasionuarit pas politikës. “Botimi i Havelit në gjuhën shqipe vetëm pak muaj pas ndarjes së tij nga jeta, është pa dyshim homazhi më i mirë që mund t’i bëjnë lexuesit shqiptar. Vetë dramaturgu dhe një nga figurat më të rëndësishme të shekullit XX ka qenë i interesuar deri ne ditët e fundit të jetës për botimin në gjuhen shqipe. Vetëm pak ditë para ndarjes nga jeta, sekretarja e tij është interesuar për fatin e këtij botimi. Ne na vjen keq që Havel nuk mundi ta shihte librin e tij më të dashur në shqip, një gjuhë, kombin e së cilës gjithnjë e ka përkrahur.
Ndonëse është një intervistë e gjatë, libri përmban shumë shënime të pabotuara më parë, të cilat Havel për shkak të natyrës së tij prej shkrimtari nuk ka mundur t’i shmangë edhe kur ka qenë në krye të vendit. Përmes tyre ne shohim filozofinë ku besoi dhe krijoi një nga ikonat e dramaturgjisë çeke, dhe heroi i revolucionit të kadifenjtë”, thotë Alda Bardhyli, drejtoresha e botimeve ‘55’.