Haveli çek, një libër dhuratë për Xhemal Balin
Xhemal Bali nga fshati më kufitar i Sarandës, e mban atë libër si dhuratën më të çmuar. "Dashuria dhe e vërteta triumfojnë mbi mashtrimin dhe gënjeshtrën", në versionin frëngjisht, në duart e tij merr shumë kuptim dhe aspak lëvdatë. Me autorin që ia ka dhuruar ish i përndjekuri shqiptar Xhemal Bali, nuk është parë asnjëherë ballë përballë, por fatet e përbashkëta me të ia bëjnë shumë të dashur e të shtrenjtë. Drama dhe ngjitja e Vaslav Havel në majat e shtetit çek ishte përjetuar si një arritje edhe për njerëzit shqiptarë të "racës" së tij. Xhemal Bali është ndër ata që e kanë idhull njeriun e sakrificave të mëdha, që u ngrit nga qelia në krye të turmave e pastaj në kreun e piramidës së shtetit antidiktaturë. "Rastësia bën çudira edhe në vendosjen e lidhjeve të pamundura ose me teknologjinë elektronike", shprehet Xhemali, i kënaqur me atë që ka arritur, duke marrë për dhuratë librin me autograf nga Vaslav Havel.
Ai tregon se si kohë më parë, më 1994-ën, ai u ndodh në Tiranë, i ftuar në një dasmë. Qëlloi që të takojë atje edhe dy gazetarë çekë. Ata mbetën të habitur, kur ky fshatar shqiptar i ka pyetur për presidentin e tyre Vaslav Havel, si një bashkëvuajtës në burgjet e komunizmit dhe disident politik i sistemit. Xhemali kishte dëgjuar dhe lexuar shumë për këtë hero, që ishte njëherësh një profesor, dramaturg e shkrimtar i revoltës. I pyeti gazetarët për të adhuruarin Havel. Ata e pyetën në fliste në ndonjë gjuhë të huaj. Dhe Xhemali ua kthehu përgjigjen në frëngjisht. Këto ditë, kur Havel është një ish-president, atij i ka mbërritur në duar pikërisht në gjuhën frënge libri i shkrimtarit Vaslav Havel. Titulli i librit është "Dashuria dhe e vërteta triumfojnë mbi mashtrimin dhe gënjeshtrën".
Vërva numëron 26 vjet e 28 ditë në burgjet komuniste. Vitet më të bukura të jetës i kaluan duke pasur trupin e shpirtin të prangosur. Ai ka qenë "banor" i një prej burgjeve më të tmerrshme, siç ishin "shtatë penxheret" e Kalasë së Gjirokastrës, për të "shëtitur" te Burgu i Vlorës, në brigadën e punës në Tiranë dhe në brigadën e Uzinës së Acidit Sulfurik në Laç e në Fabrikën e Çimentos në Elbasan. Ishte ende nxënës në gjimnazin e Konispolit, kur i thanë "tradhtar i atdheut", duke e akuzuar se donte të arratisej, të linte Vërvën "e lulëzuar" për botën "e gënjeshtërt". Ky "bombardim" me propagandë komuniste do ta shoqëronte edhe në vitet e burgut. Dhe kjo e bëri edhe më të revoltuar e shpërthyes në mendimet dhe ndjenjat e tij, të kundërta me "ushqimin e helmuar" ideologjik që i jepej bashkë me gavetën në kushtet e qelisë. Xhemali mban në duar një broshurë sot, që thotë se i ka shërbyer si antidotë kundër helmit komunist, në vitet e tij të vështira. Është një letër antiparti prej 36 faqesh, e shkruar me germa të revoltuara në Burgun e Elbasanit, që ai ia postoi Enver Hoxhës kundër Enver Hoxhës në korrik të vitit 1967. "Na thoni me propagandën tuaj komuniste se socializmi është sistemi më i përparuar, por në fakt Enver Hoxha është e keqja më e madhe e këtij vendi", ka shkruar me guxim të marrë në atë letër. Kjo i kushtoi ridënimin edhe me dhjetë vjet të tjera burg dhe transferimin nga Elbasani në ferrin e Spaçit, disa herë më i tmerrshëm se "Ferri i Dantes", thotë ai. 19 vjet i kaloi i futur i gjallë nën dhe, galerive të minierës së Spaçit. Atje do të bëhej një nga pjesëmarrësit e revoltës së 21 marsit 1973. "Shkak për shpërthimin e mllefit të madh që kishim, tregon Xhemali, u bë se morëm vesh që Shqipëria mungoi në Konferencën e Helsinkit, e mbajtur ato ditë për të drejtat e njeriut. M‘u duk se ato që kisha shkruar unë në letrën time u bënë baruti i revoltës. Dëgjohej të thuheshin me plot gojën parullat "poshtë komunizmi", "poshtë Enver Hoxha", por edhe "rroftë sigurimi evropian". Disa nga parullat u shkruan me gjakun e një të burgosuri, të dalë nga damari i prerë me brisk. Revolta u shtyp pas disa ditësh. Organizatorët u ridënuan me jo më pak se 20 vjet, ndërsa në kartelën e Xhemal Balit kjo ngjarje shtoi edhe 16 vjet të tjera burgim. Libri që ka marrë si dhuratën më të çmuar me fjalimet e zjarrta dhe me autografin e Vaslav Havel, ngjan si dy pika uji me vuajtjet dhe idetë e tij guximtare e sfiduese ndaj diktaturës së egër.