Lojë luftash
Që kur u zgjidh në mënyrë shumë të papritur si President i vendit në vitin 2005, Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, konsiderohet në Perëndim si një demagog i rrezikshëm, me një prirje të frikshme antisemite. Një person i vendosur që ta çojë vendin e tij në një përplasje të përgjakshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Stili i tij, i një diplomacie me terma acarues, ka lënë pas edhe homologët e tij më pranë linjës antiamerikane të Venezuelës, Kubës, Bjellorusisë dhe Sirisë. Nga njëra anë përplasjet e tij të vazhdueshme me Perëndimin kanë shkaktuar një valë nacionalizmi në Iran dhe shtim të inatit në botën islamike. Nga ana tjetër, Ahmadinexhad u ka dhënë amerikanëve sebepin e shumëpritur për luftë. Një e treta e marinës amerikane ndodhet në Gjirin Persik. Administratës së Bushit, e ngrehur siç është për luftë, i hyjnë shumë në punë deklaratat e papërgjegjshme të Ahmadinexhadit, pasi pavarësisht raportit të fundit të shërbimeve sekrete në lidhje me armët bërthamore, "skifterët" amerikanë janë të gatshëm për sulm. Për sa i përket Evropës, ajo që konsiderohej e paimagjinueshme disa vjet më parë, ka ndodhur. Vendet e kontinentit e konsiderojnë të mundshme mbështetjen për një tjetër gjakderdhje në një tjetër vend islamik. Kështu, ministri i Jashtëm francez, Kushner, ishte shumë i zellshëm kur deklaroi në shtator se vendi i tij ishte i përgatitur për më të keqen në lidhje me Iranin, pra për luftën. Deklarata e Kushnerit duket se frymëzoi edhe Bushin që çështjen bërthamore të Iranit e konsideroi si një mundësi për shpërthimin e Luftës III Botërore. Për sa i përket Ahmadinexhadit, beteja e tij me Perëndimin është thjesht personale. Që kur ai erdhi në pushtet, ekonomia e vendit të tij ka pësuar rënie të dukshme. Mbështetjen që ua kishte premtuar të varfërve, nuk ua dha dhe mbi të gjitha ai ka shkaktuar edhe mërinë e liderëve të lartë islamikë të vendit, me përpjekjet për t‘ua anashkaluar autoritetin. Për ata që e ndjekin nga afër situatën e Ahmadinexhadit në Iran, përpjekjet e këtij të fundit kanë për qëllim vetëm arritjen e një fitoreje në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në vitin 2008. Sipas një profesori iranian në Universitetin e Bostonit, Ahmadinexhad ka nevojë të jashtëzakonshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që të sigurojë mbijetesën politike në një vend ku të gjithëve u ka ardhur në majë të hundës retorika e tij e mbrapshtë dhe kobndjellëse.
Po t‘i hedhësh një sy të shpejtë Teheranit, në pamje të parë ai duket një qytet modern e i përparuar, me të gjitha karakteristikat e një metropoli të madh. Madje edhe njerëzit, meshkuj e femra, edhe pse këto të mbuluara, vishen me gusto e sipas modës së fundit. Por kjo është vetëm në dukje, pasi kryeqyteti në fakt dominohet nga rreth 10 milionë njerëz që jetojnë në varfëri dhe nën rregullat e rrepta të fesë. Ata kanë ardhur në kryeqytet nga qytete të tjera të vendit gjatë periudhës kur në pushtet ishte Shahu. Fillimisht u joshën nga tokat e lira në të cilat ndërtuan shtëpi dhe përmes të cilave siguruan bukën e gojës. Sot ata jetojnë në prapambetje të madhe. Gratë rrinë në shtëpi dhe u janë nënshtruar të gjitha ligjeve të forta të sheriatit, ndërsa një pjesë e mirë e meshkujve preferon të regjistrohet në radhët e Gardës Revolucionare. Pikërisht kjo kategori njerëzish është mbështetësja më e madhe e rregullave drastike fetare, mbylljes, gjenerimit të prapambetjes dhe varfërisë. Vetë Presidenti Ahmadinexhad as që e ka marrë mundimin të shkojë nëpër zonat ku banohen nga njerëzit e ardhur. Gjatë fushatës elektorale, premtimet më të mëdha ia bëri pikërisht kësaj shtrese të varfër, e cila priti mrekullinë nga Ahmadinexhadi. Të gjithëve ai iu shfaq si njëri prej tyre, si njeri i shtëpisë, që do t‘i ndihmonte, por gjithçka u harrua e Ahmadinexhad, në vend që të merrej me problemet e varfërisë, nisi të gërricej për luftë me gjysmën e botës. Me të marrë mandatin e Presidentit, Ahmadinexhad nxitoi të bëhej i njohur në skenën ndërkombëtare. Ai u shfaq si një lider jashtë të zakonshmes, me një pamje që hera-herës i afrohej asaj të një leckamani të lënë pas dore, pasi Ahmadinexhad preferon gjithmonë kostumet e zbërdhulët gri. Buzëqeshja e tij në formë ngërdheshjeje ka për qëllim ta tregojë njeri modest. Fillimisht, kjo pamje e mënyrë të sjelluri bëri që liderët ndërkombëtarë ta nënvleftësonin Presidentin me origjinë shumë të përulur, duke qenë se ai vinte nga një familje punëtorësh emigrantë. Por shumë shpejt u bë e qartë që ish-kryetari i Bashkisë së Teheranit po gjeneronte një axhendë radikale konservatore. Madje aq konservatore, sa shumëkujt fjalët dhe retorika e tij nisi t‘i ngjante me retorikën e talebanëve ekstremistë. Ai rivendosi rregullat e rrepta për të gjithë, veçanërisht për femrat dhe nisi të aplikojë varjet publike për mëkatarët, gjë që s‘ishte parë që prej vitesh në kryeqytet. Veç kësaj, rrugët e kryeqytetit u mbushën me postera të mëdha të të rënëve gjatë luftës së viteve ‘80 me Irakun. Fotografitë e të vdekurve, si fantazma gjigande mësynë qytetet kryesore të vendit. Sipas Ahmadinexhadit, qëllimi i gjithë kësaj propagande ishte shtimi i ndjenjës patriotike në vend. Por nxitja e patriotizmit ishte vetëm njëra anë. Më pas ai i mëshoi shumë edhe anës fetare me parulla për Zotin, që çuditën dynjanë. Sipas Ahmadinexhadit, ai vetë mbrohej nga një forcë hyjnore, që do ta ndihmonte popullin iranian të shkonte pranë Zotit. Në shumë fjalime ai thoshte se i vinin mesazhe hyjnore për kthimin e martirëve në tokë. Ai madje ka kohë që po përpiqet të manipulojë figurën e njohur të Mahdit. Ai insiston se nga qielli i thuhet vazhdimisht se Mahdi, një figurë me përmasat e një Mesie, në të cilën besojnë besimtarët shiitë, i zhdukur në vitin 873 të erës sonë, do të kthehet shumë shpejt në botën e të vdekshmëve, për të sjellë shpëtimin e shpirtrave. Sipas teksteve të shenjta, rishfaqja e tij do të sjellë një shoqëri të drejtë islamike në një kohë lufte dhe kaosi. Sipas Ahmadinexhadit dhe ndjekësve të tij, kjo kohë është pikërisht tani. Por këto deklarata të Ahmadinexhadit nuk mund të mos inatosnin edhe klerikët e lartë vendas, që janë në fakt edhe njerëzit realë të pushtetit në Iran. Ahmadinexhadi e dinte që manipulimet e tij me figurën dhe historinë e Mahdit do të inatosnin veçanërisht të vetmin person që ka në dorë autoritetin e largimit të tij: Ayatollah Ali Khamenein e Madh, liderin suprem të Iranit dhe shefin e ushtrisë, titulli zyrtar i të cilit përkthehet: "Njeriu i Zotit në tokë". Nëse Mahdi do të shfaqej në tokë, sipas thënieve të Ahmadinexhadit, Ali Khamanei automatikisht do ta humbiste postin dhe pozicionin. Edhe pse vetë lideri suprem ka qenë një nga njerëzit që ka kontribuar më shumë në zgjedhjen e Ahmadinexhadit në krye të presidencës- duke u dhënë direktiva të gjithë anëtarëve të Gardës Revolucionare dhe familjarëve të tyre që të votojnë për Ahmadinexhadin -marrëdhëniet mes tyre u përkeqësuan sapo Presidenti mori pushtetin dhe vetë Khameini duket se u zhgënjye keqas nga personi të cilin e mbështeti pa kushte. Ftohjes së liderit suprem Ahmadinexhad nuk mënoi që t‘i kundërpërgjigjej ashpër. Kështu ai nisi një fushatë të menduar mirë kundër estabilishnmentit teokratik, duke akuzuar shumë klerikë në të gjithë vendin për korrupsion dhe duke u kujtuar njerëzve të varfër se një pjesë e klerikëve, te të cilët ata besonin, ishin bërë të pasur në kurriz të të varfërve, madje ishin marrë edhe me tregti të paligjshme armësh. Në qytetin e rëndësishëm të Qomit, ku ndodhet edhe një vend i shenjtë i lidhur me figurën e Mahdit dhe ardhjen e tij, ai është përpjekur disa herë që ta verë situatën nën kontrollin e tij, duke u munduar që me hir ose me pahir të bëjë njerëzit të besojnë në teorinë e tij hyjnore të kthimit të shpejtë të Mesias së shiitëve. Dhe Ahmadinexhad ka bërë vërtet shumë për të mbështetur planin e tij. Ai ka hedhur shumë para në institutin "Imam Khomeini", një medrese e linjës së ashpër, krerët e së cilës janë urdhëruar që të gjejnë fakte konkrete, të cilat flasin për rikthimin e shpejtë të Mahdit. Në krye të grupit të punës për gjetjen e fakteve, Ahmadinexhad ka vendosur Mohamad Taghi Mesbah-Yazdi, një klerik i cili shumë shpejt u bë i njohur si ajatollah, një emërim ky shumë i rëndësishëm, por që kërkon shumë shkollim.
Pikërisht ky njeri është kthyer në mentorin ideologjik të Ahmadinexhadit. Për herë të parë ata të dy u takuan në fillim të viteve ‘80, kur Presidenti aktual i Iranit ndiqte leksionet e tij universitare mbi veprën e filozofit Martin Heidegger, një përkrahës i zjarrtë i nazistëve. Pikërisht nga këto leksione ai gjeti frymëzimin për teoritë e tij nacionalist-shpirtërore-hyjnore, me të cilat i ka mbushur mendjen vetes dhe kërkon t‘ua mbushë edhe të tjerëve në vend. Një përkrahës i flaktë i dënimit me vdekje, mentori i Ahmadinexhadit, Mesbah-Yazdi, është zgjedhur së fundmi anëtar i Asamblesë së Ekspertëve, organizëm që merret me zgjedhjen e liderit suprem. Qëkur erdhi në këtë organizëm, ai e ka bërë të qartë ambicien e tij për të qenë vetë lideri i ardhshëm suprem. Për këtë qëllim ai po punon me shumë këmbëngulje, duke i ekspozuar veprat e tij në të gjitha stendat e librarive dhe bibliotekave të mëdha të vendit, sidomos në universitetet e mëdha, ku vijnë njerëz nga të gjitha vendet arabe e sigurisht shuajnë kuriozitetin për të lexuar veprat e një njeriu që po propagandohet si filozofi më i madh i gjallë i Iranit. Por Ahmadinexhad nuk ndalet me kaq. Ai ka mbushur administratën e lartë dhe kabinetin me njerëz të tij, me ish-gardistë dhe zyrtarë të shërbimeve sekrete. Mjafton të shohësh se ministri i Brendshëm është një njeri që dyshohet për vrasje të shumë aktivistëve politikë. Edhe Ministria e Kulturës është transformuar tërësisht. Në krye të saj ndodhet një ish-shok shkolle i Ahmadinexhadit, një nga bëmat e fundit të të cilit ishte thirrja publike që u bëri kompozitorëve të vendit për të kompozuar simfoni që i thurnin himn programit bërthamor. Ky ministër ka vënë kyçin në çdo media që ndihet paksa e lirë të shprehet kundër Ahmadinexhadit dhe planeve të tij. Megjithatë, fuqia dhe ngutja e Ahmadinexhadit për të kontrolluar situatën në të gjitha fushat ka pësuar goditje. Ka pasur shumë klerikë, të cilët po merren me çështjen e manipulimit që i është bërë Mahdit nga ana e Ahmadinexhadit. Nga këta klerikë vijnë edhe akuzat në drejtim të Ahmadinexhadit për "prishje të reputacionit të Kuranit". Por kritika më dëmprurëse për Presidentin vjen nga ana e ajatollahëve të mëdhenj, 19 liderëve, autoriteti shpirtëror i të cilëve mbetet i paprekur në vend. Zëvendësi i liderit suprem akuzon regjimin e Ahmadinexhadit për despotizëm.
Sipas tij, politika e Ahmadinexhadit është luftënxitëse dhe njerëzit e Iranit duhet të përqendrohen te puna dhe ekonomia, ndërkohë që amerikanët duhet t‘i japin edhe ata fund futjes së hundëve në çështjet e Iranit, para se të krijojnë një tjetër gjëmë, siç ndodhi në Afganistan dhe në Irak. Madje ai ka shkuar edhe më tej, teksa ka nisur të bëjë deklarata në lidhje me barazinë e gruas me burrin në të gjitha aspektet. Sipas tij, është detyra e liderëve të Iranit që t‘i tregojnë botës së vendi i tyre nuk është aspak një vend injorant e i zhytur në fe, por një vend i përparuar e mbi të gjitha paqedashës.
Iranianët janë të shqetësuar. Ata vazhdimisht duan të dinë edhe për sa kohë Ahmadinexhadi do të vazhdojë t‘i mëshojë çështjes bërthamore, e cila ka krijuar në vend frikën e një lufte e një rreziku të madh. Por kërcënimi më i madh ndaj pushtetit të Ahmadinexhadit është përkeqësimi i gjendjes ekonomike në vend që kur ai erdhi në pushtet. Ai rriti shumë kontrollin e shtetit në biznes, duke i krijuar probleme ekonomisë së tregut të lirë. Njerëzit që aktualisht merren me ekonomi në qeveri, nuk kanë asnjë lidhje me këtë subjekt. Për shkak të pasurive të nëntokës, Irani duhet të renditej si një ndër vendet më të pasura të botës, por në të kundërt, ardhja e Ahmadinexhadit ka krijuar shumë pakënaqësi e probleme edhe në sektorin e naftës dhe të gazit në vend. Të gjitha kontratat miliardere u janë dhënë miqve dhe të afërmve të Presidentit, si dhe mbështetësve të tij në Gardën Revolucionare. Sipas një gazetari vendas, Ahmadinexhadit i pëlqen që ta heqë veten si një Robin Hud i popullit iranian. Në fakt, ai po bën të kundërtën, pasi qëllimi i tij është të pasurojë të pasurit dhe të varfërojë edhe më tej të varfrit. Në këtë situatë, mbështetja e tij në popull ka rënë, ndërkohë që është ngritur simpatia për paraardhësin e tij dhe aktualisht një nga kundërshtarët më të mëdhenj, Rafsanxhanin. Një ish-ambasador iranian në Mbretërinë e Bashkuar i ka bërë së fundmi një apel Perëndimit: "Irani, kjo foshnjë e një revolucioni të egër, ka 30 vjet që jeton në një izolim të plotë, nën një mbikëqyrje të rreptë dhe pjesa më e madhe e iranianëve është shumë e lodhur dhe dëshpëruar nga kjo gjendje thuajse e pashpresë. Iranianët ndihen të zënë në çark nga një ndjenjë e madhe mosbesimi që ushqen komuniteti ndërkombëtar ndaj nesh, që tashmë ka arritur kulmin e konfliktit. Ajo çka duhet të ndodhë nuk është lufta mes Teheranit, Londrës dhe Uashingtonit, luftë që duket se e duan politikanët, por bisedimet, dialogu, diplomacia. Përndryshe, ata që do të fitojnë do të jenë Ahmadinexhadët e Bushët, që shohin interesat e ngushta. Ne jemi një kombi i madh, që meritojmë të marrim frymë lirisht. Arma jonë më e rëndësishme është kultura e vjetër, në themel të së cilës është paqja dhe jo lufta".