"Lakuriqi i natës" vjen në TOB
"Lakuriqi i natës" me muzikë të Johann Strauss dhe libret të Carl Haffner e Richard Genne do të ngjitet nga data 18 deri më 22 dhjetor në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Nën regjinë e Paul Flieder dhe mjeshtër kori Dritan Lumshin, ndërsa koreografe Manjola Hasani, do të interpretojnë solistët e njohur të teatrit, si Vikena Kamenica, Marjana Leka, Etleva Golemi, Erlind Zeraliu, Dorina Selimaj, Lindita Kola, Luan Sula, Armando Likaj, Emiljana Palushaj etj. Ndryshe nga operat e mëdha, opereta, motra e saj e vogël, është më afër realitetit, megjithëse ajo luan shumë lirshëm me disa elemente të këtij realiteti dhe rrëmben disa elemente ekstravagante për të arritur një fund të ëmbël.
Fakti që libreti i "Lakuriqit të natës", i shkruar nga Haffner dhe Genee, është adaptim i një vodevili parisien, shkruar nga Meilhac dhe Halevy, na kujton që historia e operetës ka nisur në Paris me Offenbach. Gjurma e stilit parisien ndikoi në operetën vjeneze, që do t‘i rrëmbente se parës satirën therëse për të ndërthurur aty elemente të farsës vjeneze. Shtraus e krijoi këtë muzikë të gëzuar dhe vallëzuese, por në asnjë moment sentimentale, me një lehtësi të jashtëzakonshme, për 42 ditë e 42 net dhe me një mjeshtëri të madhe. Uvertura e veprës është një model në muzikën klasike. Vallëzimet, duetet, vijnë në shpirtin e Shtrausit mrekullisht. "Lakuriqi i natës" i dha një kthesë të re historisë së operetës.