E Shtunë, 31 Tetor 2026

"DR 2007 Z", një shfaqje për apatinë politike

Estrada profesioniste e Durrësit është në përgatitjet e fundit për vënien në skenë të një shfaqjeje të re, e cila do të prezantohet para artdashësve durrsakë në prag të festave të këtij fundviti. Një targë automjeti është zgjedhur si simbol i një problematike, të cilën qytetarët e konstatojnë çdo ditë teksa përballen me pushtetarë e zyrtarë të administratës publike. "DR 2007 Z", këtë titull do të mbajë premiera e regjisorit dhe skenaristit të mirënjohur durrsak, Haxhi Rama. Sipas drejtorit të pallatit të kulturës "Aleksandër Moisiu" në Durrës, Ermion Arapi, aktorët e estradës dhe regjisori po përpiqen ta shfaqin atë që në datën 20 dhjetor, që përkon me festën e Kurban Bajramit, duke çelur kështu siparin e aktiviteteve artistike për festat e fundvitit. Regjisori Haxhi Rama thotë për gazetën, se premiera që pritet të shfaqet në skenën e teatrit "A. Moisiu" atakon zyrtarët, militantët partiakë dhe mitingashët, që rëndom bëhen pjesë e administratës publike dhe krijojnë probleme në shërbimet që duhet t‘u servirin qytetarëve, taksapaguesve shqiptarë. Jo më kot është zgjedhur një targë automjeti për të emërtuar premierën më të fundit të trupës profesioniste të Estradës Durrsake dhe për të dhënë mesazhin e një realiteti që ka në qendër të tij një grup zyrtarësh që e drejtojnë këtë makinë, Durrësin, në një rrugë shpesh pa krye. Shfaqja është konceptuar si një variete me skeçe humoristike, këngë dhe kërcime moderne. Humori do të vijë i interpretuar nga humoristët Roland Koça, Muharrem Hoxha, Edmond Halili dhe Adem Gjepali. Për herë të parë do të angazhohet në këtë shfaqje-variete dhe një interpretuese e re, Era Çaushi, e cila do të ketë daljen e parë në publik. Sipas drejtorit të Pallatit të Kulturës në Durrës, kjo shfaqje do të pasohet nga aktivitete të tjera artistike, të cilat do të mbushin ditët e festave dhe gjallërojnë jetën e qytetit në prag të ndërrimit të viteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›