E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxakis: Propozojmë dashuri

Balada "Konstandini dhe Doruntina" në Shqipëri, ashtu siç e shohin sytë e një artisti grek. Regjisori Sotiris Haxakis i bën një variant legjendës në popujt e Ballkanit. Sot në Teatrin Kombëtar flitet në pesë gjuhë


Regjisori grek, Sotiris Haxakis, prezanton sonte në orën 20:00 në skenën e Teatrit Kombëtar, versionin e tij të legjendës "Kostandini dhe Doruntina", me titull "Balada e vëllait të vdekur".


Haxakis është lindur në ishullin e Kretës. Artisti thotë se prej tokës së fshatit ka marrë shumë, gjë që përpiqet ta transmetojë në krijimet e tij skenike. I shkolluar për aktrim (profesion, të cilin e ushtron për pak kohë) Haxakis hedh sytë nga regjisura. Arsyeja pse braktisi aktrimin është se regjia e lejon të ndërthurë shumë arte njëkohësisht. Në intervistën e mëposhtme ai tregon për jetën dhe baladën që sjell në Tiranë.



Z. Haxakis, si do të prezantoheshit përpara një publiku që për herë të parë ka për të parë një vepër tuajën?


Kam lindur në Kretë. Në fëmijëri kam bërë një jetë fshati dhe për këtë arsye toka, kafshët, pemët dhe në përgjithësi natyra, ekziston brenda veprës sime.

Kam studiuar në shkollën e lartë të Teatrit Dramatik në Athinë. Kam aktruar për afro 10 vjet dhe për pak kohë kam qenë zv/drejtor i Teatrit Kombëtar të Athinës, po ashtu kam drejtuar dy teatro private në Greqi. Kam punuar mjaft në radio dhe televizion, si aktor dhe regjisor.

Më pas u bëra as/regjisor për të kaluar përfundimisht tek regjisura. Shkruaj dhe bëj përshtatje të veprave, siç kam bërë edhe në rastin e "Baladës së vëllait të vdekur".

Dhe cila është arsyeja e braktisjes së aktrimit për regjinë?


Unë ende vazhdoj të luaj, por shumë rrallë. Kalova tek regjisura, sepse më josh bota e kompozimit të shumë arteve së bashku. Një rol vendimtar për këtë kanë luajtur specializimet që kreva në Poloni, por edhe njerëzit që kam njohur atje, kanë ndikuar në jetën time.

Ju vini nga vendi i miteve, por kësaj radhe trajtoni një legjendë. A ka kjo vepër elementë të njërës dhe tjetrës, sa baladë dhe sa mit ka tek "Vëllai i vdekur"?


Pika e takimit të miteve është aspekti i besës. Një djalë i ri i premton nënës se do të ringjallet, nëse ajo do të ketë nevojë për të. Pika e dytë është karakteri i nënës, që është shumë tragjik dhe karakteri i vajzës, që është gjithashtu një karakter i dhimbjes së madhe që kthehet në vajtim.

Këto janë tre e elementet e përbashkëta për mua. Ajo që ndryshon janë emrat, madje edhe ndikimi i krishterimit, i cili në balada të ndryshme e zbut pak poezinë. Dallimi është se në disa balada vdesin që të dyja protagonistet, në disa të tjera vdes vetëm nëna e në të tjera vajza kthehet në qyqe.

Në variantin tuaj Doruntina nuk vdes bashkë me nënën e saj, siç e ka edhe balada shqiptare, por shndërrohet në qyqe. Përse?


Dhimbja në këtë vepër është aq e madhe, saqë nuk ka shpëtim, nuk ka katharsis. Kjo vajzë pa faj, do të vajtojë në shekuj për tragjedinë që i ndodhi. Dhe qyqja është simboli i vajtimit.

A është ky kor "qyqesh" një tip kori i tragjedisë antike greke?


E gjithë shfaqja është e strukturuar mbi tragjedinë e lashtë, mbi të njëjtën teknikë krijuese. Prezenca e korit është e dukshme në shfaqje, sidomos për faktin se kori përbëhet nga pesë gjuhë. Miti i kukuvajkës ekziston kudo. Në të gjithë Ballkanin ekzistojnë transformime që kanë ndodhur nga dhimbja e madhe.

Është hera e parë që ju trajtoni këtë baladë?


Në vitin 2000 unë e kam vënë në Teatrin Kombëtar në Greqi, por jo në këtë formë që do të luhet këtu. Atje e kam vënë në trajtën greke, me përmasa greke.

Cilët janë autorët nga të cilët jeni ndikuar?


Janë poetët e lashtë grekë, Homeri, Eskili, Euripidi dhe Sofokliu, por edhe Aristofani, deri diku. Më pas mund të them Shekspiri, Strindbergu, Çehovi dhe Beketi. Jam frymëzuar nga autorë të të gjithë kohërave. Jam ndikuar shumë edhe nga letërsia e T. S. Eliot dhe e Tomas Manit.

Ju i njihni veprës edhe një mesazh politik, përse është i nevojshëm?


Unë nuk duroj dot të shoh Ballkanin të përçahet. Do të doja të gjeja pikat e përbashkëta që i lidhin këta popuj. Në këtë mënyrë, ne po u japim një përgjigje të gjitha atyre që përpiqen të na ndajnë dhe të na veçojnë. Ata që na përçajnë propozojnë vetëm bombardime, vdekje dhe vajtime. Ne po propozojmë një bashkekzistencë paqësore dhe dashuri.


Dueti Gjezi-Gjollma në Akademinë e Arteve


Sezoni koncertor ndërkombëtar i muzikës "Klasik", sot në orën 19:00, ngjit në skenë dy artistët Kristi Gjezi (violinë) dhe Marin Gjollma (piano). Në program, pjesë nga kompozitorë shqiptarë dhe të huaj, si Faure, Debussy, Ysaye, Franck, Peçi dhe Sarasate. Gjezi dhe Gjollma, të premten në orën 19:00, interpretojnë në skenën e teatrit "Bylis", në Fier.


Romancë në "Millenium"

Në kinema "Millenium", që prej ditës së djeshme po shfaqet komedia romantike "He's just not that into you", me regji të Ken Kwapis. Një bashkëshorte e pakënaqur, një burrë që dashuron një grua, e cila është e dashura e dikujt tjetër, një femër e çoroditur nga lajkat e meshkujve dhe personazhe të tjerë që krijojnë një seri historish të lidhura mes tyre në bazë të keqkuptimeve. Interpretojnë Ben Affleck, Jennifer Aniston, Scarlett Johansson, Jennifer Connelly, Drew Barrymore, Justin Long, etj.


Njihuni me Xhonin


Këtë të enjte, në orën 19:00, në kinema "Marubi" prezantohet regjisori amerikan Frank Capra, me filmin e realizuar në vitin 1941, "Meet John Doe".

E xhindosur sepse e pushuan nga puna, gazetarja e "The New Bulletin", Ann Mitchell (Barbara Stanwyck) shkruan një letër, nëpërmjet së cilës John Doe kërcënon të vrasë veten, në shenjë proteste ndaj plagëve sociale.

Përpara një historie të tillë, gazeta e merr sërish në punë gazetaren. Por, në këtë moment, nga të gjitha anët e Amerikës vijnë në redaksi njerëz, të cilët pretendojnë se janë autorë të letrës.

Ann, së bashku me kolegun e saj Henry Connell (James Gleason), vendosin të punësojnë John Willoughby (Gary Cooper), një ish-lojtar bejsbolli, që të hiqet si Johni i letrës. Komedia zgjat 122 minuta. Është në gjuhën angleze dhe shoqërohet më titra në frëngjisht.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›