E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëhelmohet në mes të rrugës, përfundon në koma

TENTATIVA/ Gjergji Anastasi ka konsumuar sasi të mëdha ilaçesh duke u shprehur se kishte vendosur të vdiste

KORÇË- Ka tentuar të vrasë veten publikisht, duke gëlltitur ilaçe në sy të njerëzve, dhe më pas ka përfunduar në koma.

Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Korçës, ndërsa policia ka bërë të ditur se ai ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, duke e identifikuar personin si Gjergji Anastasi, por pa i ditur ende saktë gjeneralitetet e tij. Ndërkohë, mësohet se policia është në kërkim të një personi, i cili akuzohet se e ka shtyrë viktimën drejt tentativës së vetëvrasjes.


Ngjarja


Dhjetëra banorë të lagjes nr.4 në qytetin e Korçës kanë asistuar në një skenë të dhimbshme, ku një person me disa medikamente në dorë po i konsumonte ato në mënyrë që t'i jepte fund jetës.

Madje, sipas policisë, teksa ka bërë këtë veprim, ai u ka pohuar edhe kalimtarëve të rrugës se kishte vendosur të vdiste. Gjithçka është zhvilluar rreth orës 19:30 të ditës së martë, vetëm pak metra larg spitalit rajonal të qytetit.

Shtetasi Gjergji Anastasi ka zgjedhur shkallët e një dyqani dhe në gjendje tejet të rënduar psikologjike ka konsumuar një sasi të konsiderueshme ilaçesh me gjithë ndërhyrjen e disa kalimtarëve për të mos i përdorur ato.

Si rezultat ai ka rënë pa ndjenja përtokë, ndërsa banorët e kanë çuar për në spital. Ndërkohë është lajmëruar policia.


Hetimi


Të mbëritura në vendngjarje, forcat e policisë kanë arritur të mësojnë me shumë vështirësi identitetin e personit që tentoi vetëvrasjen përmes helmimit, teksa kanë pyetur shtetasin, i cili ishte në gjendje të rëndë. Kështu, nga ky komunikim u arrit të mësohej se emri i tij ishte Gjergji Anastasi.

Forcat e policisë shprehen se ende nuk kanë asnjë detaj të mëtejshëm lidhur me familjen e personit si dhe nga ishte ai (pas një kontrolli të bërë në listat paraprake të shtetasve shqiptarë rezulton të jetë 42 vjeç, nga Durrësi, megjithëse një fakt i tillë është ende i pakonfirmuar nga policia, burimet zyrtare të së cilës u shprehën se po presin hetimet).

Ndërkohë, burimet nga spitali i Korçës shprehen se situata shëndetësore e Anastasit është e rënduar, teksa ai qëndron i shtruar në repartin e reanimacionit.

Sipas policisë, i sëmuri ka konsumuar një sasi të madhe medikamentesh në kushtet e një depresioni, teksa ka nisur dhe hetimi për veprë penale të "shkaktimit të vetëvrasjes të mbetur në tentativë", pasi dyshohet se ka qenë një person që e ka shtyrë drejt veprimit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›