Haxhi vendos kushtet e tij
Ylli i futbollit rumun është i gatshëm ta marrë stolin e kombëtares vetëm nëse i ofrohet një projekt afatgjatë
Razvan Luçesku u largua menjëherë pas fitores 3-0 me Bosnjen, duke lënë bosh vendin e trajnerit të kombëtares së Rumanisë. Ndonëse fitoi, eliminatoret e dobëta që kishte bërë skuadra ballkanase deri para sfidës me boshnjakët, kishin krijuar një klimë armiqësore kundër të birit të Mirçea Luçeskut. Ishin të shumtë ata që donin “kokën” e teknikut të ri, i cili gjeti mënyrën më të mirë për t’i kënaqur të gjithë: fitoi ndaj Bosnjes dhe u largua duke e lënë Rumaninë në valle për kualifikim. Për të karriera do të vijojë te Rapidi i Bukureshtit.
Ndërkohë, në Bukuresht janë shtuar zërat për emrin e ri të kombëtares rumune. Ai është George Haxhi, ish-yll i kësaj përfaqësueseje në vitet ’90. Por, Haxhi, që në krye të përfaqësueses së vendit të tij nuk ka pasur shkëlqimin sikurse lojtar, ka kërkuar që të mos jetë thjesht një udhëheqës deri në përfundim të kualifikimeve, por që federata rumune t’i besojë atij një projekt afatgjatë. “Jam i gatshëm për stolin e kombëtares së Rumanisë, por do ta pranoja me kënaqësi këtë detyrë nëse do të isha pjesë e një projekti afatgjatë, të paktën 3-vjeçar. Nëse drejtuesit e federatës janë të gatshëm të pranojnë këto kushte, atëherë mund të ulemi të bisedojmë”, ka deklaruar Haxhi ditën e djeshme, në një konferencë përpara mediave. Megjithatë, Haxhi nuk është i vetëm në këtë betejë, pasi ka një sponsor të fuqishëm në krah të tij. Viktor Bekali, president i Steuas dhe parlamentar rumun beson se Haxhi është njeriu i duhur për trikolorët. “Uroj nga zemra që Haxhi të rikthehet në ekipin kombëtar”.