E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuzhe pa dorashka: të fitojmë në Bosnje

SHKRUAN: Jeton Selimi 06-06-2011 10:21

Matematika në futboll është e thjeshtë. Shuma del si rezultat i tre shifrave, 3, 1 dhe 0, ndaj Kuzhe fokusohet në këtë pikë. Ai e di mjaft mirë se dy fitore radhazi do ta shndërronin Shqipërinë në liderin e grupit, por gjithashtu qëndron me këmbë në tokë. Në Bosnje do të na bënte punë dhe një pikë e vetme, por Kuzhe nuk kërkon të heqë dorë edhe nga fitorja. Natyrisht të përballesh me forcën ofensive të Xekos me shokë është diçka e vështirë, por është shumë herë më e lehtë të thyesh mbrojtjen e tyre të brishtë.

Si do të luajë Shqipëria ndaj Bosnjës?

Me shumë ambicie, për rezultat pozitiv. Ne kemi taktikën tonë, duke i kushtuar rëndësi mbrojtjes për shkak të kualiteteve që ka Bosnja, por do të tentojnë edhe në sulm për të shënuar dhe arritur rezultat pozitiv, duke pasur parasysh problemet që ka shfaqur kjo skuadër edhe në ndeshjen me Rumaninë.

Tashmë e keni bërë traditë që para ndeshjes na tregoni formacionin titullar.

Do të luajmë me të njëjtën skuadër që mundi Bosnjën, me disa ndryshime të vogla, që vijnë për shkak të rikthimit të Dallkut dhe Currit. Do të luajmë me këtë formacion: Ujkani, Dallku, Cana, Curri, Vangjeli, Lala, Bulku, Skela, Agolli, Salihi dhe Bogdani.

Do të luajmë me dy sulmues të avancuar, apo Salihi disi më prapa?

Në futbollin e sotëm, skuadrat janë shumë të organizuara, luajnë të gjitha në bllok. Që do të thotë se në lojën mbrojtëse marrin pjesë të gjithë futbollistët, duke përfshirë edhe sulmuesit. Ne duhet patjetër të mbrojmë me nëntë lojtarë, pra Salihi ose Bogdani në momente të veçanta do të rreshtohen në gjysmëfushën tonë.

Duket sikur keni guxuar shumë me Currin titullar, duke ditur që ka qëndruar gjatë jashtë fushave.

E kemi menduar gjatë këtë. Dua të theksoj se Teli ka luajtur në mënyrë të shkëlqyer në të gjitha ndeshjet. Ai më ka futur në mendime, sesi mund t’i aktivizoj të dy (Teli-Curri) në të njëjtën kohë. Nuk kam kohë për të bërë eksperimente, duke futur njërin prej tyre në mesfushë. Kam zgjedhur Currin, pasi mendoj se fiziku i tij është më i përshtatshëm për të mbajtur Xekon. I besova Currit, eksperiencës dhe shpirtit të tij luftarak, ndonëse pas qëndrimit të gjatë jashtë skuadrës mund të mos jetë në 100% të formës.

Çfarë kuptuat nga ndeshja Rumani-Bosnjë?

Sigurisht që e kemi ndjekur të gjithë bashkë dhe kemi pasur një analizë për lojën e kundërshtarit tonë të radhës. Dalluam disa situata tipike të cilat i analizuam. U thashë futbollistëve të mi se nuk mund t’i përballojmë individualitet e Bosnjës me një lojë të organizuar, me motivimin maksimal dhe sigurisht me disiplinë taktike.

E keni një plan B, nëse Salihi nuk do të jetë në gjendje ta përballojë të gjithë ndeshjen?

Sigurisht që e kam. Para stërvitjes së sotme (djeshme) po mendoja se cili mesfushor mund të luajë më mirë në fazën sulmuese. Alternativat janë Duro, Bakaj dhe Lila.

A është kjo ndeshja më e rëndësishme e sezonit? Të njëjtën gjë thatë gjatë edhe para Bjellorusisë.

Duke parë situatën në grup, kuptohet se kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për ne. Po të shikojmë perspektivën, nëse fitojmë dy ndeshje radhazi renditemi të parët. Duket e pabesueshme që kjo do të ndodhë, por kjo është situata. Gjithsesi duhet të jemi objektivë. Jam munduar të krijoj një atmosferë pozitive, për të mos i vënë lojtarët nën presionin e rezultatit. Ne dëshirojmë t’u besojmë mundësive tona që të arrijmë diçka.

Në mendimit tuaj, dy rezultatet e fundit në grup ishin negative apo pozitive për Shqipërinë?

Ne në të vërtetë nuk e dinim se cili do të ishte rezultati pozitiv për në ndeshjen Rumani –Bosnjë. Nga njëra anë na pëlqente të kishim poshtë Rumaninë, por edhe të mos inkurajonim Bosnjën. Dëshironim gjithashtu që Bjellorusia të humbiste me Francën, sepse këtë të fundit nuk e konsiderojmë konkurrente. Shikoni, nëse i fitojmë dy ndeshjet e radhës do ta pëlqejë humbja e Bosnjës dhe barazimi i Francës (kjo është shaka). Çdo gjë është e hapur dhe e mundur. Para se të nisnin këto eliminatore kam deklaruar se mund të arrinim diçka dhe se të gjitha skuadrat do të linin pikë. Tani unë them që Shqipëria duhet të lërë sa më pak pikë. Tani, pas pesë ndeshjes unë mund të bëj diçka më mirë në skuadër, por të njëjtën gjë mund të bëjnë edhe të tjerët. Duhet të shikojmë se çfarë mund të bëjmë në të ardhmen.

“Xhemo” mori një pikë me Bosnjën, po ju a jeni dakord me një pikë?

Barazimi nuk është rezultat i keq, por do të më pëlqente fitorja.

Para një viti keni fituar me Malin e Zi, ndonëse miqësore, a mendoni se ka një ngjashmëri mes dy takimeve?

E kam menduar këtë dhe jam përpjekur të bëj krahasime. Pse jo, mund ta përsëritim këtë rezultat.

Formacioni kuqezi

Ujkani

Dallku, Cana, Curri, Vangjeli

Lala, Bulku, Skela, Agolli

Salihi Bogdani

Shkurt nga kampi kuqezi

- Kapllani ka bërë rezonancën mangetike, e cila ka treguar se ka një tërheqje të lehtë në kofshë. Atij do t’i duhet të paktën një javë pushim. Prej ditës së sotme nuk është më pjesë e skuadrës.

- Salihi është stërvitur rregullisht do të jetë pjesë e skuadrës.

- Vrapi, Kapllani, Hidi, Lika dhe Vila janë lënë jashtë skuadrës që do të udhëtojë sot drejt Bosnjes

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›