E Diel, 1 Nëntor 2026

Starton “Rally Albania", 300 garues nga 20 shtete

TIRANE- Gara spektakolare e motorave dhe makinave “Rally Albania" startoi sot në Shqipëri për të 6-tin vit radhazi.Një nga eventet më të rëndësishme sportive të vitit risillet nëpërmjet "Motorclub Sport Albania" nga 5-11 qershori.

Shqipëria mirepriti "Rally Albania 2011" me pjesëmarrjen e mbi 300 garuesve nga 20 shtete të botës, ndër të cilët vetëm 4 janë shqiptarë.

Organizatorja Julia Dhame ka thënë për atsh se, "këtë herë ky aktivitet ka kapërcyer gjithë pritshmëritë për thyerjen e koordinatave, duke ngjallur interesin e garuesve nga Australia në Gjermani, Çeki, Itali, Greqi, Bullgari, Turqi, Slloveni, Sllovaki, Zvicër, Austri, Angli, Holandë dhe një seri vendesh të tjera. Kjo pjesëmarrje përkthehet në më shumë përgjegjësi për ne duke, qenë se "Rally Albania" është pjesë e “Rally Raid Europe”.

Sipas saj, “këtë vit edhe si rrjedhojë e bashkëpunimit me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe eksperiencës së akumuluar në vite, ka shumë surpriza dhe ndryshime për ta bërë më emocionues këtë aktivitet në sytë e sportdashësit. "Rally Albania" do të jetë një udhëtim i veçantë në zbulim të dimensionit human dhe sportiv të Shqipërisë".

Gjithçka filloi të dielën, me një ceremoni të organizuar në sheshin “Nënë Tereza” ne Tirana. Në këto gara pjesëmarrësit do të përshkojnë 1500 kilometra. Fazat e garës janë 6, nga Shqipëria e Mesme në Veri dhe më pas në Jug. Tiranë-Tropojë, Tropojë-Valbonë, Tropojë-Vlorë, Vlorë-Himarë-Vlorë, Vlorë-Tiranë, Tiranë-Tiranë(finish) do të jenë etapat e kësaj gare, që përveç dueleve sportive, pritet të dhurojë dhe pamje spektakolare të relievit malor dhe bregdetar shqiptar.

Etapa e parë ka një gjatësi prej 310 km dhe do të startojë në kryeqytet për të përfunduar në Tropojë. Etapa e dytë është programuar të realizohet në terrenet e vështira malore të vëndit tonë, duke nisur dhe përfunduar në Tropojë me një gjatësi prej 130 km. Etapa e tretë është dhe etapa më e gjatë, 410 km, e cila do të nisë në Tropojë dhe ka si pikë përfundimtare qytetin bregdetar të Vlorës. Etapa pasardhëse, 110 km do të zhvllohet në pjesën jug-perëndimore të vëndit tonë me nisje dhe përfundim në Vlorë. Etapa e gjashtë është dhe etepa e kthimit në kryeqytet dhe ka një gjatësi prej 320 km. Etapa finale do të jetë tëresisht e Shqipërisë së Mesme me nisje dhe përfundim në kryeqytet duke kurorëzuar edhe fituesin.

“Në finish gjithçka ka mbaruar sa i përket garimit, por jo surprizave, të cilat do të vijojnë me një ceremoni të dhënies së çmimeve për fituesit në mbrëmjen e datës 11 qershor”, shprehet Dhame.

Qëllimi i "Rally Albania" është jo vetëm sport. Ashtu si në vitet e kaluara, edhe këtë vit drejtuesit kanë synuar që mes të tjerave të promovojnë edhe turizmin në Shqipëri.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›