E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto: Gati negociatat për marrëveshjen me Greqinë

TIRANE- Qeveria shqiptare është gati të nisë negociata me palën greke për zbatimin e marrëveshjes së ujërave detare. Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto bëri dje të ditur se marrëveshja e ujërave me Greqinë do të realizohet bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Haxhinasto njoftoi se për paktin detar do të ngrihet grupi i punës, i cili do të punojë paralelisht me atë grek. Sipas tij, Shqipëria nuk ka pranuar dhe nuk do të pranojë asnjë lloj presioni rreth paktit detar dhe se marrëveshja e ujërave do të përmbyllet në bazë të ligjeve dhe interesave të shqiptarëve.

“Mund të them që kemi dizenjuar komisionin përkatës, përbërjen e tij. Ky komision do të plotësohet nga përfaqësues të institucioneve respektive, të cilat do të jenë pjesë e ekipit, i cili do të shqyrtojë me palën greke të gjithë hapësirat dhe mundësitë për ta konkluduar marrëveshjen në fjalë” - deklaroi dje Haxhinasto gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët pas kthimit nga Nju Jorku.
(s.g/GSH/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›