KLD urdhëroi inspektimin e Konomit dy muaj para vrasjes
Tiranë Dy muaj para se të humbte jetën në atentatin me bombë në makinë, gjykatësi Skerdilajd Konomi ka qenë subjekt i një kontrolli të imtësishëm të urdhëruar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Lajmi është konfirmuar nga burime të rezervuara nga KLD-ja, por edhe nga burime të mirinformuara nga gjykata e Vlorës. Sipas këtyre burimeve, rezulton se rreth dy muaj përpara se të bëhej viktimë e atentatit, Skerdilajd Konomit i janë “filtruar” të gjitha dosjet që ka gjykuar në vitet 2010-2011. Inspektorët janë dërguar posaçërisht vetëm për dosjet e Konomit dhe marrja e vendimit për inspektim nga drejtuesit e KLD-së është bazuar në disa letra anonime që i kanë ardhur këtij institucioni, ku njerëz të padeklaruar denonconin aktivitetin e gjykatësit. Por duket se inspektorët nuk kanë patur shumë punë në këtë inspektim, pasi prej dy vitesh Konomi kryesisht kishte gjykuar “dosje të lehta”, ku pjesa dërrmuese e vendimeve të tij kishte të bënte me urdhra ekzekutimi që janë vendime rutinë në një gjykatë. Mësohet se Konomi prej disa kohësh ishte angazhuar në gjykimin e çështjeve të tilla, të cilat teorikisht nuk mund të përbëjnë një motiv të fortë për vrasje për shkak të detyrës. Burimet bëjnë të ditur se Këshilli i Lartë i Drejtësisë i ka dërguar kontrollin e posaçëm Konomit fill pas vendimit të Gjykatës së Lartë, ku i njihte familjes Konomi të drejtën e trashëgimisë mbi tokën. Rezultatet e këtij kontrolli nuk janë bërë asnjëherë publike nga KLD, edhe pse mësohet se çështja është klasifikuar si inspektim tematik vetëm për performancën në punë të gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Ndërkohë, Konomi, ndonëse ka mbyllur gjyqin në Gjykatën e Lartë për 2 mijë hektarët në Gjirin e Lalzit, nga ana tjetër ka patur probleme me disa pretendues për 240 hektarë tokë, ku palët kanë kallëzuar respektivisht njëri-tjetrin. Skerdilajd Konomi ka bërë padi në prokurorinë e Tiranës për falsifikim, ndërsa pala tjetër ka bërë padi në prokurorinë e Durrësit po për falsifikim ndaj Konomit, madje në kërkesën shoqëruar padisë së bërë në prokurorinë e Durrësit, pretenduesit janë shprehur se gjyqtari ka shfrytëzuar postin, lidhjet dhe njohjet në betejën kundër tyre. Kolegë dhe të afërm të Konomit kanë pohuar pas vrasjes së tij faktin se gjykatësi nuk ishte angazhuar në gjykimin e çështjeve të rëndësishme që mund ta vinin në konflikt interesi për shkak të konfliktit të tij të procesit që gjithashtu po e ndiqte në rrugë gjyqësore. Nga ana tjetër duket se inspektimi i urdhëruar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ndonëse ka kaluar në filtër të gjitha dosjet e shqyrtuara nga Konomi, nuk ka dalë në ndonjë konkluzion konkret deri më sot. Siç rrallë ndodh me inspektimet e urdhëruara nga KLD-ja, kontrollet në Gjykatën e Vlorës nuk ishin të bazuara mbi një grup gjykatësish apo mbi një “grup-çështjesh”, por ishin të orientuara posaçërisht ndaj Skerdilajd Konomit, i cili nga ana e tij në dy vitet e fundit ka trajtuar dhe gjykuar vetëm çështje pa ndonjë peshë të veçantë specifike në Gjykatën e Vlorës. Gjyqtari 33-vjeçar Skerdilajd Konomi mbeti i vrarë më 9 shtator të këtij vitit në qendër të qytetit të Vlorës pas shpërthimit të një sasie tritoli të telekomanduar në autoveturën e tij. Të gjitha të dhënat e deritanishme flasin se Konomi është vrarë për motive që lidhen me pronat e familjes së tij dhe nuk ka asnjë shenjë apo të dhënë se vrasja e Konomit mund të jetë bërë për shkak të detyrës apo çështjeve që ai vetë ka gjykuar.
Dosja “Konomi”, prokuroria verifikon 8 mijë telefonata
Sipas të dhënave të kompanive celulare, rezulton se nga ora 8:30 deri në 9:30 të mëngjesit kur u vra gjyqtari, në Vlorë janë kryer plot 8 mijë telefonata
Tiranë Hetimet për vrasjen e gjyqtarit pritet të kalojnë këto ditë një sprovë të fortë, e cila ka të bëjë me verifikimin e një fluksi të madh telefonatash që janë kryer në qytetin e Vlorës gjatë momenteve të vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Kur kanë kaluar më shumë se 20 ditë nga vrasja tragjike e gjyqtarit Konomi në qendër të qytetit të Vlorës, Prokuroria për Krime të Rënda ka mundur të saktësojë pistën e konfliktit për motive pronësie, ndërsa tashmë do t’i duhet të përballet me një punë kolosale. Sipas informacioneve të përcjella nga kompanitë celulare, rezulton se mëngjesin e 9 shtatorit, kur ndodhi shpërthimi i tmerrshëm, në qytetin e Vlorës janë kryer plot 8 mijë thirrje telefonike. Këto telefonata, sipas hetuesve, do të verifikohen një për një, derisa të bëhet e mundur gjetja e telefonatës që aktivizoi bombën me celular të vendosur poshtë sediljes së automjetit me të cilin udhëtonte gjyqtari Skerdilajd Konomi. Verifikimet mund të kufizohen vetëm në telefonatat e kryera nga persona të dyshuar si ekzekutorë të gjyqtarit, por edhe ky hetim kërkon punë dhe kohë, sipas ekspertëve. Fillimisht prokurorët dhe hetuesit e çështjes do të përqendrohen te telefonatat e kryera në zonën “Ujë i Ftohtë”-“Skelë”, itinerar ky i përshkruar nga gjyqtari rreth orës 8:30-9:30 mëngjesin e datës 9 shtator. Sipas të dhënave të kompanive celulare, në këtë zonë janë dy antena, të cilat mund të lokalizojnë të gjitha telefonatat e kryera përgjatë këtij harku kohor, kur gjyqtari Konomi ka dalë nga banesa e tij në lagjen ‘Ujë i Ftohtë’ për të shkuar në Gjykatën e Vlorës, e cila ndodhet në qendër të qytetit. Duke qenë se ekzistojnë dyshime se gjyqtari mund të jetë ndjekur nga atentatorët që në momentin e daljes nga shtëpia e deri në vendin ku u realizua shpërthimi me celular, atëherë në “sitë” fillimisht do të kalojnë telefonatat e kryera në këtë zonë. Me anë të tyre hetuesit mund të sigurojnë të dhëna të nevojshme për komunikimet telefonike të të dyshuarve, apo mund të identifikojnë numrin celular i cili i ka telefonuar celularit të lidhur me lëndën eksplozive që ishte vendosu në makinën e gjyqtarit.
Vrasja e Konimit, hetim konflikteve për 157 ha tokë
Prona që ndodhet te Gjiri i Lalzit është pretenduar nga gjyqtari Konomi dhe një tjetër familje, të cilët respektivisht kanë bërë kallëzime penale ndaj njëri-tjetrit. Tashmë dosja e pronësisë ndodhet në Gjykatën e Tiranës
Tiranë Prokuroria e Krimeve të Rënda prej ditësh ka ngushtuar rrethin e konflikteve të pronësisë së gjyqtarit të ekzekutuar më 9 shtator në qendër të qytetit të Vlorës, Skerdilajd Konomi. Pas sekuestrimit të dosjeve në proces, hetimi në prokuroritë e Tiranës dhe të Durrësit, grupi hetimor ka arritur në përfundimin se përplasja më e madhe mes palëve dhe AKKP-së e ka zanafillën që prej vitit 2007. Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 157 hektarësh tokë në Gjirin e Lalzit, e lokalizuar brenda sipërfaqes së madhe, të fituar nga gjyqtari Konomi me vendim të Gjykatës së Lartë. Historia e kësaj prone, e ndodhur e gjitha në një nga zonat më të lakmuara të bregdetit të Adriatikut, sipas burimeve nga grupi hetimor, ka kapërcyer një mori procesesh gjyqësore, derisa ka “ngecur” në një hetim penal në prokurori. Sipas dokumenteve tashmë të sekuestruara, mësohet se në kallëzimin e tij të dorëzuar në Prokurori, gjyqtari Konomi shprehte shqetësimit se kjo tokë u ishte njohur nga Zyra Rajonale e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Durrës që prej vitit 2007. Më pas, statusi i kësaj prone ishte komplikuar, pasi zyrtarë të AKKP-së, në një vendim të dytë, kanë pohuar se kjo sipërfaqe toke i përkiste bashkëshortes italo-sllave të Miltiadh Shallvarit, Sllava Ljubica Maria Amalia Llampo dhe jo trashëgimtarëve të tjerë. Nga verifikimet e kryera prej grupit hetimor në zyrat e AKKP-së, rezulton se aktualisht kjo sipërfaqe toke nuk i përket as trashëgimtarëve të Shallvarit, pjesë e së cilëve është edhe babai i Skerdilajdit, Fotaq Konomi dhe as gruas së tij italo-sllave, por një tjetër familje që ka pretendime për pronësinë. Pretendimet para vdekjes të gjyqtarit Skerdilajd Konomi binin mbi falsifikimin e regjistrit të pronave, fakt ky i verifikuar nga hetimi penal që ishte kryer në Tiranë. Shtrirja gjeografike e 157 hektarëve, e ndodhur brenda tokës së madhe, të trashëguar nga Miltiadh Shallvari, ia ka lehtësuar punën hetuesve të kësaj çështjeje. Nga ana tjetër, rivalët e gjyqtarit Konomi për këtë sipërfaqe toke pretendonin të kundërtën, duke e akuzuar atë po për falsifikim dokumentesh, por edhe për konflikt interesi për shkak të detyrës. Burime të rezervuara pohojnë se nga analizat e kryera rezulton se vendimi i Gjykatës së Lartë i kthente të afërmve të Konomit edhe këtë sipërfaqe toke me pronësi të mbivendosur, çka duket se ka rritur tensionin mes palëve.
Hetimet përqendrohen në Vlorë e Durrës
Tiranë Hetuesit janë rikthyer sërish në vendin e konfliktit, me synimin e gjetjes së ekzekutorëve të Skerdilajd Konomit. Burime nga grupi hetimor bënë me dije për MAPO-n se hetimet për zbardhjen e atentatit të gjyqtarit janë fokusuar në qytetet e Vlorës dhe Durrësit. “Hetimet janë përqendruar në Vlorë dhe Durrës dhe personat që ne mendojmë se janë të dyshuarit kryesorë të kësaj vrasjeje janë po ashtu të përqendruar në këto dy qytete”- pohuan pak ditë më parë burime të rezervuara të gazetës. Të njëjtat burime u shprehën se deri në këtë moment të dhënat mbi këta persona janë operative dhe se më tepër detaje do të jepen vetëm në rast të një evidentimi më të qartë të provave për ta, duke shtuar se të dyshuarit në Durrës kanë lidhje dhe me konfliktin e pronave të Skerdilajd Konomit në Gjirin e Lalzit. Hetuesit nga ana e tyre dyshojnë se në Vlorë mund të jetë ndonjë grup i sprovuar në atentatet me eksploziv dhe në këtë drejtim policia e Vlorës ka marrë detyrë për të punuar për mbledhjen e sa më shumë të dhënave mbi ndonjë punishte apo grup personash që mund të jenë të investuar në këtë aktivitet, si një ndër mënyrat për të zbardhur ngjarjen e vrasjes së gjykatësit, duke u nisur nga ekzekutorët. Sipas burimeve, mësohet se ngjashmëria mes auto-bombës që vrau Skerdilajd Konomin dhe rastit të mëparshëm në Vlorë është përdorimi i tritolit si lëndë shpërthyese. Për këtë arsye, policia e Vlorës aktualisht është investuar tërësisht në gjurmimin e ndonjë grupi që ka aftësi në përdorimin e këtyre lëndëve, ndërsa orientimi për gjetjen e bazave të mundshme në Vlorë të prodhimit të minave me celular ka ardhur nga prokurorët e Krimeve të Rënda.