E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Frikë për jetën dhe pronën, të zbardhet ngjarja”

SHKRUAN: Leonard Bakillari 01-10-2011 11:18

Tiranë 20 ditë pas ngjarjes së rëndë, familjarët e gjyqtarit Skerdilajd Konomi kërkuan nëpërmjet dy letrave drejtuar Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit zbardhjen e vrasjes dhe mbështetjen e krerëve të shtetit për sigurinë e familjes Konomi. Letra e parë i adresohet presidentit Bamir Topi; ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi; dhe zv.kryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. Familjarët e gjyqtarit Konomi shprehin qartë frikën dhe terrorin që ka përcjellë në familjen e tyre vrasja makabre e Skerdit, ngjarje kjo që vazhdon të mbetet e pa zbardhur. Në të dyja letrat e firmosura nga prindërit, bashkëshortja dhe motra e gjyqtarit të vrarë, shprehet dyshimi se procesi gjyqësor për çështjen e pronësisë mund të manipulohet nga personat e interesuar për këtë pronë. Për herë të parë familjarët e gjyqtarit artikulojnë si motiv të vrasjes çështjen e pronësisë për të cilën Gjykata e Lartë u shpreh me vendim në qershor të këtij viti, duke i njohur të drejtën e pronës familjes Konomi. “Duke u nisur nga zotimi juaj se fajtorët për këtë krim makabër do të vendosen përpara drejtësisë sa më parë, ne shpresojmë që më në fund, jeta dhe prona e familjarëve tanë të mbrohen me forcën e ligjit që ju ka veshur me autoritet”- thuhet në letrën e familjes Konomi për kreun e shtetit. Gjashtë anëtarët e familjes i shprehin gati të njëjtën kërkesë edhe kryeministrit të vendit, z.Sali Berisha. “Tashmë që Skerdilajdi nuk ndodhet pranë nesh, ndihemi të pa sigurt për jetën në radhë të parë”- thuhet në letrën adresuar kreut të qeverisë. Frika për jetën e familjes dhe pronat e familjes është prezent në të dyja letrat, aq më tepër kur, sipas familjarëve, ky krim i rëndë mbetet ende pa autor. Sipas tyre, kjo ngjarje e rëndë mund të ketë pasoja edhe në procesin gjyqësor që do të zhvillohet në Gjykatën e Tiranës më datën 3 tetor të këtij viti. “Për sa kohë që krimi mbetet pa fajtorë dhe çështja e pronave e pazgjidhur, ne ndihemi të rrezikuar seriozisht për jetën”- thuhet në letrën drejtuar Topit. Moszbardhja e ngjarjes, sipas familjarëve të gjyqtarit, për më tepër në situatën kur çështja e pronësisë nuk është zgjidhur akoma, mund të jetë me rrezik për familjen Konomi. “Gjithashtu, dyshojmë se procesi gjyqësor në vazhdim do të bjerë preh e manipulimeve të ndryshme, duke na hequr të drejtën mbi pronën, e cila i kushtoi jetën edhe djalit tonë”- shprehen familjarët e gjyqtarit në letrën dërguar Kryeministrit. Për herë të parë, familja Konomi artikulon publikisht si motiv të vrasjes së Skerdilajdit çështjen e pronësisë, të cilën ai e ndiqte prej disa vitesh në rrugë gjyqësore. “Nga çfarë dihet deri më sot, pronat e trashëguara nga familja, të cilat janë njohur dhe nga një vendim i Gjykatës së Lartë, përbëjnë pistën kryesore te hetimeve. Nisur nga kjo, frika jonë është edhe më e madhe tashmë që ndodhemi në pragun e një gjyqi i cili pritet të zhvillohet të hënën, më datë 3 tetor. Pa dashur të hamendësojmë asgjë, kërkojmë që ju të ushtroni të gjithë influencën tuaj që ky proces të zhvillohet sa më i qetë, i rregullt dhe në përputhje të plotë me ligjin”- thonë familjarët e gjyqtarit. Një çështje specifike ku familjarët janë ndalur është procesi gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën e Tiranës, për një pjesë të pronës që tashmë familja Konomi e ka përfituar me vendim të Gjykatës së Lartë. “Frika jonë është edhe më e madhe tashmë që ndodhemi në pragun e një gjyqi i cili pritet të zhvillohet të hënën, më datë 3 tetor. Pa dashur të hamendësojmë asgjë, kërkojmë që ju të ushtroni të gjithë influencën tuaj që ky proces të zhvillohet sa më i qetë, i rregullt dhe në përputhje të plotë me ligjin. Familja jonë kërkon jo vetën mbrojtjen e pjesëtarëve tanë, por edhe të trupit gjykues ndaj presioneve të mundshme”- thuhet në letrën dërguar krerëve të drejtësisë. Ndërsa në letrën drejtuar Kryeministrit të vendit, familjarët e gjyqtarit të vrarë kërkojnë me ngulm që përgjegjësit për këtë tragjedi të dalin para drejtësisë. “Presim që institucionet shqiptare të gjejnë dhe të vendosin para drejtësisë sa më parë përgjegjësit e këtij krimi makabër. Duke ditur kontributin tuaj kyç për shoqërinë shqiptare dhe solidaritetin që keni treguar në këtë rast specifik, influenca juaj mbi institucionet përgjegjëse ka rëndësi të madhe për trajtimin e këtij rasti. Kjo nuk do të lehtësonte vetëm dhimbjen dhe frikën e familjarëve, por do të siguronte dhe qytetarët shqiptarë mbi sundimin e ligjit, të cilit Skerdilajdi i dedikoi jetën dhe karrierën”- shprehen familjarët e gjyqtarit. Duke folur për gjyqin e fituar në Gjykatën e Lartë, familja Konomi thotë se “Ne dyshojmë fuqimisht se vrasja e Skerdilajdit është e lidhur me këtë proces gjyqësor”. Letra dërguar Kryeministrit të vendit mbyllet me çështjen e pronësisë për të cilën familja Konomi fitoi të drejtën në Gjykatën e Lartë dhe frikën për trukim të mundshëm të një tjetër procesi gjyqësor që është duke u zhvilluar në Gjykatën e Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›