E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto: Këmbimi i territoreve, një ide atavike që s’u shërben aspiratave shqiptare

11-10-2011 / Gazeta 55

Në një intervistë për agjencinë informative "Presheva Jonë", zv/kryeministri Edmond Haxhinasto mbështet vijimin e dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që Abetaren e Luginës së Preshevës e cilëson një arritje të madhe të arsimit shqip mbarëkombëtar

Z.zv/kryeministër, kohëve të fundit sikur në mediat kombëtare, ashtu edhe në ato ndërkombëtare, flitet e shkruhet për progrese dhe integrime të shtetit shqiptar, si rezultat i stabilitetin politik dhe ekonomik. Pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe liberalizimit të vizave, mendoni se Shqipërinë do ta kemi së shpejti anëtare të BE-së?
Integrimet ndërkombëtare të vendit tonë janë një objektiv strategjike i shqiptarëve  dhe sigurisht do të ishte ylli polar i të gjitha politikave të qeverisë sonë. Pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, vendi ynë, institucionet tona po punojnë vazhdimisht për integrime, përfshirë këtu edhe anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Por, rruga deri tek anëtarësimi, sikur edhe për vendet tona fqinje ende është shumë e gjatë. Siç e dini që nga prilli i vitit të kaluar, Shqipëria ka parashtruar kërkesën për kandidate për anëtarësim në BE. Bashkë me angazhimin e qeverisë shqiptare si edhe me opozitën, duhet të përqendrohemi më shumë duke realizuar disa kërkesa apo sugjerime do t’i quaja më mirë, nga ana e BE-së siç janë ato 12 prioritetet e parashtruara nga Brukseli, që në një të afërme jo të largët, edhe vendi ynë të jetë anëtar i familje së madhe të Bashkimit Evropian.

Siç e dini në Bruksel po zhvillohen bisedimet me raunde mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërprerje apo shtyrje të herëpas’hershme për shkak të zhvillimeve të nxehta në veri të Mitrovicës. Çfarë prisni nga këto bisedime dhe sa mund t’i kontribuojnë ato stabilitetit politik të marrëdhënieve, së pari mes këtyre dy shteteve, e pastaj edhe të rajonit?
Mendoj se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë jo vetëm se duhet vazhdohet, por edhe ndihmuar nga të gjithë bashkarisht, sepse ky proces do të ishte e vetmja alternativë që dy palët, në këtë rast dy shtetet t’i miratojnë zgjidhjet për një sërë çështjesh që preokupojnë këta dy vendeve. Pra, përmes këtij dialogu me ndërmjetësimin e BE-së besoj se do të zgjidhen një sërë problemesh, proces ky i cili është në favor të përmirësimit të jetës dhe në të mire të qytetarëve të Kosovës dhe të Serbisë. Nga negociatat e derimëtashme, janë bërë disa progrese dhe firmosur disa marrëveshje dhe uroj në mbarëvajtjen e dialogut  mes Kosovës dhe Serbisë, natyrisht duke mos dalë jashtë kornizave që dialogu të merret me çështje teknike dhe jo me çështje politike apo rreth statusit të Kosovës, pasi ai është caktuar njëherë e përgjithmonë dhe aty nuk më kthim mbrapa. 

Kur është fjala tek dialogu mes Kosovës dhe Serbisë përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të pakënaqur me politikën diskriminuese të Beogradit, kanë insistuar që edhe ata të jenë pjesë e këtyre bisedimeve, por ata janë anashkaluar, për çka më vonë, ditëve të fundit pasuan një sërë protestash kundër kësaj politike antishqiptare.  Shkurt z.zv/kryeministër, si e shihni ju perpektivën e këtyre tri komunave të banuara me shumicë shqiptare?
Mendoj se çështjet e Kosovës janë në agjendën e bisedimeve dypalëshe të cilat po monitorohen nga Bashkimi Evropian. Dhe unë nuk do të dëshiroja aspak t’i përzieja problematikat. Sigurisht që çështja e të drejtave të shqiptarëve etnikë në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë është shqetësuese dhe ne vazhdimisht këto zhvillime me mjaft përkushtim po i ndjekim. Por këto të drejta legjitime të shqiptarëve në Luginën e Preshevës kanë edhe rrugën dhe mënyrën e zgjidhjes, e cila nuk është e lidhur drejtpërsëdrejti me Kosovën apo me ndonjë pjesë të saj. Prandaj, unë do të vlerësoja se këto procese nuk duhen ngatërruar me njëra-tjetrën, pasi nuk i shërbejnë vetë zgjidhjes së këtyre problemeve. Mendoj se shqiptarët e Luginës së Preshevës i kanë hapësirat dhe duhet t’i kërkojnë ato aty ku jetojnë dhe veprojnë dhe në mënyrë institucionale. Pra, shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë të drejtë legjitime të kërkojnë dhe realizojnë të drejtat e tyre të garantuara sipas standardeve ndërkombëtare, por gjithnjë përmes rrugës paqësore në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar. Dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës të jenë pjesë e integrimeve të atij rajoni, të jenë pjesë e Evropës, sepse Serbia e cila pretendon një ditë të jetë anëtare e BE-së nuk ka të drejtë t’i mbajë ata të izoluar, meqë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë të drejtë të jenë qytetarë të Evropës.

Në bazë të kësaj përgjigjeje, z.zv/kryeministër, duket se ju kundërshtoni ndarjen e Kosovës apo këmbimin e territoreve, siç po flitet shpesh nga disa qarqe?
Siç e thatë, ndarja e Kosovës apo këmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, për mendimin tim janë një shprehje e tezave të vjetra, arkaike të provuara në kohën e diktatorit serb Milosheviç, projekte këto të dështuara tashmë në rajonin e Ballkanit. Prandaj, shkëmbim territoresh do të thotë të krijojmë shtete etnikisht të pastra, të ndryshojmë kufijtë. Këto teza kanë një histori shumë të dhimbshme në të kaluarën e  Ballkanit. Dhe këto propozime që vijnë nga disa qarqe nuk janë aspak në përputhje me proceset demokratike dhe stabilizimin e rajonit e aq për tepër pro integrimeve evropiane. Pra ato janë teza në rend të parë në dëm të vendeve të rajonit, kur kemi parasysh ndërtimin dhe strukturën e shteteve në Ballkan. Ju e dini mirë se sa ka investuar dhe po investon komuniteti ndërkombëtar për lirinë dhe demokracinë deri tek proceset e integrimeve në tokat shqiptare në Ballkan. Dhe si rezultat i këtij investimi e angazhimi, padyshim kemi sot shtetin më të ri në Evropë – Kosovën. Integriteti i Kosovës, mosndarja e saj, moskthimi i saj para vitit `99, mosbashkimi i saj me një shtet tjetër, kanë qenë në themel të pavarësimit të saj. Dhe mbi këtë bazë qe hartuar plani i Ahtisaarit. Dhe me ketë bazë sot e kanë njohur mbi 80 shtete Kosovën dhe po vazhdojnë ta njohin shtetin më të ri në Evropë. Dhe vendi ynë, Shqipëria, paralel me institucionet e Prishtinës vazhdimisht eshte duke lobuar me vendet tona aleate edhe mike për njohje të shpejtë dhe masive të shtetit të Kosovës, për t’i hapur keshtu rrugën anëtarësimit të saj në Kombet e Bashkuara.  Prandaj, nuk guxojmë dhe nuk mund të devijojmë, të ndryshojmë kodin, kornizën, themelet e pavarësisë së Kosovës dhe të krijojmë një problem, i cili do ishte krejtësisht i panevojshëm dhe nuk do t`i shërbente aspak Kosovës, por do t`u shërbente atyre qarqeve antishqiptare, të cilat përpiqen me të gjithë mënyrat, me fushata të herëpas’hershme për të dëmtuar një profil të ri, një imazh të ri që kanë shqiptarët në rajon, si një komb liridashës,  konstruktiv dhe për fqinjësi të mire.

Siç e dini ardhja e Abetares në Luginën e Preshevës pati jehonë të madhe në mediat tona, por nuk munguan as kritikat aty-këtu rreth saj. Meqenëse deri sot Tirana zyrtare ende nuk ka dalë publikisht me qëndrimet e saj zyrtare rreth kësaj Abetareje, ju si ministër i punëve të jashtme, a mund të na përcillni qëndrimet e Qeverise shqiptare?
Qëndrimet e qeverisë shqiptare mund t’ju them se janë të qarta rreth Abetares për shqiptarët e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës, se ky tekst është legjitim dhe shkollarët lirisht mund ta përdorin për të mësuar shkronjat e para të gjuhës shqipe në trojet e tyre etnike. Në hartimin e kësaj abetare padyshim ne, pra shteti shqiptar ka kontribuar, por natyrisht në bashkëpunim me ambasadorin tonë në Beograd si dhe përfaqësuesit e Luginës së Preshevës të zgjedhur nga popullata juaj atje… Pra, në këto momente është mjaft e rëndësishme që vogëlushët e Luginës së Preshevës të kenë një Abetare shqiptare, po e përsëris Një Abetare Shqiptare, e cila do t’ju mësojë atyre shkronjat, gjuhën e tyre të bukur shqipe sipas standardeve kombëtare që posedojmë edhe në trevat tona. Ministria dhe qeveria jonë konsideron si sukses të vitit praninë e Abetares në mesin e vogëlushëve të Luginës së Preshevës. Retorika rreth kësaj çështjeje, politizimi i Abetares nuk i shërben askujt. Sepse aty ishin dy alternativa: Ose të kishte një Abetare që do të miratohej në mënyrë konsensuale edhe nga përfaqësuesit zyrtarë të arsimit në atë zonë, ose të mos kishte fare asnjë Abetare në gjuhën shqipe për shkollarët shqiptarë të Luginës së Preshevës. Dhe besoj se këtu vetëm njeriu i verbër apo i marrë nuk do të donte ta bënte përzgjedhjen. Pra, për këto momente, unë mendoj se duhet lënë anash politizimi i çështjeve dhe të ecim përpara duke i dhënë prioritet mësimit të shkronjave dhe gjuhës shqipe të standardizuar sipas normave kombëtare, përmes Abetares dedikuar fëmijëve shqiptarë në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë. Në të ardhmen, sigurisht do të ketë vend të arrihet dhe të diskutohet më gjatë për një abetare gjithëkombëtare.
Marrë me shkurtime

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›