Haxhinasto: Mbështesim tranzicionin e popullit libian

Zv.kryeministri dhe njëherësh ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto vijon vizitën e tij në Libi ndërsa sot ai është takuar edhe me homologun e tij libian Ben Khaial.
Gjatë takimit me ministrin Khaial, kreu i diplomacisë shqiptar ka deklaruar se Shqipëria mbështet trazicionin e popullit libian dhe është e gatshme të asistojë Libinë në periudhën e tranzicionit nga diktatura në demokraci.
Haxhinasto ka theksuar se me vizitën e tij në Libi hapet në faqe e re në marrëdhëniet mes dy vendeve ndërsa ka kërkuar gjithashtu edhe njohjen e Kosovës nga Libia.
Nga ana e tij ministri i jashtëm i Libisë Khaial ka falenderuar Shqipërinë për mbështetjen dhe asistencën e dhënë për popullin libian.
Ndërkohë vizita e Zv.kryeministrit dhe ministrit të jashtëm Haxhinasto në Libi është vizita e parë që një funksionar i lartë i qeverisë shqiptare zhvillon në shtetin e Libisë, pas fitores së Revolucionit dhe rrëzimit të regjimit diktatorial të kolonel Gadafit.