E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto: Proporcional kombëtar për zgjedhjet

Sipas tij, nëse sistemi ndryshon nga proporcional rajonal, në atë kombëtar, të paktën të ketë barazi të votës së qytetarëve, kërkesë kjo e bërë prej kohësh nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

"Mënyrat për ta realizuar këtë parim të barazisë së votës, mendoj se janë shumë të qarta nëpërmjet ndryshimit të sistemit drejt atij proporcional, ose nëpërmjet një korrektimi kombëtar, i cili, gjithashtu kërkon që një numër nga postet ose nga 140 vendet e Parlamentit t’i dedikohen pikërisht atyre kutive, të cilët nuk konvertohen në mandate deputetësh në kuadër kombëtar”, theksoi ministri Haxhinasto.

"Mendoj se është një kërkesë shumë e drejtë, e cila me vullnetet përkatëse, në qoftë se ato ekzistojnë, mund të realizohet shumë shpejt, për të përfunduar diçka shumë të rëndësishme në kohë që është reforma zgjedhore, një kusht që tashmë është e qartë për të gjithë, për të avancuar me agjendën e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian", tha zv/kryeministri.

Në lidhje me sistemin zgjedhor që kërkon LSI, Haxhinasto tha se "sistem proporcional të korrektuar kombëtar nuk ka. Ka ose sistem proporcional kombëtar ose sistem duke ruajtur këtë formë me korrektim kombëtar. Njëra ose tjetra, të dyja metodat çojnë drejt një barazie më të madhe vote, pra drejt një përfaqësimi më të drejtë të votës së vullnetit të qytetarëve shqiptarë". 

Ndërsa për çështjen e kufirit detar me Greqinë dhe kthimit të gjyqtarëve shqiptarë në kufi dhe mbi një seancë dëgjimore në komisionin parlamentar që kanë kërkuar deputetët e opozitës, Haxhinasto komentoi se "deri më sot nuk kam marrë asnjë kërkesë për të shkuar në seancë dëgjimore. Të keni parasysh që Ministria e Jashtme është një institucion që bën politikën e jashtme dhe reagon në raste problemesh me subjekte të tjera ndërkombëtare, ndërsa ruajtja e kufijve ka institucione që merren me këtë çështje. Sigurisht që do të përfshihemi dhe do të japim qëndrimin tonë për sa i takon çështjeve që janë relevante për çështjet e kufirit apo për çështjet e marrëveshjeve që duhen konkluduar”. /Start/

                                                                                             2012-04-25 16:41
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›