E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sequi: Më 3 maj Fyle në Tiranë, kërkon rezultate

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, ka cituar Komisionerin Fyle, sipas të cilit, Shqipëria nuk duhet të humbasë më kohë, duhet të përdorë kapacitetet e saj të plota për të dhënë rezultate të rëndësishme në procesin e integrimit. “Është koha të plotësohet zbatimi i marrëveshjes politike të nëntorit, arritjet duhet të përfshijnë konkludimin e shpejtë të reformës elektorale dhe të rishikimit të rregullores së parlamentit, çka do të hapë rrugë për progres në fusha të tjera. Agjenda e BE-së duhet të jetë pjesë e agjendës kombëtare të integrimit, e ndarë mes qeverisë, opozitës, shoqërisë civile dhe çdo qytetari shqiptar, gjithashtu duhet të vazhdojë dialogu gjithëpërfshirës dhe konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës”, tha ambasadori Sequi.
Ai paralajmëroi ardhjen e komisionerit Fyle në Tiranë, më datë 3 maj, teksa vlerësoi takimin e sotëm. “Konsultimi i sotëm vjen në kohën e duhur, sepse bëhet para vizitës së komisionerit Fule në Tiranë më 3 maj, dhe para mbledhjes së Këshillit të Stabilizim Asociimit më 15 maj. Ky konsultim duhet të shënojë arritjet e deritanishme të planifikuara deri në fund të prillit; është e rëndësishme të evidentohen rezultate dhe të tregohet që gjerat po ecin në drejtimin e duhur. Megjithatë, duhet shumë për të bërë, derisa Komisioni të paraqesë progres raportin në vjeshtën e këtij viti”, tha Sequi.
 
“Viti 2012 mund dhe duhet të jetë, viti i mundësive për Shqipërinë në lidhje me rrugën e saj drejt BE-së. Ne jemi këtu për t’ju mbështetur, por progresi varet tërësisht nga Shqipëria, nga vullneti i mirë i gjithësecilit. Ne shpresojmë dhe besojmë, ashtu sikurse është shprehur dhe ministrja Bregu që ky të jetë një vit gëzimi për Shqipërinë, por që të arrihet kjo, kërkohet një angazhim i fortë, serioz, vendosmëri e sinqertë dhe bashkëpunim i plotë”, vijoi ai.
 
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, u shpreh se ka ecuri të mëdha për gjatë këtij muaji në lidhje me zbatimin e Planit të Veprimit.
 
“Besoj se do të marrim një vlerësim sa më realist të detyrimeve të plotësuara. Këto janë periudha të rëndësishme plot me aktivitete, të cilat përballin sfidat e qeverisë dhe të institucioneve shqiptare me detyrime që janë jo vetëm pjesë e planit të veprimit, por edhe me detyrime të tjera që sjell procesi I integrimit cdo ditë”, tha ministrja Bregu.

Gjatë ditës së sotme, sqaroi ajo, diskutohen 5 pikat e para të Planit të Veprimit që janë pjesë e kriterit politik, me fokus reformën zgjedhore dhe rishikimin e rregullores së parlamentit. “Ashtu sikurse kemi premtuar në takimin e mëparshëm konsultativ, sot jemi mbledhur pas rreth një muaji për të parë sesa nga masat e parashikuara në periudhën mars- prill janë realizuar, nëse ka nevojë për shtyrje të mëtejshme, por edhe për të bërë edhe një rivlerësim tjetër të situatës lidhur me Planin e Veprimit. Dihet tashmë që ky është një dokument i hartuar me kontribut të të gjitha palëve, duke siguruar gjithëpërfshirjen në të, të institucioneve shqiptare, ministrive të linjës, Komisionit Parlamentar të Integrimit, shoqërisë civile”, tha ministrja Bregu.

Ajo bëri të ditur për mediat se gjatë këtyre ditëve ka përfunduar edhe hartimi nga pala shqiptare i inputit të parë të progres raportit. “Për materialin e progres raportit, besoj se ka një pritshmëri shumë të madhe, jo vetëm nga ana e Komisionit Evropian, por edhe nga pala shqiptare, sikurse ambasadori Sequi e ka përsëritur sot në mëngjes, jemi ne që kemi në dorë kryerjen e detyrimeve tona, në mënyrë që të prodhojmë zhvillime sa më pozitive dhe lajme sa më të mira. Kështu do ta kemi më të lehtë t’i kërkojmë Komisionit Evropian, vendeve anëtare, strukturave të Parlamentit Evropian që të vlerësojnë këtë vit në shtator hapin tjetër për ecjen përpara të Shqipërisë, pra marrjen e statusit të vendit kandidat. Ne të gjithë besojmë që ky proces varet nga ne vetë, nga ecuria dhe zbatimi i detyrimeve që janë para nesh”, vijoi.
 
Ky takim konsultativ që do të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme, pason takimin e mëparshëm konsultativ të zhvilluar më 3 mars në Ministrinë e Integrimit dhe zhvillohet pas rreth një muaji nga dorëzimi i Planit të Veprimit të palës shqiptare pranë Komisionit Evropian më 21 mars të këtij viti.
 
Në takimin e sotëm, përveç ministres Bregu dhe ambasadorit të delegacionit të KE-së Sequi, ishin të pranishëm bashkëkryetari i Komisionit të reformës zgjedhore Damian Gjiknuri, përfaqësues i opozitës në Komision; bashkëkryetarët e Komisionit të reformës parlamentare Namik Dokle dhe Jemin Gjana, respektivisht përfaqësues i opozitës dhe mazhorancës në Komision; kryetari i Komisionit Parlamentar te Integrimit Ditmir Bushati, si dhe përfaqësuesit e delegacionit të Komisionit Europian i kryesuar nga Shefi i njësisë për Shqipërinë pranë drejtorisë së Zgjerimit të Komisionit Europian, Vassilis Maragos. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-04-25 17:35
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›