Haxhinasto, deklarata e parë si kreu i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës
Zv/kryeministri dhe njëherësh ministri i Jashtëm shqiptar, ka shprehur indinjatën ndaj masakrave të fundit në Siri
Kryetari i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, Edmond Haxhinasto, shprehu indinjatën e tij në lidhje me masakrat e kryera në Siri, sidomos ato në qytetin e Haoulas, ku mbi 90 njerëz humbën jetët e tyre, shumë prej të cilëve ishin fëmijë, njofton zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme.
Haxhinasto bashkohet në këtë mënyrë me qëndrimin e Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara për dënimin e këtyre ngjarjeve të tmerrshme, të cilat janë një dëshmi e qartë e shpërfilljes, nga ana e regjimit sirian, ndaj planit prej gjashtë pikash të hartuar nga i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara dhe Lidhjes së Shteteve Arabe, Kofi Anan.
Kryetari i Komitetit të Ministrave nxit autoritetet siriane për ti dhënë menjëherë fund veprimeve luftarake kundër popullsisë civile, tërheqjen e ushtrisë, si dhe lejimin e vëzhguesve të OKB-së të kryejnë punën e tyre pa asnjë pengesë. Ai solidarizohet me popullin sirian dhe kujton se është detyra e një qeverie të mbrojë popullin e saj.
Haxhinasto, deklarata e parë si kreu i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës burimi: Gazeta Shqip