Dyshime për falsifikim të 70 për qind të firmave të peticionit kundër importit të plehrave
Gjykata Kushtetuese shqyrton kërkesën për organizimin e referendumit për ndalimin e importit të plehrave
Gjykata Kushtetuese shqyrtoi dje kërkesën për zhvillimin e një referendumi për ndalimin importit të plehrave.
Kushtetuesja ka marrë në shqyrtim kërkesën e një grupi ambientalistësh për shfuqizimin një pjese të ligjit për importimin e plehrave. “Shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese i kushtetutshmërisë së kërkesës për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm për shfuqizimin e një pjesë të Ligjit nr. 10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, thuhet në objektin e kërkesës së dërguar në Gjykatë Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese ka dëgjuar të gjitha palët, lidhur me kërkesën e shoqërisë civile për ndalimin e importit të mbetjeve për riciklim dhe kalimin e kësaj çështjeje me referendum.
Përfaqësues të qeverisë dhe të Kuvendit u shprehën se pranimi i kërkesës së ambientalistëve do të sjellë efekt të kundërt, duke krijuar hapësira që në vend të hyjnë më shumë mbetje të riciklueshmme, nga vetëm 25 që lejon ky ligj.
Avokati i Kryeministrisë Ivi Kaso ka pretenduar se nëse hiqet neni 49 i ligjit për menaxhimin e mbetjeve të integruara atëherë do të ketë liberalizim të importit të mbetjeve, duke e kthyer Shqipërinë shumë vite pas. “Miratimit të kërkesës së tyre dhe rrjedhimisht edhe shfuqizimit me anë të referendumit të nenit 49. Kjo përkon edhe një herë me qëllimin e tyre ndoshta tinëzar, për ta rikthyer situatën para vitit 2002, në të cilin të kemi një lejim të përgjithshëm të ligjit për import të mbetjeve jo të rrezikshme, të garantuar nga neni 48, pika 3, jo për qëllim asgjësimi dhe ajo që ëndërrojnë ata mungesën e një kuadri nënligjor, i cili detajon të ashtuquajturën listën e gjelbër, pra materialet, të cilat lejohen të importohen”, u shpreh Kaso.
Edhe zëvendësministri i Mjedisit Taulant Bino tha se heqja e nenit 49, liberalizon tregun e importit të mbetjeve, i cili aktualisht është i reduktuar brenda kufijve të listës së gjelbër.
“Kërkesa për referendum, pavarësisht shtrimit të saj në parim, po të lexohen nenet në fjalë, çon në liberalizim të listës në 550 elementë dhe çon në derregullim të gjithë procesit kontrollues. Nëse bie neni 49 nuk ndalohet importi i mbetjeve. Importi i mbetjeve është i përcaktuar në nenin 48, i cili thotë që lejohet importi i mbetjeve të parrezikshme, për sa kohë ato nuk shërbejnë për qëllime as të ruajtjes dhe as asgjësimi, por lejohet për qëllime të tjera”, tha Bino.
Në seancë ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga KQZ-ja dhe Ministria e Mjedisit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi në qershorin e 2012 të shtyjë për këtë vit zhvillimin e referendumit. Përfaqësuesja e KQZ deklaroi se 70 për qind e firmave të peticionit kundër importit të plehrave ishin nga i njëjti person.
Avokatët e Shoqërisë Civile kanë theksuar se kërkohet ndalimi i importit të mbetjeve të cilat janë të pa kontrolluara dhe që nga viti në vit janë rritur në mënyrë të ndjeshme, sipas raporteve të vetë Ministrisë së Mjedisit. Një prej avokatëve të ambientalistëve në emër të tyre ka shprehur kundërshtimet në lidhje me importin e mbetjeve të rrezikshme nga vendet e tjera drejt Shqipërisë.