E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto ftese Korese se Jugut Ejani dhe investoni ne Shqiperi

Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, në vazhdim të vizitave zyrtare në Azi, vizitoi Republikën e Koresë së Jugut dhe pati një takim të veçantë me ministrin e Punëve të Jashtme, Kim Sung-Huan.

Në takim u diskutua mbi forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimin në organizatat ndërkombëtare, si dhe mbi zhvillimet në rajonet respektive.

Në fillim të takimit, Haxhinasto vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve dhe siguroi palën koreane për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për t’i forcuar dhe zhvilluar ato edhe më tej në të ardhmen, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Ai vlerësoi progresin e arritur nga Republika e Koresë, duke veçuar atë në fushën ekonomike dhe theksoi se modeli korean përbën një model që duhet të ndiqet edhe nga vendet e tjera në zhvillim.

“Bashkëpunimi midis dy vendeve duhet të zhvillohet më tej, tha Haxhinasto, në fusha prioritare si energjia, turizmi, burimet minerare, energjia e rinovueshme, etj. E rëndësishme, është që të krijojmë të gjitha strukturat dhe mundësitë që komunitetet e biznesit të dy vendeve të jenë sa më afër njeri-tjetrit, për të identifikuar fushat dhe projektet me interes të ndërsjellë”.

Për këtë gjë, dy bashkëbiseduesit ranë dakord që të nënshkruajnë një marrëveshje për mbajtjen e takimeve të komisioneve të përbashkëta.

Me të njëjtën rëndësi, u konsiderua nga bashkëbiseduesit edhe organizimi i forumeve të përbashkëta të biznesit.

Në vazhdim, Haxhinasto përsëriti ftesën për biznesin korean që të vijë dhe të investojë në Shqipëri, sepse kështu investojnë në një rajon që në të ardhmen do të jetë pjesë e tregut të Bashkimit Evropian..

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm korean Kim Sung-Huan tha se marrëdhëniet midis dy vendeve kanë njohur zhvillime të rëndësishme, por duhet të forcohen edhe më tej në të ardhmen.

Bashkëpunimi në fushat e identifikuara është një hap i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar.

Duke iu referuar këtij bashkëpunimi, Huwan shprehu interes mbi portet detare në Shqipëri dhe në përgjithësi për infrastrukturën e transportit në Shqipëri dhe rajon.

“Duke patur parasysh se çdo vit janë rreth 15 milion turistë koreanë, një pjesë e të cilëve kanë Evropën si destinacion turistik, madje edhe vende afër Shqipërisë, futja e Shqipërisë në itineraret e tyre turistike duhet të jetë pjesë e agjendës sonë të përbashkët”, tha ai.

Për këtë, u tha në takim, duhet që të krijohen të gjitha mundësitë dhe lehtësitë që operatorët turistikë të dy vendeve të bashkëpunojnë midis tyre.

Duke shprehur mirënjohjen për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana Republikës së Koresë, Ministri Haxhinasto kërkoi që të dy vendet të bashkëpunojnë që të ndihmojnë dhe asistojnë këtë shtet të ri në Ballkan për përparim dhe zhvillim ekonomik, si dhe të bëhet pjesë e organizatave rajonale dhe familjes ndërkombëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›