Haxhinasto merr garanci nga Fratini për statusin në BE
Eljona Ballhysa
Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, është takuar dje në Romë me homologun Franko Fratini duke marrë mbështetjen e Italisë në procesin e integrimit të vendit. “Italia do vazhdojë të mbështesë fuqishëm integrimin e Shqipërisë në BE. Në Shqipëri Parlamenti funksionon normalisht dhe për këtë duhet të njihen arritjet nga BE-ja”, - është shprehur Fratini gjatë takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto. “Shqipëria ka luajtur një rol për t’u vlerësuar në rajon”, - shtoi kryediplomati italian. Ndërkohë, Haxhinasto ka falënderuar homologun e tij për mbështetjen në procesin e liberalizimit të vizave. Kjo deklaratë e Fratinit është një mbështetje e fortë për Shqipërinë, që vjen vetëm pak ditë pas deklaratës së bërë nga përfaqësuesi i Komisionit Europian, Patricio Fiorili, i cili foli në emër të kabinetit të komisionerit për Zgjerimin, Shtefan Fyle. Sipas zëdhënësit i KE-së, procesi i integrimit të Shqipërisë në BE vazhdon të mbetet i ndërprerë për shkak të moszgjidhjes së krizës politike në vend. Ai tha se fati i statusit të vendit kandidat në BE do të përcaktohet vetëm në rast se arrihet një marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Sipas Fiorilit, mungesa e një marrëveshjeje konsensuale mban larg integrimin e Shqipërisë në BE. “Për ne ky është një lajm i keq, sepse, siç e dini, procesi i aderimit në Bashkimin Europian është ndërprerë për mungesë të marrëveshjes për zgjidhjen e krizës politike. Sigurisht që do të ketë përpjekje të tjera, por ky rast nuk u shfrytëzua në mënyrë që në Parlament të punohet së bashku. Kështu që procesi i integrimit mbetet i ndërprerë”, - është shprehur përfaqësuesi i Komisionit Europian.
Mbështetja
“Kriza politike në Shqipëri nuk ka penguar qeverinë e Tiarnës që të bëjë prgres në rrugën e saj drejt BE-së”, - është shprehur dje pas takimit me Haxhinaston, ministri i Jashtëm italian Fratini. Pas miratimit të vendimit për liberalizimin e vizave më 15 dhjetor 2010, Shqipëria duhet të plotësojë 12 kushte të vëna nga BE për të marrë statusin e vendit kandidat. Në këtë këndvështrim Fratini ka “rikonfirmuar edje njëherë mbështejen e fortë të qeverisë italiane për marrjen e statusit të kandidatit në BE-së nga Shqipëria”. Deri tani refuzimi i kandidaturës nga Brukseli është bërë për shkak të krizës së tejzgjatur politike në vend. Por, sipas Fratinit, “është e nevojshme t’i shpjegohet opinionit publik dhe shtypit ndërkombëtar se çfarë nënkupton kriza politike në Shqipëri”. Sipas tij, “gjatë vitit të fundit ka munguar dialogu mes pozitës dhe opozitës, por nuk është aspak e vërtetë që Parlamenti nuk ka funksionuar. Parlamenti ka punuar dhe qeveria ka bërë progres në rrugën drejt BE-së”, - është shprehur Fratini.
Bashkëpunimi
Ndërkaq, ministri Haxhinasto tha se kjo vizitë e tij zyrtare në Itali bëhet në kuadër të intensifikimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera mes Republikës së Shqipërisë me Republikën e Italisë. Ai deklaroi se në takimet që do të ketë me zyrtarë të lartë të shtetit italian do të firmosë marrëveshje shumë të rëndësishme të bashkëpunimit në të gjitha fushat midis dy vendeve, sidomos në ekonomi dhe energjetikë. Sipas Haxhinastos, shteti italian do të marrë angazhimin për të mikpritur diplomatë shqiptarë, pikërisht në ato vende ku Republika e Shqipërisë nuk ka përfaqësim dhe nëpërmjet kësaj ndërhyrjeje Shqipëria rrit përfaqësimin e saj dhe realizon apo zhvillon të gjitha ato detyra që i ka vënë vetes për përmirësimin dhe intensifikim e marrëdhënieve dypalëshe me të gjitha vendet e botës. Ministri i Jashtëm tha se përtej kësaj marrëveshjeje, bashkëpunimi dypalësh mes Italisë fqinje dhe vendit tonë është shumë më i gjerë. Sipas tij, Shqipëria me Italinë ka një partneritet strategjik. Italia është një partnere vërtet shumë e rëndësishme për Shqipërinë, për të mbështetur së pari proceset e saj integruese. “Italia ka qenë një mbështetëse e jashtëzakonshme përsa i takon çështjes së liberalizimit të vizave, gjithashtu ajo vazhdon dhe mbështet pa asnjë rezervë procesin e integrimit në Bashkimin Europian të Shqipërisë dhe është një nga mbështetëset më të mëdha për marrjen e statusit kandidat”, - vijoi Haxhinasto. Duke u ndalur te bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve, ministri i Punëve të Jashtme e konsideroi atë si një fushë shumë të rëndësishme që ka pjesë të rëndësishme të axhendës dypalëshe. “Italia është investitori më i madh në Shqipëri, është donatori i tretë për nga rëndësia. Një pjesë të projekteve të rëndësishme të infrastrukturës janë të financuara dhe të mbështetura nga Italia”, - tha Haxhinasto. Ai deklaroi se në bashkëbisedim me Franko Fratinin është theksuar dhe nënvizuar bashkëpunimi në fushën energjetike. Sipas tij, është shtruar domosdoshmëria e një lidhjeje të drejtpërdrejtë interkonjeksioni midis Shqipërisë dhe Italisë. Është marrë mbështetja e Italisë gjithashtu për kalimin e rrjeteve më të rëndësishme të energjisë nga Lindja drejt Perëndimit.
Konferenca e kryetarëve miraton kalendarin trejavor të punimeve
Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare zhvilloi dje mbledhjen e parë për vitin 2011. Gjatë kësaj mbledhjeje, pas diskutimeve, krerët e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike, Partisë Socialiste dhe asaj të Lëvizjes Socialiste për Integrim miratuan programin e punës për periudhën 17 janar-17 mars 2011, si dhe kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit. Konferenca e Kryetarëve u mblodh nën drejtimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Të pranishëm në mbledhje ishin kryetarët e grupeve parlamentare, zëvendëskryetarët e Kuvendit, si dhe kryetarët e komisioneve të përhershme parlamentare. Gjatë mbledhjes u diskutua lidhur me programin e punës për periudhën 17 janar-17 mars 2011, si dhe kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit. Pas diskutimeve, Konferenca e Kryetarëve miratoi programin dhe kalendarin e paraqitur.
Klosi: “Djegia e fletëve, PS-ja do të përshkallëzojë aksionin opozitar”
Deputeti socialist, Blendi Klosi, tha dje se djegia e fletëve të votimit nuk i jep fund krizës politike në vend, përkundrazi, e thellon më tej atë. Gjatë një deklarate për shtyp Klosi e ka akuzuar Berishën si shkaktar të krizës në vend, ndërsa ka bërë të ditur se PS-ja do të përshkallëzojë aksionin opozitar. “Është bërë tanimë e qartë për të gjithë që Sali Berisha ka humbur përfundimisht çdo lidhje me realitetin. Vetëm një njeri pa lidhje me realitetin si kryeministri ynë i votave të vjedhura, mund të besojë se Shqipëria sot nuk është në një nga krizat më të rënda të tranzicionit të saj, të cilën e ka shkaktuar dhe e ka thelluar Sali Berisha. Vetëm një kryeministër në delir, pa lidhje me realitetin, mund të besojë se duke djegur forcërisht fletët e votimit dhe duke u përpjekur në shkelje të plotë të ligjit të varrosë listat e zgjedhësve për 25 vjet do të arrijë të mbyllë krizën. Këto veprime jo vetëm që do të çojnë në një përshkallëzim të krizës dhe aksionit opozitar, por edhe rëndojnë shumë pozitën ligjore të Sali Berishës dhe të ushtarëve të pushtetit të tij”, - është shprehur Klosi. Ai bëri thirrje për largimin sa më parë nga pushtetit të Berishës dhe qeverisë së tij. “Sali Berisha duhet të largohet sepse ai është kthyer sot në një kosto të papërballueshme për shqiptarët dhe për demokracinë shqiptare. Sali Berisha duhet të largohet sepse sot ai është kthyer në strumbullarin e një korrupsioni të shndërruar në sistem, në krye të të cilit qëndron vetë ai dhe familja e tij politike e biologjike. Sali Berisha duhet të largohet sepse ndërkohë që ai dhe të tijtë pasurohen duke vjedhur e grabitur, qytetarët shqiptarë vuajnë varfërinë e rritjen e çmimeve, duke filluar që nga çmimi i bukës, ilaçet, ushqimet, frutat, zarzavatet, mielli, vaji e çdo mall e shërbim që mund të imagjinohet. Djegia e fletëve dhe përpjekja për të fshehur listat e votuesve janë thjesht tregues të makthit që ka Sali Berisha nga zbardhja e të vërtetës së 28 qershorit dhe prova përfundimtare se zgjedhjet u vodhën”, - është shprehur Klosi.
Felaj: “Ruli ka shkelur ligjin duke bërë favorizime në koncesionet e HEC-eve”
Pas heshtjes së ish-ministrit të Energjetikës Genc Ruli ndaj pyetjeve të drejtuara për disa ditë me radhë nga deputetja socialiste Ermonela Felaj, kjo e fundit ka zbardhur dje shkeljet ligjore të ish-ministrit në dhënien me koncesion të hidrocentralit Bënçë-Progonat. Sipas Felajt, për dhënien me koncesion të ndërtimit të hidrocentralit Bënçë-Progonat janë zhvilluar dy gara të parregullta. “Në të dyja këto gara, Këshilli i Ministrave ngarkon me detyrën e kontraktuesit për dhënien me koncesion të ndërtimit të hidrocentraleve në pellgun ujor Bënç-Progonat, pikërisht Ministrinë e Energjetikës, asaj kohe të drejtuar nga vetë ministri Genc Ruli. Në garën e parë morën pjesë disa shoqëri. Njëra prej shoqërive pjesëmarrëse, më konkretisht shoqëria italiane ‘Radici Energie spa’, i ka kërkuar paraprakisht METE-s sqarim lidhur me kushtet hidroteknike që parashikoheshin në dokumentet standarde të procedurës konkurruese për këtë koncesion, dhe konkretisht shoqëria ka kërkuar sqarim nëse kishte kufizime në numrin e objekteve dhe nënobjekteve hidroenergjetike që mund të vendoseshin mbi aksin e lumit Bënçë. Por, respektimi i kësaj direktive të përpiluar nga vetë METE rezultoi fatal për kompaninë në fjalë, sepse pikërisht respektimi i kësaj direktive shërbeu si sebep për skualifikimin nga gara të kësaj shoqërie”, - është shprehur Felaj. Sipas saj, “në përputhje të plotë me ligjin, shoqëria e skualifikuar ‘Radici Energie spa’ i drejtohet Avokatit të Prokurimeve dhe Agjencisë së Prokurimeve për të apeluar vendimin e Ministrisë së Genc Rulit. Po çfarë ndodh? Ndodh që një garë tjetër shfaqet në horizont, pra ndodh çudia e radhës. Hapet një garë e re për këtë koncesion, për të favorizuar një tjetër kompani, e cila, me ç’tregojnë dokumentet, gëzonte mbështetje të fuqishme në Ministrinë e Genc Rulit”, - është shprehur deputetja e PS-së.
11 Janar 2011