E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i Martit, Berisha e Tadiç përplasen në Strasburg



Eljona Ballhysa
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, pritet të përballen në sesionin parlamentar të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, që do t’i çelë punimet më 24 janar. Dy drejtuesit e lartë do të jenë të pranishëm gjatë debatit që do të zhvillohet në këtë Asamble në lidhje me raportin e propozuar nga anëtari Asamblesë, Dik Marti. Së fundi është publikuar axhenda e punimeve të sesionit të parë për vitin 2011 të Asamblesë së KiE-së dhe janë parashikuar dy data të ndryshme për pjesëmarrjen e dy kryeministrave. Kështu, kryeministri i Shqipërisë do të jetë i pranishëm dhe do t’i drejtohet më një fjalim Asamblesë në datën 27 janar, ndërsa Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, do të jetë i pranishëm një ditë më përpara, pra më 26 janar. Raporti i Martit rendit disa akuza të forta për klasën politike shqiptare dhe kosovare, që lidhen me pjesëmarrje në trafik armësh dhe organesh njerëzore. Shqipëria dhe Serbia kanë mbajtur qëndrime diametralisht të kundërta në lidhje me këtë raport. Kështu, faktori shqiptar e ka cilësuar raportin e Martit të bazuar në thashetheme të gatuara nga qarqet ultranacionaliste serbe. Por ajo që është vlerësuar ka qenë qëndrimi i qeverisë shqiptare dhe asaj kosovare për të pranuar çfarëdolloj hetimi ndërkombëtar për këto akuza.
Axhenda
Në bazë të axhendës, Asambleja Parlamentare e KiE-së i nis punimet në datën 24 janar, me mbledhjen e Byrosë së Asamblesë, të grupeve parlamentare dhe me hapjen e sesionit të parë për vitit 2011 nga anëtari më i vjetër i Asamblesë. Më pas pritet të zgjidhet presidenti i ri i Asamblesë dhe zëvendëspresidenti. Në bazë të axhendës, po këtë ditë nisin punën komisionet parlamentare dhe miratohet axhenda. Në datën 25 janar është parashikuar mbledhja e Komisionit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut, që do të diskutojë pikërisht për trajtimin çnjerëzor të njerëzve dhe trafikun e organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë. Raportues për këtë çështje do të jetë anëtari zviceran i Asamblesë së KiE-së, Dik Marti. Afati i fundit për të paraqitur amendamente nga pala shqiptare, e cila është kundër raportit të Martit, është data 24 janar, ora 16:00. Pas raportimit të Martit në Komision do të ketë debate dhe më pas raporti i tij do të hidhet për votim. Në bazë të axhendës, ditën e mërkurë, më 26 janar, është parashikuar debat për detyrimin e shteteve anëtare të Këshillit të Europës për të bashkëpunuar në ndjekjen penale të autorëve të krimeve të luftës. Një tjetër çështje që do të diskutohet është pajtimi dhe dialogu politik midis vendeve të ish-Jugosllavisë. Pikërisht për këto çështje do të mbajë një fjalim Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç. Të enjten, më datë 27 janar, është parashikuar zhvillimi i një seance diskutimi e debati. I pranishëm për t’iu drejtuar Asamblesë së KiE-së me një fjalim do të jetë edhe kryeministri shqiptar, Sali Berisha. Asambleja e KiE-së do t’i mbyllë debatet ditën e premte, më datë 28 janar, me një mbledhje të Byrosë, ku pritet të votohet edhe një projektrezolutë për çështjet e diskutuara përgjatë pjesës së parë të sesionit të ri parlamentar.
Ftesa
Pavarësisht qëndrimit ekstremisht të kundërt për raportin e Dik Martit, kohët e fundit Shqipëria dhe Serbia kanë shfaqur shenja afrimiteti dhe bashkëpunimi, veçanërisht në fushën e diplomacisë. Shkrirja e akujve midis dy vendeve nisi pak muaj më parë, kur ish-ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, zhvilloi një vizitë në Serbi, gjatë së cilës i transmetoi presidentit serb ftesën e kryeministrit Berisha për të vizituar së shpejti Shqipërinë. Pas kësaj vizite erdhi dhe reagimi i parë i Diplomacisë serbe. Presidenti Tadiç iu përgjigj pozitivisht ftesës së Berishës dhe deklaroi se do të vizitojë së shpejti Shqipërinë. Të dyja shtetet janë shprehur se pavarësisht qëndrimeve të ndryshme që mbajnë për çështjen e Kosovës, kjo nuk do të bëhet pengesë për zhvillimin e marrëdhënieve me interes të përbashkët, veçanërisht tregtare, midis dy vendeve.

Sot pritet të mblidhet delegacioni shqiptar pranë Asamblesë së KiE-së

Në prag të mbledhjes së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku do të votohet projektrezoluta e hartuar mbi raportin e deputetit Dik Marti, gjatë ditës së sotme është njoftuar të zhvillohet një mbledhje e anëtarëve pjesëmarrës në delegacionin shqiptar të Asamblesë së KiE-së. Mbledhja në fjalë ishte parashikuar të zhvillohet gjatë ditës së djeshme, por burimet bënë të ditur se është shtyrë për t’i zhvilluar sot. Mësohet se pas kësaj nisme qëndron vetë kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Në mbledhje pritet që të diskutohet për qëndrimin e përbashkët që do të mbajnë deputetët shqiptarë, pavarësisht kaheve politike, gjë që është kërkuar edhe nga opozita në Shqipëri. Të pranishëm në mbledhje pritet të jenë anëtarët e PD-së dhe të PS-së, duke filluar me kryetarin e delegacionit, Ilir Rusmali, me deputetët Shpëtim Idrizi, Lajla Pernaska e
Arben Ahmetaj. Mësohet se do të jenë të pranishëm dhe anëtarët zëvendësues, si
Mesila Doda, Kastriot Islami e Arenca Trashani. Deputetët shqiptarë do të bashkërendojnë qëndrimet që do të mbajnë në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, si dhe do të hartojnë amendamentet për projektrezolutën e bazuar mbi raportin e Dik Martit. Amendamentet e palës shqiptare duhet të depozitohen pranë Asamblesë Parlamentare të KiE-së brenda datës 24 janar, megjithëse debati për këtë çështje do të diskutohet një ditë më parë, pra më 25 janar. Vetë projektrezoluta kërkon hetim ndërkombëtar dhe kombëtar nisur nga ajo çka flitet për zhdukje personi, trafik organesh, trafik armësh dhe droge në Kosovë, ku akuzohet të jetë përfshirë edhe një pjesë e klasës politike kosovare. Shqiptarët kanë vlerësuar se më shumë se shqetësimi për të bërë drejtësi, raporti dhe projektrezoluta synojnë të dobësojnë institucionet legjitime të Kosovës së pavarur. Ajo që është e rëndësishme të theksohet është fakti se i gjithë faktori politik shqiptar dhe kosovar ndajnë të njëjtin qëndrim në lidhje me këtë çështje, duke u shprehur kategorikisht kundër akuzave të bëra në këtë projektrezolutë.

Doda: “Drejtësia shqiptarë është bërë palë me krimin”

Deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, ka hedhur dje akuza të rënda ndaj organeve të drejtësisë, të cilat, sipas saj, janë bërë palë me krimin e rrugës në mbrojtje të bllokmenëve të rinj. Deklarata e Dodës lidhet me lirimin e djalit të deputetes Arta Dade. “Gjatë ditëve të kaluara patëm rastin të shihnim reagimin e pashembullt të Drejtësisë shqiptare, e cila, si asnjëherë tjetër, u bë palë politike me krimin e rrugës së brezit të ri të bllokmenëve të vjetër. Për opinionin publik shqiptar dhe për organet e drejtësisë, emri i djemve të deputetes socialiste Arta Dade nuk është i panjohur. Partia Demokratike ka denoncuar rekordet e tyre mafioze edhe më parë, në lidhjet me bandën ‘Hakmarrje për drejtësi’, ka denoncuar rastin e plagosjes së mëparshme të një shtetasi dhe përgjakjes së fundit në mes të Bllokut, pranë strehës së vjetër të familjes së tyre politike. Me sa duket, të gjitha kambanat e alarmit që bien për personat e veshur me pushtet, po bien në vesh të shurdhër”, - është shprehur Doda, e cila akuzoi drejtësinë shqiptare për aleancë me pushtetin politik të PS-së. “Banditizmi i brezit të ri të bllokmenëve të vjetër tashmë është një fakt përpara syve të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Mbrojtja publike e banditizmit nga pushteti politik i prindërve është tregues i aleancës që individë të Drejtësisë shqiptare nuk kanë shtrënguar me krimin politik. Partia Demokratike kërkon reagimin e menjëhershëm të instancave përkatëse për të vënë në vend drejtësinë dhe për të treguar para shqiptarëve se çdo individ është i barabartë përpara ligjit”, - është shprehur Doda.

11 Janar 2011

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›