Gërdeci rindez konfliktin mes Gjykatës dhe Dhomës së Avokatisë
TIRANË - Zvarritja pa fund e procesit të Gërdecit ka rindezur konfliktet mes Gjykatës së Tiranës dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Seanca e parashikuar për t’u zhvilluar ditën e hënë është shtyrë sërish, duke shënuar një rekord bllokues: 15 seanca të pazhvilluara, ku në shumicën e rasteve nuk kanë qenë të pranishëm avokatët. Procesi në ngarkim të 29 të akuzuarve si përgjegjës për tragjedinë e 15 marsit 2008, e cila u mori jetën 26 qytetarëve të pafajshëm, vazhdon me ritme tejet të ngadalta edhe për shkak të numrit të madh të personave të vënë në akuzë. Kjo e ka detyruar Gjykatën e Tiranës që t’i dërgojë zyrtarisht në letër Dhomës Kombëtare të Avokatisë, ku kërkohet penalizmi i avokatëve që bojkotojnë seancat.
Letra
“Kërkojmë penalizmin e avokatëve që zvarritin procesin e Gërdecit”. Me këto fjalë i është drejtuar trupi gjykues që drejton gjyqin në ngarkim të personave të vënë nën akuzë për tragjedinë e tre vjetëve më parë. Seanca e djeshme u shty pasi mungonin dy avokatët mbrojtës të njërit prej të dyshuarve kryesorë të tragjedisë së rëndë, Mihal Delijorgji, por dhe avokatët e dy të pandehurve të tjerë, Dashnor Çaushi dhe Latif Shatro. Njëri prej avokatëve paraqiti në seancë një raport mjekësor ku thuhej se kishte probleme shëndetësore, çka bënte të pamundur dhe paraqitjen e tij në seancë. Edhe prokuroria ka akuzuar avokatët se po zbatojnë një skenar për bllokimin e procesit dhe një taktikë për të liruar të pandehurit nga masa e paraburgimit.
Bllokimi
Gjyqi ndaj 29 të akuzuarve nuk zhvillohet prej tetorit të 2010-ës dhe shkak janë bërë mbrojtësit e kërkesat e tyre të vazhdueshme dhe duket se masat e marra nga gjykata nuk po japin më asnjë efekt. Superprocesi po zhvillohet prej më shumë se një viti në Gjykatën e Tiranës. Për shpërthimin e fabrikës së demontimit në Gërdec, që u mori jetën 26 personave, janë nën akuzë biznesmenë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes. Paralelisht me procesin në Shqipëri, një proces i ngjashëm u hap edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku vetëm pak ditë më parë, Gjykata në Majami dënoi presidentin e AEY-së, Efraim Diveroli, përfitues i kontratës 300 milionë dollarëshe në Pentagon për blerjen e municioneve për ushtrinë afgane. Djaloshi 25-vjeçar e pranoi fajin, pasi kishte blerë municione të skaduara kineze në depot e ushtrisë dhe u dënua me 4 vjet burg dhe një gjobë financiare. Krejt ndryshe po zhvillohet procesi në Shqipëri ndaj personave të vënë nën akuzë për tragjedinë e Gërdecit.
Droga në mjediset studentore, kapet në flagrancë studenti
TIRANË – Policia e kryeqytetit ka sekuestruar dje një sasi prej 2.5 kilogramësh lëndë narkotike, e llojit marijuanë, gjatë aksionit të koduar me emrin “Studenti”. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Tiranës bëjnë të ditur se janë arrestuar në flagrancë shtetasit Ardian Caci, 20 vjeç, lindur në Tiranë e banues në Sarandë, student pranë një fakulteti jopublik në kryeqytet, dhe Azem Veseli, 19 vjeç, banues në Tiranë. Burimet zyrtare thanë se arrestimi i këtyre shtetasve u bë i mundur në afërsi të kryqëzimit në Laprakë, pasi gjatë hetimit u konkludua se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, këta persona dispononin këtë lëndë narkotike, me peshë 2 kg e 500 gr. Droga ishte e ndarë në pako njëkilogramëshe. Lënda narkotike kishte për destinacion shitjen dhe shpërndarjen në tregun e Tiranës, pranë ambienteve studentore.
Gjatë fundjavës policia organizoi dy operacione në Tiranë dhe Gjirokastrës, ku sekuestroi 330 kilogramë lëndë narkotike dhe arrestoi 3 persona. Burimet policore sqaruan se vazhdojnë kërkimet për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në rastet e trafikimit të Cannabisit jashtë Shqipërisë.
Lezhë, grabitësit lidhin të moshuarën, i marrin paratë
LEZHË - Një grabitje është shënuar në Lezhë, në banesën e një të moshuareje. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në fshatin Lal i Ri, ku persona të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e së moshuarës me qëllim grabitjen. Pasi e kanë lidhur zonjën e shtëpisë, e cila jetonte vetëm, grabitësit kanë kontrolluar të gjithë shtëpinë, derisa kanë gjetur një sasi parash, të cilat i kanë marrë. Sipas policisë, menjëherë pas grabitjes autorët janë larguar duke lënë ende të lidhur të moshuarën, por nuk kanë ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Ndërkaq, vijojnë hetimet për të identifikuar dhe arrestuar grabitësit.
HISTORIA
Gjykata konfirmon vrasjen e shqiptares nga bashkëshorti italian
ROMË - Gjykata italiane konfirmoi dje akuzën dhe arrestimin e shtetasit Françesko Kuinçi për vrasjen e bashkëshortes së tij shqiptare, Rajmonda Zefi. Gjykatësi që mbikëqyri hetimet e para konfirmoi të rregullt arrestimin e 36-vjeçarit italian, i cili është mbyllur në një qeli me tre persona të tjerë. Pas pretendimeve të avokatit në gjykatë se klienti i tij ka pasur çrregullime mendore në fëmijëri, të cilat ishin zbehur me kohë, burgu u urdhërua të mbajë në mbikëqyrje të arrestuarin për të shmangur ndonjë akt të papritur që ai mund të kryejë ndaj vetes. Para gjykatës, i pandehuri Kuinçi ka thënë se punëdhënësi ka telefonuar në shtëpi më 31 dhjetor 2010 duke kërkuar që Rajmonda Zefi të merrte pjesë në një festë me rastin e ndërrimit të viteve. Gruaja shqiptare ka filluar të përgatitet për t’u larguar dhe i ka thënë bashkëshortit se atë natë nuk do të kthehej në shtëpi. Ky është momenti kur sipas hetuesve ka nisur konflikti.
Avokati i Françesko Kuinçit pretendon se 30-vjeçarja Rajmonda Zefi ka rënë nga shkallët dhe është goditur në kokë, por ai nuk mohon reagimin e keq të bashkëshortit kur kishte mësuar se e shoqja atë natë nuk do të kthehej në shtëpi. Hetuesit kanë gjetur ndërkohë një kartelë mjekësore të shtatorit 2010 që tregon se Rajmonda Zefi ka kërkuar mjekime në spital për shenja dhune që mendohet se edhe atëherë i janë shkaktuar nga bashkëshorti.
Në dosje ka të dhëna që tregojnë se dy muaj më parë, Françesko Kuinçi e kishte kërcënuar gruan e tij me thikë, por pa i shkaktuar dëmtime.
Ndërkohë, prindërit e Rajmonda Zefit, në një deklaratë për median, kanë kërkuar sot drejtësi për vrasjen e vajzës së tyre. “Nuk bëhet fjalë për hakmarrje, por për vendosjen e drejtësisë për një krim të rëndë”, - tha avokati i Marisë dhe Pjetrit, prindër të Rajmonda Zefit.
11 Janar 2011