E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto në Sarajevë, kërkon më shumë bashkëpunim

Në këtë takim u trajtuan çështje të marrëdhënieve dypalëshe, të bashkëpunimit në kuadër të BE dhe NATO, si dhe të bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimeve në rajon.

Bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve, si dhe konfirmuan vullnetin politik të palëve për forcimin e tyre dhe shtimin e kontakteve. Në takim u bisedua për intensifikimin e bashkëpunimit nё fushën e turizmit, ekonomisë, biznesit, shkëmbimeve tregtare, kulturës, etj. Një vend të rëndësishëm në takim zuri lëvizja e lirë e qytetarëve, duke mundësuar lëvizjen e tyre në të dy vendet vetëm me karta identiteti.

Haxhinasto rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit të BH në NATO, si dhe gatishmërinë e qeverisë shqiptare për një bashkëpunim më të ngushtë në rajon si dhe në kuadër të integrimit evropian. Në takimin me zv/kryeministrin dhe Ministrin e Sigurisë, z. Sadik Ahmetovic bashkëbiseduesit ndanë mendimin e përbashkët për rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe për intensifikimin e tyre në të ardhmen.

 Ahmetovic vlerësoi hapjen  e Ambasadës së RSh në Sarajevë, vitin e kaluar dhe e informoi z. Haxhinasto për vendimin e Presidencës së BH për hapjen e Ambasadës së BH në Tiranë. Në takim u bisedua gjithashtu, për të punuar së bashku për përmirësimin e imazhit të rajonit, sepse duke bashkëpunuar të gjitha vendet e rajonit do të sjellin një rezultat më të shpejtë dhe të prekshëm. Duke rimarrë çështjen e lëvizjes së qytetarëve vetëm me karta identiteti, bashkëbiseduesit konfirmuan vullnetin e përbashkët për të krijuar një rajon pa kufi që integrohet mes vetes dhe në Bashkimin Evropian.

Lidhur me bashkëpunimin rajonal u theksua se duhet të punohet më ngushtë lidhur me krijimin e rrjetit infrastrukturor të përbashkët në rajon si dhe për heqjen e gjithë barrierave jo-fizike, si ato doganore, etj. Në takim u nënvizua domosdoshmëria që Kosova të jetë pjesë e proceseve integruese rajonale, duke u bërë pjesë e vizionit dhe perspektivës evropiane të rajonit.

Në vazhdim të vizitës, për nder të Zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm Haxhinasto, u shtrua një drekë pune nga Kryeministri i Federatës së BH, z. Mustafa Mujezinovic, në të cilën morën pjesë edhe disa anëtarë të Qeverisë.

                                                                                             2011-02-04 08:50
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›