E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto në Vjenë, merr pjesë në Këshillin e OSBE-së

Zv. Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto është nisur sot drejt Vjenës, ku do të marrë pjesë në Sesionin e Këshillit të Përhershëm të OSBE-së. Gjatë këtij takimi, Ministri Haxhinasto, në cilësinë e Kryetarit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, do të mbajë një fjalë për delegacionet pjesëmarrëse të Këshillit të Përhershëm, duke parashtruar prioritetet e Kryesisë Shqiptare të KiE-së.
 

Gjithashtu, Ministri i Jashtëm, Haxhinasto pritet të shprehë qëndrimin e tij mbi çështjen e forcimit të bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet KiE-së dhe OSBE-së, si dhe të ndihmës që këto dy organizata mund të ofrojnë për fqinjët dhe partnerët në rajonin e Mesdheut, në drejtim të përballimit me sfidat aktuale dhe afatgjata të tranzicionit të tyre demokratik.
 

Gjatë qëndrimit në Vjenë, ai do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, z. Lamberto Zannier si dhe do të zhvillojë një takim të veçantë me Zv.Kancelarin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, z. Michael Spindelegger, me të cilin do të trajtojë çështje të marrëdhënieve dypalëshe.

Haxhinasto gjithashtu do të marrë pjesë edhe në Koncertin e organizuar nga misioni ynë në OSBE, në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›