Haxhinasto nuk raporton në Kuvend: Info sekrete, media s’duhet të jetë
Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, nuk ka mundur dot të raportojë dje para komisionit të Sigurisë Kombëtare lidhur me situatën në të cilët ndodhet shërbimi i jashtëm. Shkak është bërë kërkesa e ministrit për të raportuar pa praninë e mediave, duke e konsideruar se informacioni që do të jepte ishte konfidencial. Kërkesë kjo që ka gjetur kundërshtimin e hapur të deputetëve të majtë, të cilët kanë kërkuar që një gjë e tillë të hidhej në votë. Por mungesa e numrave në tryezë në mbledhjen e djeshme, ka detyruar mazhorancën që të evitojë votimin dhe të arrijë konsensus me opozitën për ta shtyrë mbledhjen për një ditë tjetër, për t’i dhënë mundësi ministrit që të vërë në dispozicion të deputetëve paraprakisht një material të shkruar, për të vlerësuar nëse ai është i klasifikuar apo jo.
Debatet
Pavarësisht se gazetarët kishin mbushur sallën e komisionit për të ndjekur debatin mes deputetëve të opozitës dhe shefit të diplomacisë për situatën e shërbimit të jashtëm dhe sigurisë së ambasadave tona, Haxhinasto ka kërkuar që, para se të niste të fjalën e tij, kamerat dhe gazetarët të dilnin jashtë. Kjo për shkak se materiali që do të paraqiste para komisionit ishte i klasifikuar si sekret dhe për rrjedhojë nuk mund të bëhej publik në media. Ndaj ai ka parashtruar kërkesën që mbledhja të bëhej me dyer të mbyllura për mediat. Por deputetët e opozitës nuk janë pajtuar me këtë sugjerim, ndaj kanë kërkuar që mbledhja të vijonte me dyer të hapura, pasi ishte detyrim i komisionit që të informonte opinionin publik për mënyrën sesi funksionon shërbimi i jashtëm. “Detyra jonë, si të zgjedhur, është që të informojmë opinionin publik se këto institucione janë në funksion dhe në shërbim të publikut. Kjo është detyra jonë e parë”, - tha Gjoni. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit, i cili ka theksuar se kishte ardhur për të raportuar para komisionit dhe jo para medias. “Ju interesin e keni që të flas unë para medias për situatën e sigurisë në shërbimin tonë të jashtëm, apo keni merak që t’i shikoni ju si komision? Se po të ishit të interesuar ju si komision, besoj që do të pranonit që të mos kishte media dhe pastaj mund të bëni intervista dhe ta merrni ju përgjegjësinë për ato që thoni në publik”, - tha Haxhinasto, ndërsa ka këmbëngulur në kërkesën e tij.
Votat
Por deputetët e opozitës kanë bërë dhe të qartë se nuk është ministri ai që detyron komisionin, se kur i bën mbledhjet me dyer të mbyllura, por është komisioni ai që vendos me votë. Ndaj ata kanë kërkuar që propozimi për ta nxjerrë median jashtë të hidhej në votë, çka nuk i ka interesuar të djathtëve, të cilët në ato momente gjendeshin në minorancë numrash në komision. Për këtë arsye kreu i komisionit, Demi, ka gjetur një zgjidhje të mesme, duke deklaruar shtyrjen e mbledhjes dhe detyrimin e ministrit që paraprakisht t’i paraqiste komisionit një material të shkruar për ato që ai i konsideron si informacione konfidenciale dhe ndërkohë që të paraqesë në komision me gojë një informacion të përgjithshëm.
Blushi batutë me Oketën:
Ke gjithmonë të drejtë, por jashtë partisë
Në fundin e mbledhjes nuk kanë munguar as batutat mes deputetëve të të dy krahëve, ku kanë spikatur ato mes Gazmend Oketës dhe Ben Blushit. Kështu, Oketa duke kritikuar qëndrimin e opozitës për refuzimin e kërkesës për ta bërë mbledhjen me dyer të mbyllura, ka deklaruar se në raste të tilla është e mira që deputetët të pajisen me certifikatën e sigurisë. Ndaj një konstatimi të tillë ka reaguar kreu i komisionit, Leonard Demi, i cili i ka dhënë të drejtë Oketës, ndërsa ky i fundit me humor është shprehur “se në përgjithësi ai ka gjithmonë të drejtë”. E menjëhershme ka qenë batuta e deputetit socialist Ben Blushi, i cili është përpjekur ta lidhë këtë shprehje të Oketës me aktualitetin politik brenda PD-së, duke u shprehur se “Ti ke të drejtë, por jashtë partisë”.