Tryeza e opozitës, rikthehen Ngjela e Gjinushi, “ikin” Milo e Dule
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka mbledhur dje në një takim informal aleatët e tij në opozitë, ku sërish mungesat kanë qenë të shumta. Faktikisht ka qenë një drekë pune që Rama ka shtruar për një pjesë të aleatëve të vet në lokalin që gjendet pranë selisë së Partisë Socialiste. Në këtë drekë pune ka patur sërish mungesa të mëdha, ku përveç kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili ka munguar në të gjitha takimet e fundit të aleatëve, nuk kanë qenë të pranishëm as kreu i PSV91, Petro Koçi, as Ervin Mete i G99 dhe as ai i PDS-së, Paskla Milo. Madje ky i fundit ka deklaruar dje për mediat se nuk ka patur fare ftesë për të marrë pjesë në këtë takim informal. Megjithatë, i janë kthyer tryezës kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, dhe ai i PliDR, Spartak Ngjela, të cilët për shkak të pakënaqësive kanë refuzuar disa nga mbledhjet e thirrura prej Ramës. Por mungesat në tryezë, zëdhënësi i koalicionit, Preç Zogaj, në një komunikim të posaçëm për mediat, nuk i ka konsideruar politike.
Ndërkohë që gjatë drekës mësohet se reforma zgjedhore ka zënë një vend parësor në bisedën e aleatëve, ku Rama i ka informuar partnerët e vet lidhur me negociatat e zhvilluara me demokratët. Burime pranë tryezës kanë bërë të ditur se Rama i ka bërë të ditur aleatëve të vet se negociatat me demokratët kanë dështuar, duke theksuar se shpresat për t’i rikthyer ata në bisedime janë të pakta. Ndaj aleatët kanë diskutuar mbi mundësitë që ekzistojnë për të bindur mazhorancën që të ulet në tryezë dhe të pranojë propozimet e opozitës. Një nga mundësitë që është vlerësuar si më e pranueshme është ajo për të lobuar te faktori ndërkombëtar dhe për t’i njohur ata me propozimet që ka opozita, në mënyrë që të sigurohet një presion ndërkombëtar ndaj Berishës për t’u ulur në tryezën e bisedimeve për reformën. Ndërkohë që është diskutuar edhe për mundësinë që në një të ardhme jo shumë të largët të mund të realizohet dhe një tryezë e posaçme me ekspertë të forcave opozitare, ku mund të dilet me një draft të plotë propozimesh për reformën zgjedhore dhe për t’ia vënë në tryezë mazhorancës për ta pranuar. Ndërkohë që Zogaj ka bërë të ditur për mediat se takimi u fokusua edhe te grupi i punës së opozitës, që u krijua para një jave për reformën zgjedhore, ndërsa ka pranuar se secila parti ka bërë propozimet e saj për ndryshimet që duhet të bëhen në Kod.