Rama refuzon takimin me Berishën para ceremonisë
Topi, Berisha, Topalli, Rama, Moisiu, Meidani e Haxhinasto ishin ftuar të vinin gjysmë ore para të ftuarve të tjerë në ambasadën e ShBA-ve, për të qenë bashkë në një takim më të ngushtë e ndoshta për të pasur një shtrëngim kortezie duarsh.
Ata kanë qenë të gjithë bashkë. Kundërshtarë të fortë në betejat politike, ish-presidentët Alfred Moisiu, Rexhep Meidani, ai aktual Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u panë bashkë mbrëmë në prani të ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Në fillim të pritjes së organizuar me rastin e 20-vjetorit të rihapjes së ambasadës amerikane mungonte vetëm kryetari i opozitës, Edi Rama. I ftuar për të marrë pjesë 20 minuta para se të fillonte pritja zyrtare, Rama ka mbërritur tepër vonë. Ai nuk ka qenë i pranishëm në përpjekjen e ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu për të “shkrirë akujt” mes figurave kryesore në vend. Rama ka pranuar të bëhej pjesë e kësaj pritjeje vetëm 40 minuta më vonë, atëherë kur ai mund të dëgjonte vetëm përshëndetjen e presidentit Topi dhe kryeministrit Berisha. Ish-presidentët Meidani e Moisiu, ai aktual Topi, kryeministri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Topalli, ishin miqtë e parë të pritjes së organizuar dje. Ata ndoqën një orar krejt të ndryshëm nga ceremonia zyrtare, që fillonte në orën 18.00 të ditës së djeshme. Arsyeja sa duket ishte e thjeshtë; ambasadori amerikan duket se ka kërkuar një takim paraprak mes tyre, me qëllim shkrirjen e akujve mes personaliteteve, që pak flasin me njëri-tjetrin. Por ndryshe nga sa ishte programuar, në orën 17.30 kanë mbërritur vetëm Moisiu, Meidani, Berisha e Topalli si dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto. Pak minuta me vonesë ka mbërritur edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Në një takim të ngushtë dhe të paralajmëruar ata kanë zhvilluar biseda informale kryesisht me ambasadorin amerikan dhe kanë tokur gotat me pijen tradicionale shqiptare, rakinë. Situata ka qenë e nderë mes Topit, Topallit dhe Berishës e po aq edhe më pas, megjithëse mes Kryeministrit dhe Presidentit në takimin e ngushtë pati shtrëngim kortezial duarsh. Gjatë fjalës së mbajtur, Topi, e ceku pak çështjen e një takimi në rreth të ngushtë, porse përmbajtja e saj ishte fokusuar në marrëdhëniet Shqipëri-ShBA. Në anën tjetër, i ftuari tjetër Edi Rama nuk ka pranuar të bëhet pjesë e një pritjeje paraprake, kjo edhe për vetë situatën aspak pozitive që gjendet mes dy forcash kryesore politike. Ai mbërriti në pritjen e 20-vjetorit të rihapjes së ambasadës amerikane në Tiranë shumë më vonë, për të shtrënguar duart e shkëmbyer disa batuta vetëm me ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu. Rama ka shtrënguar duart edhe me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, i cili gjendej fare pranë ambasadorit amerikan. Në anën tjetër, kryeministri Berisha ka shmangur çdo përballje qoftë edhe formale me Ramën apo edhe Topin. Për këtë të fundit, Berisha ka respektuar vetëm protokollin gjatë fjalës përshëndetëse, duke iu drejtuar edhe Presidentit të Republikës. Ndërkohë, gjatë pritjes së organizuar, Berisha është takuar me ambasadorë, përfaqësues të komunitetit fetar dhe botues mediash, gazetarë e biznesmenë. Në pritjen e djeshme merrnin pjesë edhe deputetë, kryesisht të dy forcave kryesore politike, si Valentina Leskaj, Damian Gjiknuri, Saimir Tahiri apo edhe deputetë të PD-së, si Gerti Bogdani, shefi i kabinetit të kryeministrit, Oerd Bylykbashi, si dhe ministrat Ridvan Bode, Sokol Olldashi dhe Majlinda Bregu. Në pritjen e djeshme ishte i pranishëm edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Gjatë fjalës së mbajtur, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu i cilësoi të pranishmit si pjesë e historisë së Shqipërisë. “Ne punojmë në një vend që vlerëson kontributet tona", - tha ndër të tjera Arvizu. Edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cilësoi ShBA-të si mikun më të mirë të shqiptarëve, ndërsa kryeministri Sali Berisha theksoi se rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me ShBA-të ishte një moment i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët.
Topi: Rruga e Shqipërisë drejt BE-së
TIRANË Në pritjen e organizuar dje nga ambasada amerikane, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka deklaruar ndër të tjera se rruga e Shqipërisë është në BE. “Është privilegj për mua si President që të shpreh pikërisht atë që e shpreh çdo forcë politike në Shqipëri, që e shpreh çdo individ në publik, që e shpreh çdo qytetar shqiptar: admirimin dhe respektin e thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqipërinë dhe popullin shqiptar e presin suksese të reja. Përveç anëtarësimit në NATO, ne presim të shkojmë në Bashkimin Europian. Pavarësisht vështirësive të çastit, ato janë të gjitha vështirësi të kapërcyeshme. Ajo është e vetmja rrugë që Shqipëria dëshiron të bëjë dhe jam i bindur që do ta bëjë. Ajo është vetëm çështje kohe, madje e një kohe shumë të shkurtër”, tha Topi duke drejtuar edhe falenderimet drejt ambasadorit amerikan Arvizu për gjithçka ShBA-të kanë bërë ndaj Shqipërisë. “Pa u zgjatur shumë në këtë përshëndetje, më lejoni t’ju falenderoj për gjithçka! Të falenderoj të gjithë presidentët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët i kanë dhënë ndihmë të drejtpërdrejtë Shqipërisë! Nga kjo ceremoni shumë kuptimplotë, dëshiroj të dërgoj përshëndetjet më të mira për presidentin Obama, me dëshirën që ta shikojmë në një vizitë të tij në Shqipëri! Urimet më të mira! Zoti e bekoftë këtë marrëdhënie kaq të fortë!”- tha Topi
Berisha: Shqiptarët krenarë për bashkëpunimin me ShBA
TIRANË Kryeministri Sali Beriasha mori pjesë në pritjen e dhënë nga ambasadori i ShBA-ve në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, me rastin e 20-vjetorit të rihapjes së ambasadës amerikane në Tiranë. Gjatë fjalës së mbajtur, kryeministri Berisha e vlerësoi këtë ngjarje si më të rëndësishmen në historinë e dy vendeve. “Shqiptarët patën rastin t’i dëshmojnë kombit tuaj dhe mbarë botës në pranverën e vitit ‘91 se vërtet ambasada e SHBA-ve pushoi së funksionuari gjatë viteve të egra të diktaturës, por kjo ndërtesë gjeti strehë të plotë në zemrën dhe mendjen e shqiptarëve. Pritja e jashtëzakonshme që shqiptarët i rezervuan sekretarit të shtetit, James Baker, më e madhja dhe më e zjarrta që ata i kanë rezervuar ndonjëherë ndonjë miku të shquar, në këtë tokë, dëshmoi se aspirata e tyre e lirisë ishte një me dashurinë dhe respektin e tyre për ShBA-të, ndihmën dhe kontributin e tyre në lirinë e shqiptarëve”, - tha Berisha. Kryeministri shtoi se shqiptarët ndihen krenarë në miqësinë që ata kanë për ShBA-të.
Arvizu-krerëve të politikës: E ardhmja e vendit është në duart tuaja
TIRANË Në pritjen e organizuar me rastin e 20-vjetorit të hapjes së ambasadës së ShBA-ve në Shqipëri, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që shqiptarët i dhanë ShBA-ve në këtë përvjetor. Gjatë fjalës së mbajtur, Arvizu vlerësoi partneritetin midis dy vendeve. Ambasadori amerikan siguroi shqiptarët se ShBA-të do vijojnë ta mbështesin Shqipërinë në rrugën e saj. Sipas tij, ShBA dhe Shqipëria kanë një marrëdhënie të ngushtë. "Të hënën në mëngjes, në një ceremoni solemne private, ngritëm flamurin amerikan në nderim të vendeve tona, për të parë perspektivën e Shqipërisë në të ardhmen dhe si ne si ambasadë mund të ndihmojmë në përparimin e Shqipërisë. Të enjten do të organizojmë një konferencë që do të shqyrtojmë partneritetin ShBA-Shqipëri dhe ky do të jetë vetë shqyrtimi për përkushtimin tonë për të ardhmen. Të dielën e shkuar patëm mundësi të veçantë për të përjetuar pritjen e vërtetë të popullit shqiptar, ndërsa u bashkuan me ne për panairin e hapur sipas stilit amerikan", u shpreh Arvizu. Sipas tij, populli shqiptar ka folur vendosmërisht sesi e përfytyron ai të ardhmen e tij, duke iu drejtuar krerëve të politikës se e ardhmja e shqiptarëve është në duart e tyre. “E ardhmja e Shqipërisë është në duart tuaja, ju përket juve ta përcaktoni të ardhmen, nëse do të punoni për një qëllim të përbashkët. E ndërsa e bëni këtë, të jeni të sigurt që ShBA-të do të jenë në anën e shtetasve shqiptarë. Faleminderit për 20 vite të mrekullueshme dhe për këtë natë të magjishme!”- nënvizoi Arvizu.