Haxhinasto, takime në Nju Jork për kartën e Adriatikut

Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, u mbajt takimi i Ministrave të Jashtëm të vendeve të Kartës së Adriatikut. Me cilësinë e Presidencës së radhës së Kartës së Adriatikut, Shqipëria organizoi këtë takim, ku merrnin pjesë: Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja-Hercegovina. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto theksoi se Shqipëria do të mbështesë të gjitha vendet, të cilat duan t`i bashkangjiten kësaj aleance.
Haxinasto shtoi se diferencat që mund të ekzistojnë midis vendeve të rajonit duhet të konsiderohen nën optikën dhe parimin se të gjithë ndajmë një të ardhme të përbashkët, e cila duhet të jetë me më tepër stabilitet, bashkëpunim, zhvillim dhe përparim. Në takim merrnin pjesë edhe Zv. Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Philip Reeker dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, z. Enver Hoxhaj.