Një mijë litra benzinë për të djegur votat e 8 majit
KQZ ka bërë gati njëmijë litra benzinë për ti vënë flakën fletëve të votimit të 8 majit. Përmes një projektvendimi që pritet të miratohet këto ditë, KQZ ka hartuar procedurën që do të pastrojë kutitë duke nisur nga djegia e fletëve. I gjithë procesi do të kushtojë 1,785,070 lekë. Procesi i hapjes së kutive të votimit, kutive të materialeve zgjedhore, seleksionimit të dokumentacionit dhe materialeve zgjedhore të ri- përdorshme, do kryhet brenda 60 ditëve duke punësuar 10 supervizorë dhe 50 punëtorë.
Nga supervizorët, gjashtë prej tyre do të jenë përgjegjës për procesin e hapjes së kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore në Lundër, si dhe për djegien e fletëve të votimit. Ndërsa katër të tjerët do të jenë përgjegjës për procesin e klasifikimit, seleksionimit dhe arkivimin e dokumentacionit zgjedhor. 30 punëtorë do të merren me hapjen, pastrimin e kutive.
Një punëtori i duhet mesatarisht 45-50min pune që të kryejë të gjitha proceset që lidhen me kutitë e votimit dhe norma e ditës së punës për një punëtor është afërsisht 10 kuti votimi/materialesh zgjedhore. Ky proces do të përfundojë brenda një afati prej 50 ditë punë, bazuar në normën ditore të një punëtori (15.000 kv/30pxl0kuti=50ditë), thuhet në projektvendim.
Dhjetë të tjerë do të kryejnë procesin e seleksionimit të fletëve të votimit dhe kundërfletëve, ngarkim/shkarkimit të afërsisht 5-6 tonë letër (fletë votimi) në ditë dhe djegien e tyre. /Luis Tanushi/