E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënsekretari i SHBA, Burns: Realizoni reformat e BE

Kryeministri Sali Berisha është takuar në New York, me nënsekretarin amerikan të shtetit, William Burns. Në këtë takim, nënsekretari Burns shprehu mbështetjen e SHBA-së për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, si një proces që e çon Shqipërinë drejt progresit. Ai u shpreh se lista e reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare në fushën e ekonomisë, edukimit, infrastrukturës etj, është impresionuese dhe tregues i asaj që mund të arrihet. Nënsekretari Burns inkurajoi vazhdimin e reformave dhe ecjen përpara.

Nga ana e tij, kryeministri theksoi se zgjedhjet vendore të vitit 2011 ishin zgjedhjet më të mira të zhvilluara, të cilësuara edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë si kompetitive dhe transparente. Ai vlerësoi kthimin e opozitës në parlament si një hap në drejtim të normalizimit dhe kthimit në kornizën institucionale të jetës politike, pas një bojkoti mëse dy vjeçar dhe një qëndrimi bllokues të vazhdueshëm.
 

Gjithashtu, kryeministri Berisha e siguroi nënsekretarin Burns për gatishmërinë e qeverisë shqiptare, për të përmbushur të gjitha reformat për integrimin europian. Në mënyrë të veçantë, kryeministri Berisha nënvizoi rëndësinë e realizimit me sukses dhe konsensus e vullnet pozitiv të reformës zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, dhe gatishmërinë e mazhorancës për ta nisur menjëherë atë, së bashku me opozitën.
 

Ndër të tjera, nënsekretari Burns i shprehu kryeministrit Berisha kënaqësinë për takimin, si dhe vlerësoi lart kontributin e vazhdueshëm të Shqipërisë në Afganistan dhe në të gjitha angazhimet e tjera në luftën kundër terrorizmit, si dhe rolin e Shqipërisë në rajon dhe në mënyrë të veçantë në lidhje me Kosovën. Ai e siguroi kryeministrin se SHBA-të do të vazhdojnë të bëjnë maksimumin për njohje të mëtejshme të Republikës së Kosovës. Nënsekretari i Shtetit, Burns shprehu dëshirën për të vizituar sa më shpejt Shqipërinë.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›