Haxhinasto takon ambasadoren Tomasova

Problematika e kompanisë CEZ shpërndarje nuk duhet përzier me marrëdhëniet shumë të mira politike që Shqipëria ka me Cekinë. Është ky mesazhi që i ka përcjellë ministri i METE Haxhinasto ambasadores së Cekisë, znj. Bronislava Tomasova. Cështja e CEZ është e një natyre komerciale ka thënë ministri gjatë një takimi me kreun e diplomacisë ceke në Tiranë. Çdo thirrje për t’i përzier këto dy problematika është e dëmshme dhe nuk i shërben askujt – ka shtuar ai. Problemi i shoqërisë CEZ Shpërndarje, tha ministri Haxhinasto, është një problem i karakterit komercial, lindur nga mospërmbushja prej saj i detyrimeve kontraktuale dhe ato që rrjedhin nga kuadri ligjor e rregullator në vend. Haxhinasto theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në BE synon përsosjen e standardeve të tregut të lirë dhe kuadrit rregullator dhe jo përkeqësimin e tyre. Ai gjithashtu nënvizoi se tregu shqiptar është shumë i përshtatshëm për të tërhequr investimet e huaja në vend.