Haxhinasto, tur vizitash në Japoni, Kore dhe Vietnam

Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto ka nisur një tur vizitash zyrtare në Japoni, në Korenë e Kugut dhe në Vietnam.
Kjo vizitë e Zv.kryeministrit dhe ministrit të jashtëm Haxhinasto në këto shtete do t`i shërbejë promovimit dhe forcimit të marrëdhënieve të Shqipërisë me këto shtete, duke inkurajuar zgjerimin e marrëdhënieve ekonomiko- tregtare, vendosjen e kontakteve me institucionet akademike midis vendeve dhe popujve të këtij rajoni.
Bashkëpunimi ekonomik do të jetë në qendër të këtyre bisedimeve, ku do të shkëmbehen informacione dhe do të shqyrtohen mundësitë e adoptimit të praktikave më të mira nga përvojat përkatëse.
Lidhur me qëndrimin për çështjen e Kosovës, Japonia dhe Koreja e Jugut kanë qënë ndër shtetet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndaj Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë do të ndalet në mbështetjen e mëtejshme të saj nga këto vende, për pjesëmarrjen e Kosovës në organizmat ndërkombëtare, duke e inkurajuar më tej atë në rrugën e nisur të reformave integruese. Ndërsa pala vietnameze, e cila ende nuk e ka njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës, gjatë vizitës së Ministrit Haxhinasto do të njihet me kontributin konkret që Kosova jep me institucionet e veta legjitime e funksionale në stabilizimin dhe bashkëjetesën në rajon.