E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhiu ndërpret seancën për presidentin, do të rinisë në orën 23:00

PRISHTINË, 28 prill/ATSH/ Kryeparlamentarja Haxhiu, disa minuta pasi rinisi seanca e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit e ndërpreu atë për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve nga partitë opozitare.

Ajo tha se punimet do të rinisin në orën 23:00 – fiks një dorë para se të skadojë afati kushtetues për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Nëse deputetët dështojnë të zgjedhin presidentin e ri, Kosova do të shkojë në zgjedhje.

Kreu i LVV-së, Albin Kurti, tha se ka biseduar me kandidaten Hatixhe Hoxha dhe ajo ka shprehur gatishmëri të tërhiqet nga gara, nëse LDK-ja sjell 15 nënshkrime dhe emrin e kandidatit të saj për president.

“Kam komunikuar menjëherë me kandidaten Hatixhe Hoxha dhe kam biseduar me të dhe ajo është dakorduar të tërhiqet nga kandidatura, nëse LDK i sjell 15 nënshkrime për kandidaten e saj, kushdo që është. LVV ia plotëson edhe 15 nënshkrime të tjera nga mazhoranca dhe në këtë mënyrë do ta kishim një kandidat nga shoqëria civile dhe një nga LDK dhe sonte le ta zgjedhim presidentin apo presidenten”, tha Kurti gjatë një adresimi për media në Kuvendin e Kosovës.

Por, ai tha se LDK-ja duhet të sjellë nënshkrimet dhe emrin e kandidatit dhe lista duhet të ketë datën e sotme.

“Mund të mos i kenë 15 nënshkrime, ndoshta i kanë 14 apo 13 sa t’i kenë le t’i sjellin veç na të na i sjellin, ne e plotësojmë për kandidatin… Nëse u mungon ndonjë se këqyrim për një e dy”, tha ai.

LDK tha më herët se nënshkrimet e prezantuara një ditë më parë nuk kishin emër, pasi për këtë paraprakisht duhet dakordim me LVV-në. Por, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se Kurti po kërkon kundërkandidate për Feride Rushitin. /rel/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›