Haxhiu në përkrahje të të burgosurve: Komisioni po i përshtatet Qeverisë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu njëkohësisht edhe anëtare e Komisionit për legjislacion ka dërguar një letër mediave ku shpresh qëndrimin e saj kundër ligjit për amnisti që thotë se është është sjellë në rend dite në këtë komision më 1 korrik 2013.
Ajo ka shprehur qëndrimin se VV do ta kundërshtojë këtë projektligj. Sipas Haxhiut nëpërmjet tij do të instalohet brenda strukturës së Legjislacionit tonë një mekanizëm i tmerrshëm i drejtësisë selektive.
“Pas disa orëve, jemi njoftuar që mbledhja e datës 3 korrik do të mbahet me datën 1 korrik, e hënë në orën 10 nga nënkryetari i këtij Komisioni, nga radhët e PDK-së, Behar Selimi, ku në rend dite do të jetë Projektligji për Amnisti i miratuar me nxitim nga Qeveria e Kosovës”. Ka thënë Haxhiu.
Ajo ka shtuar se është shkelur rregullorja e Punës, “për të akomoduar kërkesat dhe nevojat e Kryeministrit Ivica Daçiçit dhe të Serbisë”.
Ajo ka shtuar se komisioni po vepron në bazë të agjendës së qeverisë. “Është jashtë çdo norme kushtetuese e ligjore që Komisioni për Legjislacion të veprojë në bazë të agjendës së Qeverisë. Pra, me nguti jemi thirrur në mbledhje vetëm e vetëm për të kaluar Projektligjin për Amnisti, me të cilin do të amnistohen kriminelët serb në veri dhe do të përfitojnë të gjithë të dënuarit për afera korruptive apo për vepra të tjera, të cilët janë përgjithësisht zyrtarë të PDK-së pa përjashtuar dhe subjektet e tjera”, ka thënë ajo.
Në letrën e saj, ajo ka përmendur të burgosurit që janë në grevë duke e kundërshtuar këtë ligj.
“Të burgosurit e kanë kërkuar të drejtën dhe Ligjin për Amnisti për vite të tëra, qysh kur ka qenë ministre Nekibe Kelmendi. As atëherë e as tash me Qeverinë Thaçi nuk është sjellë në Kuvend ky ligj. Të burgosurit kanë hyrë në greve disa herë dhe çdo herë janë mashtruar nga Ministri i Drejtësi dhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, kjo me qëllimin e vetëm të ndërprerjes së grevës. Tash që e njëjta u kërkuar në tryezën e negociatave nga Ivica Daçiç për pjesëtarët e strukturave kriminale të Serbisë ligji u soll menjëherë dhe në mënyrë të përshpejtuar duke shkelur të gjitha procedurat”, ka shtuar Haxhiu.
Ajo ka thënë se me këtë projektligj do të vendoset padrejtësia institucionale në Kosovë.
“Amnistia e vërtetë që po kërkohet këtu është për pjesëtarët e MUP-it, për pjesëtarët e USB-së dhe organeve tjera të aparatit represiv të shtetit të Serbisë të instaluara në territorin e Kosovës, të cilat i kanë kryer të gjitha krimet ndaj shtetit dhe ndaj popullatës së Kosovës. Si dhe në mënyrë perfide, do të përfitohet nga kjo hapësirë ligjore për të dënuarit e tashëm, dhe në të ardhmen të zyrtarëve të PDK-së dhe subjekteve të tjera. Me këtë projektligj po synohet vendosja institucionale e padrejtësisë në Kosovë. E, kjo padrejtësi do të jetë e vazhdueshme”, ka shtuar ajo./Indeksonline/