Hazbiu në Hetuesi: Ju rrëfej vrasjet pa gjyq në vitet 50

Kadri Hazbiu në sallën e gjyqit. Majtas, faksimile e procesverbalit të mbajtur në Hetuesi
Sigurimi i Shtetit ka bërë ekzekutime pa vendime gjyqi. Së paku, unë mbaj mend tre të tilla në fillimin e viteve 50″ Pohimi tronditës i Kadri Hazbiut në vjeshtën e vitit 82, këtë radhë përball hetuesve, rikthen në vëmendjen e opinionit një nga dramat më të tmerrshme të regjimit komunist.
Në librin Kadri Hazbiu, krimet dhe vrasja të Kastriot Dervishit, botuar ditët e fundit nga shtëpia botuese 55, hidhet dritë në të tjera mistere të dosjes më të bujshme të Policisë Sekrete të Shqipërisë, duke zbuluar dëshmi, fakte, dokumente e materiale të panjohura më parë. Kadri Hazbiut, ministrit më jetëgjatë të Punëve të Brendshme, jeta i rezervoi të njëjtin fund si homologëve të tij të Bashkimin Sovjetik. Përvoja disavjeçare si kuadër i organeve të Punëve të Brendshme e në vijim si ministër, përfundoi pikërisht nëpërmjet një dënimi me vdekje me akuza që nuk përbënin thelbin e veprimtarisë së tij, por një përqasje propagandistike si në rastin e armiqve të tjerë të zbuluar rishtazi nga Partia dhe Enveri. Botimi sjell kësisoj dy vitet rrënuese të ministrit të diktaturës që qëndroi më gjatë në detyrë në Shqipërinë komuniste, vendit që nën drejtimin e Enver Hoxhës imitoi aq besnikërisht diktaturën e Stalinit. Kadri Hazbiu dhe shpura e të tjerëve që iu bashkua procesit të tij, vihen në këtë libër në rolin e rrëfimtarit, mbi atë që ata dinë mbi diktaturën komuniste dhe mekanizmat e saj të veprimit. Gazeta Panorama më herët ka botuar pjesë të veçanta të dosjes Hazbiu, me dëshmi e dokumente autentike, por edhe me rrëfime të bashkëkohësve e bashkëpunëtorëve të ministrit më jetëgjatë të Policisë Sekrete. Duke filluar nga sot, do të botojmë përballjen e panjohur të Kadri Hazbiut me hetuesit Shkëlzen Bajraktari e Thoma Tutulani mbi akuzat për tradhti ndaj atdheut dhe shkelje të vijës së partisë në organet e Sigurimit të Shtetit, marrë nga libri i ri i Kastriot Dervishit, Kadri Hazbiu, krimet dhe vrasja e tij…
PJESË NGA LIBRI:
Më 15.10.1982, ne, Shkëlzen Bajraktari dhe Thoma Tutulani, hetues të MPB-së, morëm në pyetje të pandehurin Kadri Hazbiu. Të pandehurit iu njoftua akuza për krimin e tradhtisë ndaj atdheut dhe u pyet rreth saj.
Pyetje: I pandehur, e dëgjuat, e kuptuat dhe çkini për të thënë rreth akuzës që ju bëhet?
Përgjigje: Akuzën që më bëhet e dëgjova, e kuptova dhe nuk e pranoj. Unë pranoj se kam bërë gabime të rënda, që kanë sjellë pasoja te dëmtimi i vijës së Partisë në organet e punëve të brendshme. Konkretisht, unë gjykoj se nuk kam mundur të kryej detyrën si ministër i Punëve të Brendshme për të siguruar kuptimin e plotë të vijës së Partisë të shprehur në normat e punës të organeve të punëve të brendshme, ku gjej edhe shkakun e mjaft mungesave dhe shkeljeve që kanë ndodhur në këto organe. Unë këtë përgjegjësi e konsideroj direkt timen, për funksionin që kam pasur si ministër.
Pyetje: Si është shprehur me veprime konkrete ky përfundim që thatë më parë ju, i pandehur?

Kadri Hazbiu ne gjyq
Përgjigje: Unë nuk kam mundur të siguroj kontrollin e Partisë, në ato forma që ka caktuar Partia, mbi organet e punëve të brendshme. Unë vetë duhet të kisha bërë një punë më të organizuar për të siguruar rolin udhëheqës të partisë mbi gjithë sektorët e drejtimet, sidomos në organet e Sigurimit. Në vitet e para, kur u bëra ministër, tregova kujdes të veçantë për këtë çështje, më vonë, ky kujdes u zbeh nga unë, sepse gjykova se mori rrugë ky problem, sidomos mbi problematikën që mund të diskutohej në organizatat bazë të Sigurimit.
Pyetje: Pse ju i pandehur nuk u morët me këtë problem themelor për Partinë më vonë dhe çpasoja erdhën?
Përgjigje: Unë nuk u mora sa duhet me këtë punë, sepse mendova që pas kaq vjetësh ishte fituar një përvojë mbi problematikën që mund të trajtonin organizatat bazë të Partisë, nga puna e Sigurimit, duke pasur parasysh se ishin kaluar konceptet që frenonin, si puna e mbyllur e organeve të Sigurimit të Shtetit, sekreti, etj. Ky opinion te unë u krijua edhe si rrjedhim i ndikimit mbi mua të armiqve që kam pasur rreth vetes në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si: Mihallaq Ziçishti, Feçor Shehu etj. Ndikimi i tyre ka qenë i tillë: ata kur shkonin poshtë për kontrolle, kur ktheheshin, më raportonin se puna shkon mirë, probleme të vështira nuk ka. Në këtë frymë më raportonin edhe shokët e tjerë, si Muço Saliut, Lelo Sinajt, Rexhep Kolli kur shkonin poshtë për kontrolle, të cilët më sillnin lajme euforike, se puna ecën, gjendja është mirë në drejtim të kontrollit të punës së mbyllur. Mbi bazën e gjendjes së raportuar nga shokët që shkonin poshtë, sidomos kur ishin degët politike të kufirit, policisë, që e paraqisnin gjendjen mirë, edhe unë arrija përfundimin se gjendja është e mirë. Kjo është e metë imja. Unë mbaj përgjegjësi edhe më të rëndë, sepse nuk kam tërhequr ndihmën dhe kontrollin e duhur nga ana e K.Q. të Partisë së Punës të Shqipërisë për organet e punëve të brendshme. Këto dobësi unë i shikoj në radhë të parë te lidhjet e shumta të varësisë që kisha si Ministër i Brendshëm. Unë kisha lidhje varësie nga sekretari përkatës i K.Q. të PPSH, të cilin duhet ta njoftoja për gjithçka, të ngrija probleme dhe të tërhiqja edhe mendimet e tij. Atij, unë nuk i kam fshehur asgjë me përjashtim të problemeve që i duheshin thënë drejtpërsëdrejti udhëheqësit të Partisë. Në kohën kur në përbërjen e instruktorëve u morën edhe persona që kishin njohuri për punën e Sigurimit, ata shkonin nëpër mbledhje, bile kontrollonin disa tregues e për rrjedhim, informacioni shkonte më i plotë në Komitetin Qendror në PPSH. Megjithatë, kjo nuk më shkarkon nga përgjegjësia për informacionin jo të plotë e sistematik të K.Q. të PPSH për të gjitha problemet. Në të njëjtën mënyrë, unë kam vepruar edhe me ish- kryeministrin, tradhtarin Mehmet Shehu dhe ish-zëvendëskryeministrin, tradhtarin Beqir Balluku, të cilët i kam informuar në të njëjtën shkallë, si edhe sekretarin e K.Q. të PPSH-së për problemet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, por këta të fundit, kur unë ngrija probleme me anë të informacioneve ose raportimeve verbale si p.sh. për naftën ose probleme të tjerë, më thoshin se Sigurimi nuk do të bëjë gjithçka: secili duhet të bëjë detyrën e tij, (e kishte fjalën për institucionet e tjera) ju e kini bërë detyrën duke i ngritur problemet. Kjo mënyrë e vlerësimit të punës së Sigurimit nga dy tradhtarët ka pasur ndikimin e saj te unë, duke më krijuar përshtypjen se Ministria e Punëve të Brendshme i kishte punët në rregull dhe po e bënte detyrën. Kjo më krijonte një gjendje euforie dhe më ulte ekzigjencën në kërkesat për punën e organit. Këta tradhtarë kanë ndikuar edhe në vlerësimet zyrtare, që i bëheshin organeve të punëve të brendshme. 16.10.1982
Pyetje: Në çdrejtime e keni shkelur vijën e Partisë, gjatë kohës që keni punuar në organet e punëve të brendshme?
Përgjigje: Nuk di ta kem shkelur vijën e Partisë. Por periudha është kaq e gjatë që mund të ketë ndonjë rast, por mua nuk më kujtohet.
Pyetje: Na thoni i pandehur, nga çqëllime nisej dhe çpërmbajtje kishte v