E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haziri: Evropa dhe NATO janë terminali i Kosovës së pavarur!

Intervistë me Lutfi Hazirin, nënkryetar i Ligës Demokratike të Kosovës (LDK), ish-zv/kryeministër i Kosovës

Në vitet ‘90, Lutfi Haziri, student në Universitetin e Prishtinës, i bashkëngjitet lëvizjes së studentëve kundër masave të marra nga serbët në Kosovë. Më 11 mars të vitit 1990, anëtarësohet në LDK, fillimisht në strukturat e rinisë së LDK e më pas angazhohet në kuadër të qeverisë paralele të Kosovës. Në moshën 27-vjeçare, në vitin 1997 zgjidhet anëtar i Këshillit drejtues të LDK. Haziri përqafon shumë shpejt dhe krahun radikal të LDK, të cilët krahas luftës paqësore kërkonin dhe një luftë të armatosur, bëhet pjesë e UÇK në vitin 1998, vit ku arrestohet nga dhe burgoset nga regjimi i Millosheviçit në burgjet e Serbisë. Me çlirimin e Kosovës, Lutfi Haziri lirohet pas luftës së Kosovës në korrik 1999. Menjëherë ai do të zgjidhet në gusht 1999 anëtar i Kryesisë së LDK të Gjilanit, dhe në zgjedhjet e para lokale në vitin 2000, zgjidhet kryetar i Bashkisë së Gjilanit. Themelon Shoqatën e Komunave të Kosovës, arrin njëkohësisht të integrojë Kongresin e Pushtetit Lokal në Parlamentin Evropian në Strasburg me statusin e vëzhguesit, për shkak të problemeve politike që haste Kosova në atë kohë. Në dhjetor të vitit 2004, zgjidhet ministër i Pushtetit Lokal të qeverisë së Kosovës dhe njëkohësisht mban dhe postin e zëvendëskryeministrit të Kosovës. Ai do të jetë pjesë e Grupit të Unitetit, të cilët u angazhuan në negociatat për statusin e Kosovës. Në zgjedhjet legjislative të vitit 2007, partia e tij, LDK, hyn në koalicionin qeverisës. Z. Haziri do të fokusohet më shumë në punët në parti dhe në parlament; kryetar i grupit parlamentar të LDK në parlamentin e Kosovës dhe njëkohësisht nënkryetar për qeverisje në LDK

Cila ka qenë qasja juaj në politikë?

Motivi kryesor i angazhimit tim në politikë ka qenë i lidhur ngushtë me aspiratën e popullit të Kosovës për liri kundër diskriminimit, për pavarësinë e Kosovës.

Ju njiheni si një nga njerëzit më besnikë pranë ish-presidentit Rugova...

Unë jam gjeneratë e re në vijën politike të LDK, sepse themeluesit e LDK, elita intelektuale e kësaj lëvizjeje nacionale është e identifikuar me Ibrahim Rugovën, Sabri Hamitin, Eqerem Bashën, elitë e cila ka artikuluar politikisht në vitin 1989 kërkesat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, e jo vetëm në Kosovë. Inkuadrimi im në strukturat e LDK ka qenë në bazën e këtyre kërkesave, nuk ka qenë për luajalitet, po ka qenë më tepër se këto politika kanë patur një udhëheqje të brendshme legjitime. Unë kam pas ulje e ngritje në këtë ecje 18-vjeçare, por mendoj se kam qenë kryesisht një zë mjaft kritik brenda LDK.

Si shpjegohet ky dualitet UÇK-LDK?

Fillimisht, ka patur moskuptime, ka pas shumë njerëz që kanë qenë pjesë e partisë në LDK, por që kanë qenë të përfshirë dhe në luftën çlirimtare me UÇK. Shumë njerëz kanë dalë në luftë, janë vrarë, po ka dhe të tjerë që i janë kthyer qendrave politike, dhe unë s’e kam patur fatin të vazhdoj në luftë për shkak të burgosjes në vitin 1998, po menjëherë pas çlirimit i jam kthyer jetës politike në Kosovë.

Sot, Kosova është e pavarur, cilat janë avantazhet e pavarësisë?

Më në fund është kapitalizuar kërkesa e popullit të Kosovës, ka qenë një rrugë e gjatë, e mundimshme. Avantazhi më i madh i pavarësisë është se Kosova është pjese e familjes evropiane sot.

Ka qenë e vështirë mbërritja në Deklaratën për Pavarësi, njohja? Ju keni qenë pjesë e ekipit të Unitetit.....

Deklarata për Pavarësi ka qenë e koordinuar dhe njohja po ecën me të njëjtin ritëm, është një njohje e koordinuar ndërkombëtare. Ka komplikime, në veçanti për shkak të pozitës së Federatës Ruse, e cila është definuar në qershor të vitit të kaluar si politikë ndaj Kosovës. Deri në qershor 2007, Federata Ruse ka qenë aktive në Grupin e Kontaktit për Kosovën, ka pasur një qasje pozitive! Nuk duhet harruar vota e Rusisë në Këshill të Sigurimit për nevojën e hapjes së statusit. Ripërcaktimi i pozicionit të Federatës Ruse ndaj Kosovës ka shkaktuar komplikime në përfundimin e këtij procesi, por realisht Kosova ka arritur të përfundojë një proces politik shumë të madh në interes të popullit të vet dhe tash do të vazhdojë pjesa tjetër e historisë së re.

Sa kohë mendoni që do të zgjasë procesi i njohjes së shtetit të Kosovës?

Unë mendoj se deri në fund të këtij viti, Kosova do ta arrijë deri në njëqind numrin e shteteve që do ta njohin atë. Rinjohje dhe pranim në OKB me dy të tretat e anëtarëve do të jetë punë e gjatë dhe e madhe. Unë besoj se për një vit janë objektivat e qeverisë së Kosovës për t’i integruar këto struktura. Sinqerisht mendoj se kjo do të marrë pak më shumë kohë. Kjo për shkak të Federatës Ruse, roli i së cilës mbështet qëndrimin serb.

Njohja duket sikur po ecën me ritme tepër të ngadalta, ndërkohë që Kosova po humbet shumë kohë!

Po, është e vërtetë që politika e jashtme e Kosovës nuk ka ditur të imponohet ne arenën ndërkombëtare. Ministri i Jashtëm i Kosovës do të duhej të kishte kontakte dhe të niste një lobim me homologët e tij në botë, po kjo fatkeqësisht s’ka ndodhur deri tash...!

Po me ato shtete që nuk e njohin Kosovën si shtet, si do të punohet?

Nëpërmjet shteteve partnere që tashmë e kanë selinë në Vjenë. Një numër i madh si vendet anëtare të BE, SHBA, shtete të cilat kanë qenë themeluese të misionit të OKB në Kosovë, sipas propozimit të Ahtisaarit, do të ndihmojnë Kosovën në ndërtimin e politikave në marrëdhëniet me jashtë, dhe në ndikimin e disa shteteve në njohjen e Kosovës, si Kongresi afrikan, Konferenca Islamike, të vendeve që kanë nevojë për sqarime, sidomos në shtetet ku problemet e tyre kufitare kanë krijuar hezitime, kanë krijuar mosbesim, në përfundimin e statusit të Kosovës, i cili është një rast tejet unik.

Minoritetet, çfarë vendi do të ketë pakica serbe dhe minoritetet e tjera në Kosovë? Çfarë parasheh Kushtetuta e shtetit të ri kosovar?

Po absolutisht, ato janë obligime, të cilat Kosova është angazhuar në kuadër të negociatave për status, janë obligime që Kosova i ka ndaj qytetarëve të vet, po gjithashtu obligime që monitorohen nga ndërkombëtaret. Kushtetuta është zyrtarizuar në parlament. Në Kosovë, në veçanti, qytetarët serbë –kosovarë do të kenë të drejta të garantuara, dhe ashtu siç është rasti i Kosovës unik, dhe të drejtat e komunitetit serb janë unike në Kosovë e i tejkalojnë konventat e pakicave nacionale, i tejkalojnë shembujt e shteteve ne mbrojtjen e tyre. Jo vetëm që gjuha serbe dhe alfabeti janë zyrtare dhe të barabarta me gjuhën e shumicës, po dhe të drejta në parimin e votës në parlament, me ulëse të rezervuara në parlament përveç ulëseve të drejtpërdrejta. Me Këshill të veçantë të komuniteteve pranë zyrës së Presidencës, pozita të garantuara në nivel qeveritar, pavarësisht nga rezultati zgjedhor, në pozita të zëvendësministrave për ministritë që janë me interes vital të komuniteteve, si arsimi, punët e brendshme, kultura, krijimi i vetëqeverisjes lokale dhe të të drejtave specifike, të drejtat që Beogradi zyrtar të mund të financojë dhe të ndihmojë ndërtimin e kapaciteteve dhe rindërtimin e jetës, megjithëse kjo duhet të kalojë nëpërmjet marrëdhënieve dypalëshe.

Beogradi po bën presione të vazhdueshme njëra pas tjetrës. Cili mendoni ju do të jetë statusi i serbëve në Kosovë? Si do të funksionojnë ata, nëse refuzojnë dialogun dhe bashkëpunimin me ju?

Pavarësisht qëndrimit të Beogradit, në raport me komunitetin etnik të serbëve të Kosovës ne do t’i implementojmë të gjitha të drejtat që iu takojnë. Edhe nëse ata s’kanë vullnet, oferta do të mbetet e hapur dhe do të jetë obligim kushtetues i institucioneve të Kosovës për t’i zbatuar këto të drejta. Vështirësi do të ketë, nëse sfidohet kjo politikë, sepse serbët e Kosovës tradicionalisht janë nën ndikim e drejtpërdrejtë të Beogradit. Brenda një viti do të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë, kjo për shkak të vënies në jetë të politikave dhe për shkak të implementimit të decentralizimit. Në Kosovë zyrtarisht jetojnë nga 2,4 milionë banorë, afro 200 mijë serbë të Kosovës, prej të cilëve 60 mijë janë të shpërngulur, brenda dhe jashtë Kosovës. Këta 140 mijë serbë do të jetojnë në 10 komuna që shtrihen në të gjithë territorin e Kosovës.

Si do të bëhet riorganizimi i këtyre komunave?

Aty ku ka një komunitet të përqendruar të serbëve deri në 5000 banorë, do të themelohet institucioni komunal për interesa që do të zgjedhin dhe do të jenë të udhëhequra nga serbët e Kosovës. Në Kosovë, 140 mijë serbë do të jetojnë në 10 komuna, ndërsa 2,3 milionë banorë (shqiptarë), do të jetojnë në 22 komuna. Duke iu krijuar mundësinë që ata të jenë bartës të politikave lokale të tyre. Hapësirë, mundësi! Duke ua njohur dhe të drejtat e veçanta të arsimit, mjekësisë, kulturës dhe të drejta të tjera në rrafshin e pushtetit lokal, i cili është shumë i decentralizuar në Kosovë, në anën tjetër, dhe mbrojtja dhe mbështetja për Kishën Ortodokse Serbe do të jetë gjithashtu në bazë të kësaj marrëveshjeje e respektuar. Ne e njohim strukturën, kanunin dhe hierarkinë saj, e cila nuk ka ndryshim as në emër, as në zakon, dhe ne nuk do të ndikojmë në asnjë rrafsh. Antipodi i kësaj është se qeveria e Serbisë ndikon në strukturën, në politikat e Kishës dhe në aktivitetin e Kishës.

Në rast se serbët vazhdojnë të bllokojnë çdo komunikim me pjesën jugore të qytetit, cila do të jete zgjidhja për Mitrovicën?

Zgjidhja për Mitrovicën do të jetë një qytet, dy komuna. Pjesa veriore përbëhet nga serbët dhe ata do të kenë komunën e tyre, e njëjtë do të jetë dhe me pjesën jugore, ku banojnë shqiptarë. Këto dy komuna është paraparë të mbikëqyren nga Bordi i Koordinimit të Ndërkombëtarëve nën mbikëqyrjen e ICO, dhe do të mbikëqyrë interesat e të dy komunave.

Si po punohet me çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës së vitit 1999?

Gjatë pesë viteve të fundit, gjatë dialogut teknik me Beogradin kemi zhvilluar shumë takime pune me udhëheqjen e Kryqit të Kuq, kemi zgjidhur shumë raste, po kanë mbetur diku 2000 raste të pazgjidhura, kjo si pasojë e mosbashkëpunimit të Serbisë. Në këtë pikë politika zyrtare e ish-kryeministrit Koshtunica ka qenë të zvarrisë çdo çështje të rëndësishme, si ajo e të humburve, e refugjatëve dhe e çështjeve të tjera, që lidhen ngushtë me statusin, dhe kjo tragjike ka qenë për familjet që presin akoma, dhe të humburit të mbeten peng i politikës. Sot, Kosova dhe Serbia duhet të bashkëpunojnë në zgjidhjen e këtyre çështjeve që kanë të bëjnë me të zhdukurit e luftës.

Me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës Serbia hyri në një krizë të thellë politike, morale, sociale. Si e parashikoni evolucionin e Serbisë në të ardhmen dhe a mendoni se do të vendoset një partneritet në të ardhmen me Kosovën?

Serbia de facto ka qenë në krizë, tendenca e vazhdueshme e ish-kryeministrit Koshtunica që të bëjë një zhvendosje të politikave drejt radikalëve, të cilët njihen si luftënxitës të të gjitha luftërave në ish-Jugosllavi, dështoi. Qeveria aktuale serbe ende përpëlitet mes së kaluarës dhe së ardhmes evropiane, por, nëse nuk ka konsensus për sa i përket orientimeve evropiane dhe nuk ka konsensus për sa i përket raporteve me Kosovën, Serbia do të qëndrojë në vend...

Serbia është shtet i madh, që ka influencë në stabilitetin në rajon dhe nuk mund të ketë kthim prapa, ajo duhet të shohë drejt së ardhmes evropiane.

A është klasa politike kosovare gati për të marrë në dorë drejtimin e Kosovës?

Politika kosovare ka ecur nëpër një rrugë të vështirë në ndërtim të identitetit të vet. Domosdoshmërisht duhet të konstatohet që nevoja për kapacitete dhe për mbështetje të shtetit dhe në nivelin politik ekziston. Në dy shtyllat kryesore ne do të kemi mbështetje në fushën e sigurisë dhe të drejtësisë, misioni i EULEX-it do të jetë mbi 2000 persona, që do të mbështesin zhvillimin e politikave. Sipas parashikimeve, pas 3 viteve do të ketë një rivlerësim. BE do të rishikojë nevojat e Kosovës, e do të vendosë për formën e misionit se si do të vazhdojë.

Unë, personalisht, besoj se EULEX si prezencë do të qëndrojë në Kosovë, deri në kohën që Kosova do të integrohet në BE, për shkak se rajoni i Ballkanit perëndimor ka nevojë për asistencë në fushën e drejtësisë dhe të policisë, ka nevojë për politika të qarta, asistencë, bashkëpunim rajonal, trafikimi i njerëzve, lufta kundër trafikut ka një nevojë të madhe për bashkëpunim.

A do të duhet të mbahen zgjedhje të reja sipas pakos ‘Ahtisaari’?

Besoj se koalicioni qeverisës PDK - LDK ka vendosur stabilitet, ka integruar minoritetet në qeveri, si dhe përfaqësuesit e partive politike serbe. Zgjedhjet, sipas propozimit të presidentit Ahtisaari, duhet të mbahen jo më larg se 9 muaj pas përcaktimit të statusit, por duhet patur parasysh se ai propozim është bërë si tentativë që problemi i Kosovës të vendosej në Këshill të Sigurimit të OKB. Në atë kohë zgjedhjet s’ishin parashikuar në Kosovë, vonesa e zgjidhjes së problemit të statusit ka sjellë zgjedhje në Kosovë në fund të vitit 2007, kur është ndërruar qeverisja në Kosove dhe besoj se do të jetë një vlerësim vitin tjetër, nëse ka nevojë të mbahen zgjedhjet apo jo, e kjo për shkak të Kosovës, e jo për shkak të asaj që është e parashikuar nga Ahtisaari.

A do të ketë një rikonfigurim të klasës politike kosovare?

Kosova ndodhet tashmë në një faze të tranzicionit politik. Besoj se do të ketë një lëvizje apo grupim të forcave politike rreth nevojave apo aspiratave të politikës kosovare. Është më se e nevojshme tashmë të ndodhe një profilizim i partive politike. Deri në momentin e statusit të gjitha partitë e kane pasur një orientim, e tash dhe politika do të duhet t’i adaptohet realitetit kosovar. Deri tani ka patur një konsensus të të gjitha partive në lidhje me statusin, demokratizimin etj., sot partitë duhet të reformohen, të krijojnë programet e tyre si në çdo vend tjetër të botës.

Ku vendoset LDK në spektrin politik kosovar?

Ne jemi parti e qendrës se djathtë, po ende kuptimin programor nuk e kemi. As programin, as angazhimin tonë në qendrën e djathtë. Ne duhet të ristrukturojmë partinë tonë rreth një ideologjie të re, bartëse e aspiratave të anëtarëve dhe militanteve tanë.

A parashihet ndonjë reformim i brendshëm në LDK?

Në LDK kanë nisur disa përpjekje për reformim, po një reformim i mirëfillte ende s’ka hyrë në axhendë. Ajo që është kryesore, qëndron në faktin se LDK duhet të ndahet nga kaluara, sigurisht, pasi t’i ketë përfunduar të gjitha angazhimet e dikurshme, e të forcojë strukturat e saj me të rinj. Them ndarje nga e kaluara, sepse sot duhet që t’i adaptohemi sistemit, nevojave të popullit të Kosovës, nevojave që ka spektri politik kosovar në rrugën e tij të shtetformimit, dhe forcat tona duhet t’i gjejmë në të kaluarën tonë, në punën e bërë nga themeluesit e lëvizjes sonë dhe liderët tanë, të cilët kanë qenë me kohën dhe kanë patur një politike largpamëse, siç ishte politika e “lëvizjes paqësore” të presidentit Rugova, i cili e gërreu bashkësinë ndërkombëtare si ajo pika e ujit që gërryen shkëmbin! E ja ku mbërritëm sot, në Kosovën Republikë, ëndrrën e të parëve tanë! Për strategji të tilla dhe ideologji të tilla ka nevojë LDK sot!

Cila do të jetë e ardhmja e formacionit tuaj politik? A do të vazhdoje koalicioni qeveritar dhe për zgjedhjet e ardhshme apo secila nga partitë do të luftojë për interesat e veta?

Sigurisht që secili formacion politik, pasi të ketë kristalizuar politikat e veta se çfarë i ofron popullit të Kosovës, do të dalë si strukturë e pavarur e aleancat me siguri do të jenë paszgjedhore në funksion të rezultateve.

Çfarë dallimi ka qeveria ‘Thaçi’ nga qeveria që ju drejtuat së bashku me z. Agim Çeku?

Qeveria jonë ka qenë e angazhuar në arritjen e statusit. Mandati ynë, megjithëse situata në të cilën Kosova ecte ishte shumë e turbullt, me presione, ne kemi arritur të realizojmë dhe të shtyjmë përpara axhendën, ka qenë e vështirë, po Grupi i Unitetit bëri realitet ëndrrën e shqiptarëve. Ndërkohë që qeveria ‘Thaçi’ ka nisur punën me pragmatizëm, sigurisht gjithnjë ka vend për kritika, si në qeverinë tonë, qoftë dhe për koalicionin aktual kuqezi, por Kosova tash është shtet dhe Thaçi e ka më të lehtë të udhëheqë vendin sesa ne në mandatin e mëparshëm.

Kosova ka nevojë të thithë trurin e saj nga jashtë dhe t’i angazhojë në shtetformim, ç’mendoni ju lidhur me këtë?

Një prej burimeve që ka Kosova është rinia e saj, jo vetëm për shkak të moshës mesatare, po për shkak se numri i të rinjve kudo që ndodhen, në Kosovë dhe jashtë, kanë patur mundësi të shkollohen. Kosova sot ka nevojë që këto kapacitete t’i kthehen Kosovës dhe rigjenerimin ta bëjmë me të tilla kapacitete. Kosova për 18 vjet ka qenë e fokusuar në kërkesën politike për të qenë e pavarur, po ashtu dhe gjenerata e mëparshme e viteve ‘80 që ka luftuar për të drejtat tona, tash e ka realizuar qëllimin e vet dhe duhet ta bartë zhvillimin evropian të Kosovës në duart e një gjenerate të re, në atë të shekullit të XXI!

Cili duhet të jetë lajtmotivi kryesor i Kosovës së pavarur?

Domosdoshmërisht, Kosova do të ketë si lajtmotiv perspektiven evropiane! Kjo është dhe një mundësi e Kosovës që të integrohet e të zhvillohet! Ne angazhohemi që Kosova të funksionalizohet dhe të shërohet nga sëmundjet e saj: post-lufte, post-jugosllave, post-komuniste, post-UNMIK, tash kërkon një zhvillim dhe një qasje të re politike në të ardhmen e afërt! Evropa dhe NATO janë terminali i Kosovës së pavarur.

ǒqasje ekonomike ka Kosova sot?

Ekonomia e tregut të lirë! Kosova ka nënshkruar marrëveshje të tregut të lirë me gjithë vendet në rajon, përveçse me Serbinë. Kosova është një treg i hapur, mundësitë ekonomike janë të kufizuara, por, sipas planifikimeve, Kosova do të jetë një prej vendeve me burimet më të mëdha në energji në krejt rajonin, dhe investimet do të përqendrohen aty. Energji, miniera, minerale, ku Kosova ka mundësi të mëdha!

Cila do të jetë ushtria e Kosovës?

Do të kemi Ministrinë e Mbrojtjes: kontrolli civil mbi forcat e sigurisë së Kosovës. Këto forca do të jenë forca të limituara. Trupat mbrojtëse si organizate civile që kanë funksionuar në strukturë komanduese dhe që janë transformuar nga ish-UÇK, do të shkrihen dhe do të ndërtohen forca të sigurisë. Në kapacitete, në përputhje me standardet e NATO-s, nga numri i banorëve, për të qenë pjesë e partneritetit nesër për paqe Kosova po ndërton një force efektive me armatim të lehtë dhe e specifikuar në atë që quhet mbrojtje e vendit.

Po KFOR?

KFOR do të ndryshojë emrin, po jo mandatin, prezenca e tij do të vazhdojë të qëndrojë, prezenca nuk është vetëm për Kosovën, por për stabilitetin e të gjithë rajonit. Prezenca në numër, në strukture dhe në mandat do të mbetet në Kosove për një kohë më të gjatë. Derisa nuk kemi integrim të rajonit në strukturat euro-atlantike, KFOR do të qëndrojë më gjatë se EULEX.

Çfarë burimesh ka Kosova, të cilat e bëjnë atraktive për investitorët?

Energjia – investime direkte deri në 3,4 miliardë euro. Sipas marrëveshjes së Athinës, Kosova do të furnizojë rajonin me energji. Minierat dhe mineralet janë një tjetër mundësi. Burime nëntokësore kemi ferro-nikelin, me të Kosova është e përfaqësuar në tregun botëror nëpërmjet një ndërmarrjeje të madhe britanike që e ka privatizuar këtë aset dhe e ka rikthyer në tregun botëror. Po, sigurisht që Trepça mbetet kompleksi dhe resursi më i madh, i cili prodhon hekur, zink, argjend, dhe koncentrate të mineraleve të tjera, jo me sasi të mëdha.

Trashëgimia kulturore e Kosovës, si po veproni me ruajtjen e Kishave Ortodokse, për të cilat UNESCO ka shpallur një status të veçantë?

Realisht kishat janë në një mbrojtje të veçantë. Ne kemi bërë zonifikimin e kishave. Ne, në biseda me ndërkombëtarët, kemi paraqitur propozime konkrete, të cilat janë venë në zbatim. Zonifikimi dhe në vende urbane, dhe rurale, se dhe si pasuri, dhe si vlerë shtetërore, dhe shpirtërore ne do t’i mbrojmë, se ato i përkasin Kosovës, njëkohësisht janë dhe pasuri e njerëzimit.

Ju keni nënshkruar shumë marrëveshje me Shqipërinë, një afrim, i cili shihet me skepticizëm dhe duket si një lloj uniformizimi i dy vendeve, me idenë e realizimit të Shqipërisë së Madhe..

Këto vitet e fundit mes Shqipërisë dhe Kosovës është nënshkruar një numër i madh i marrëveshjesh. Një pjesë e tyre janë vënë në jetë. Është domosdoshmëri dhe në kuptimin e lidhjeve të natyrshme që Kosova ka me “Albtelekom”-in dhe të lidhjeve të përbashkëta. Bashkëpunimi me “Albtelekom”-in do të jetë specifik, është partneri kryesor. Deri më 17 shkurt 2008, ka qenë vendi amë! Kosova po krijon identitetin e saj kosovar, po s’duhet harruar se është një derivat territorial i Shqipërisë, në të cilën drejtësia u vendos tash pas 100 vitesh, dhe nuk mund të dalë jashtë identitetit të vet nacional.

Rruga Durrës-Kukës apo Rruga e Shqiptarëve, një investim strategjik?

Është Rruga e Shqiptarëve dhe e afirmuar shumë herë, në vitin 1996 është përmendur si një mundësi për të zhvilluar nevojat ekonomike. Ka qenë një ide e presidentit Rugova, kur në pushtet në Shqipëri ishte qeveria e presidentit, Sali Berisha. Në atë kohë Kosova premtonte se do të angazhohej në ndërtimin e kësaj rruge, pasi të bëhet e pavarur. Përfundimisht, ajo po realizohet. Është një rrugë, e cila do të integrojë Shqipërinë dhe Kosovën, dhe përfitimet për veriun e Shqipërisë do të jenë të mëdha, i cili do të ketë një hov të madh ekonomik falë kësaj arterieje! Ajo do të orientojë jo vetëm turizmin në fazën sezonale, por 1 milion kosovarë që qarkullojnë në rajon! Do t’i jepet ndihmë popullit të Kosovës dhe biznesmenëve të tij, po ashtu dhe atyre të Shqipërisë që të qarkullojnë lirshëm, duke e sjellë dhe portin e Durrësit shumë afër me Kosovën.

Krijimi i Shqipërisë së Madhe? Sot, Kosova e pavarur?

Sa i përket historisë së Shqipërisë së Madhe, dhe gjatë kohës së Jugosllavisë së Titos kjo doktrinë e Akademisë së Shkencave të Serbisë ka ekzistuar duke i penguar të gjitha komunikimet mes shqiptareve të Kosovës, dhe të Maqedonisë, të cilët kanë qenë një familje, po të ndarë me vijë administrative, e jo më të flasim për ata të Shqipërisë, ku hendeku ka qenë më i madh! Shqipëria e Madhe tashmë përkufizohet nga Nishi deri në Sanxhak, që është sot edhe një pjese më e madhe e territorit që ka mbetur brenda Serbisë. Kosova është derivat territorial, që ka mbetur në rrafshin e shpërbërjes se ish-Jugosllavisë. Kështu që bashkëpunimi dhe integrimi i Kosovës me Shqipërinë nuk do të pengoje zhvillimin tonë në përparësi.

Cilët janë partnerët tuaj kryesorë në rajon?

Partner strategjik është Maqedonia, për shkak të stabilitetit, në të ardhmen e afërt do të jetë me siguri Serbia. Aspiratat tona kanë qenë që të kemi marrëdhënie të mira me Greqinë, si shteti i BE më afër nesh.

Si e shikoni të ardhmen e Evropës Juglindore? Çfarë roli do të luajë një Kosovë e pavarur?

Ballkani po zvogëlohet gjithnjë e me shumë, 22 milionë banorë dhe rruga shkurt për integrim në BE. Ballkani perëndimor s’i ka më tepër banore sesa Rumania sot. Paqja dhe stabiliteti në rajonin e Evropës Juglindore do të sigurohet jo vetëm nga politikat që ne do të ndërmarrim, por dhe nga objektivi i qartë dhe drita jeshile e institucioneve euro-atlantike. Rruga shkurt për siguri është integrimi i krejt Ballkanit perëndimor. Kosova sot duhet të ndjekë një politike të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunojë në të gjitha sferat e marrëveshjeve rajonale për integrim në NATO dhe në BE.

* Studiuese dhe këshilltare pranë revistës franceze “Politique Internationale”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›