E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpallet në kërkim nënshkruesi i kontratës së shitjes së ARMO-s

Antena brenda familjes

Disa televizione të Tiranës njoftuan ditën e shtunë me titra, pa spiker dhe pa iu referuar asnjë burimi se “u nënshkrua kontrata për shitjen e ARMO-s”. Titra e dytë që pasonte thoshte se kontrata do miratohet nga qeveria shqiptare, pastaj nga parlamenti. Qesharake ishte, se askush nuk thoshte kush e nënshkroi, ku e nënshkroi dhe kur e nënshkroi. Titrat ishin pa asnjë referencë dhe dukej qartë se ishin kundërpërgjigje ndaj gazetës “TemA”, e cila ka denoncuar skandalin, pasi ligjërisht ky konsorcium e humbi të drejtën për të blerë ARMO-n, pasi data e fundit kur ai duhet të firmoste ishte 18 gushti. Çdo kontratë e nënshkruar pas 18 gushtit është antiligjore dhe qeveria shqiptare mund të penalizohet rëndë për këtë, pasi kompania tjetër mund ta padisë në Gjykatën Ndërkombëtare.

Por, duke e marrë seriozisht lajmin e dhënë me titra, pa kohë, pa vend, pa subjekt, vendosëm të hetojmë. E nisëm me ministrin Ruli. E morëm në telefon, e kishte të fikur. Thirrëm në zyrën e tij dhe na thanë që është me pushime shumë larg Tiranës. Nuk deshëm t’i prishnim pushimet, por u bindëm që ai nuk e ka nënshkruar. Morëm zotin Alibali. As ai s’e kishte hapur telefonin. Morëm zyrën e tij dhe na thanë se zoti Alibali është me pushime.

Atëherë i hymë punës më thellë. Morëm zyrën e “Texas Refinery” në SHBA dhe e pyetëm kush nga zyra ka ardhur për të nënshkruar në Tiranë dhe s’dinte njeri të na jepte përgjigje, pasi shefat që janë njëkohësisht dhe punonjës të firmës ishin në SHBA. Dhe “Anika” ishte në Zvicër. Drejtuesit e “Taçi Oil” ishin të vetmit që ishin në Tiranë dhe ishin parë redaksi më redaksi që t’u luteshin të fusnin titrat që kontrata u nënshkrua.

Të çuditur nga lajmi vendosëm të pyesim mikun tonë, Flamurin, për të na shpjeguar këtë situatë. Pasi u mendua pak, tundi kokën në shenjë mosbesimi dhe filloi të na shpjegojë si është puna.

- Lojën e kanë bërë këta të “Taçi Oil”, - tha, - mos i shani kot këta të qeverisë. Qeveria është në rregull. U ka thënë bini letrat dhe lekët të nënshkruajmë kontratën. Ata nuk kanë lekët praktikisht dhe kanë vetëm letra. Por që të mos kuptohet që nuk kanë lekë, nuk sjellin letrat. Dhe kështu e kanë lënë një letër mangut, një prokurë koti nga njëra prej kompanive. Duke e lënë mangut atë letrën, duket sikur i kanë lekët, por po vonohen kot. Këta të ministrisë janë burra të mirë, mos i shani kot. Ata në fakt nuk kanë dashur fare ta marrë kjo kompani, po iu ulërin ai burri. Ai është i madh. Dy muaj para, kur të gjithë thoshin që ARMO nuk shitet as 90 milionë, ai tha çmimin fiks në kokë, “125 milionë do ta shesim”, - tha. Është i paparë për parashikime. Dhe që atëherë tha që mund ta marrin ca amerikanë. Desh të futej në lojë dhe një miku im, po s’e ndihmova dot. E kam pas ndihmuar nja dy herë të fitojë tendera në ARMO, po më gënjeu, s’më dha gjë. Vetëm ca arra dhe raki për Vit të Ri. Që atëherë i kam thënë, mo të të shoh më këtu para PD. Tani që erdhi tenderi, u kujtua prapë për PD. I thashë atij burrit, prite mor, mo i jep shans ta blejë ARMO-n, se na ka gënjyer, s’na ka dhënë lekë herën e parë. “Mirë, - tha, - ashtu do bëj”. E priti kot, u bëri qejfin atij dhe ca amerikaneve të tjerë dhe ua futi. Këta që e kanë blerë, e kanë hallall. Këta paguajnë. Madje parapagim, po jo për ARMO-n. Për këta që i ndihmojnë. Tani, e kanë ca vështirë për paratë, po unë them se do t’i gjejnë. Ka kohë. Me këto letrat mund ta shtyjnë deri në dhjetor. Kush e mori vesh, o mixhë, u nënshkrua apo s’u nënshkrua marrëveshja. Mjafton të jepet lajmi që u nënshkrua. Pastaj, nga gjyqet nuk çan kokë qeveria jonë. Sa gjyqe kemi humbur ne, u bë kiameti se humbëm dhe një. Para një jave e humbëm gjyqin me “General Electric”, 12 milionë euro për hekurudhën elektrike të Nanos. Po ta kishin bërë, aq do fitonin ata. Kështu dhe paratë na i morën, dhe hekurudhën s’na e bënë. Po kush po çan kokë për pará. Mjafton të bëhet si themi ne.

- D.m.th., ti thua që kontrata nuk është nënshkruar, se ata s’gjejnë dot paratë?

- Pará kanë ata, o mixhë, sa të duash, po ai burri i do me bankë. Se kështu cash kanë sa të duash ata. Po në bankë pak vështirë. Ishallah gjejnë ndonjë zgjidhje deri nga viti i ri dhe pastaj kanë paratë e ARMO-s. I marrin si kredi, ia japin shtetit dhe i kanë aty lekët. Dhe ato për investime i kanë kollaj. Se e kanë në kontratë që nuk do tatohet investimi. Po u fale taksat për 5 vjet këtyre të naftës, jo 250 milionë, por 2,5 miliardë mund të investosh. Kanë bërë kontratë me mend. I thashë atij burrit, kujdes me kontratën dhe më dëgjoi. E ka bërë të mirë.

- Po si do ta justifikojë qeveria këtë lajmin fals për nënshkrimin e kontratës?

- S’ka dhënë gjë lajm qeveria. Gjejeni po deshët atë që ka dhënë lajmin, se po i themi policisë ta shpallë në kërkim. S’ka dhënë njeri lajm. Shtypi nuk e di ç’bën. Ne shtypin nuk e ngacmojmë, se jemi për shtyp të lirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›