E Diel, 1 Nëntor 2026

Bogdani i përgjigjet Braçes: Rrugët i kemi shtruar me paratë tona

Zëdhënësi i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, ka hedhur poshtë dje akuzat e nënkryetarit të PS, Erion Braçe, i cili deklaroi se kryeministri Berisha po inauguron rrugët e nisura nga qeveria socialiste. Sipas Bogdanit, Edi Rama po u fakton çdo ditë shqiptarëve se politika e tij bazohet në mashtrime dhe trillime.

“Sërish ai nxori yllin shkëlqyes të kësaj politike, z. Erion Braçe, që të vjellë vrer ndaj rrugës së shekullit të shqiptarëve, Durrës-Morinë, duke dëshmuar se interesat antikombëtare, korruptive të tyre, qëndrojnë mbi të gjitha interesat e tjera. Zëdhënësi i parë i z. Rama deklaroi se rruga Gjirokastër-Tepelenë, për të cilën 10 ditë më parë e shpalli se nuk po përfundon dhe është e papërfunduar, është bërë me paratë e qeverisë socialiste. Ndërkohë, i tërë segmenti ka filluar ndërtimin pas dëbimit me votën e shqiptarëve nga pushteti të regjimit kleptokratik të qeverisë së tij dhe është ndërtuar në çdo km me fonde të përfshira brenda tavaneve buxhetore të qeverisë dhe mazhorancës që me punën e saj po ndryshon sot Shqipërinë. Se ç’do bënte z. Rama apo qeveria socialiste me rrugët e Shqipërisë, qytetarët shqiptarë kane mundësi ta shikojnë në Tiranë, ku çdo 500 m rrugë i inauguron 3 herë dhe i shtron për 4 vjet”, - tha Bogdani

Braçe: Berisha po tallet me Jugun e Shqipërisë

Braçe i kthehet akuzave ndaj qeverisë për rrugën Durrës-Kukës-Morinë. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist tha dje se shumica e investimeve në rrugë ka kaluar në aksin Rrëshen-Kalimash dhe kjo, sipas Braçes, është bërë me qëllim që të përfitojnë kryeministri dhe të tjerë zyrtarë të qeverisë. Duke komentuar deklaratat e Berishës dy ditë më parë në Tepelenë, Braçe tha se kryeministri Berisha po tallet me Jugun e Shqipërisë, kur vazhdon të bëjë premtime, ndërsa të gjitha investimet i ka përqendruar pikërisht në Rrëshen-Kalimash, atje ku, sipas Braçes, po vazhdon abuzimi. Erion Braçe tha dje se kryeministri Berisha nuk thotë të vërtetën, kur deklaron se qeveria po ndërton 800 km rrugë në Shqipëri. Sipas Braçes, asnjë prej premtimeve të Berishës nuk është realizuar, pasi, sipas tij, duhet të kishte mbaruar autostradat Lushnjë-Fier, Fier-Tepelenë, Tepelenë-Gjirokastër, Fier-Vlorë, Shkodër-Han i Hotit dhe Bypass të Fierit. Braçe tha se asnjë prej këtyre rrugëve nuk ka mbaruar, kur afatet kontraktuale kanë përfunduar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›