Hedh gabimisht diskun, i thyen hundën kundërshtares
Një ngjarje qesharake por edhe e rrezikshme ka ndodhur në Kampionatin Botëror të Atletikës, që po mbahet në Moskë.
Atletja ukrainase Natalija Semenova ka përjetuar momente jo të këndshme gjatë kualifikimeve për hedhjen e diskut. Semenova rastësisht është qëlluar nga polakja, Zaneta Glanc në fytyrë dhe e ka thyer hundën.
“Isha afër Semenovas kur ndodhi kjo. Polakja ishte duke u ngrohur kur e qëlloi në fytyrë”, tha atletja kroate Sandra Perkoviç, e cila ishte dëshmitare e rastit. “Hundën e kishte të thyer, vrapova ta ndihmoj, ia dhashë peshqirin dhe ujin”, tha ajo.
Semenova mori ndihmën e parë dhe vendosi maskën në fytyrë dhe pavarësisht dhimbjeve ajo vazhdoi garat.