Heidel: “Nuk solla një Balak, por Hyka kërkohej nga 10 ekipe”

Pas ditëve me ritëm të kurorëzuar me nënshkrimin e kontratave, te FSV Mainz 05, skuadra e re talentit shqiptar Jahmir Hyka, është rikthyer qetësia, por dhe momenti i duhur për të bërë në bilanc të parë të merkatos.
Manageri Christian Heidel flet padyshim edh për blerjen e ish-lojtarit të Tiranës. "Nuk mund të premtoj se do të sjell në ekip një Mikael Balak, por për rastin e Jahmir Hykës ishin saktësisht dhjetë ekipe të tjera që prisnin. Ne i kemi përgatitur mirë të gjitha transfertat, përndryshe do t'i kishim humbur duelet me të tjerët", - thotë Heidel për rhein-zeitung.de.
Klubi gjerman i themeluar në vitin 1905 ka një politikë të qartë në rekrutimin e lojtarëve të rinj, në maturimin dhe shitjen me qëllim përfitimi.
Vetëm një ditë pas angazhimit të lojtarit të Kombëtares shqiptare, "Maradonës shqiptar" Jahmir Hyka (20 vjec), Mainz 05 shiti te Borusia e Dortmundit qendërmbrojtësin Neven Subotic (19 vjec): shuma e transferimit 5 milion euro.
"Transferimi i Subotic te Borusia e Dortmundit është transferimi më i madh në historinë e Bundesligës 2. Unë e di që do të ketë kritikë, që do të thonë, sesi është e mundur që ne lamë të na ikte një djalosh i tillë. Unë u përgjigjem, se ne do të shkojmë në këtë rrugë më tej. Ne kemi përfituar gjatë dy viteve rreth 10 milionë euro nga transferimet. Kur dikur nga një transferimi fituam 300 mijë marka nuk kam fjetur për dy ditë".
Edhe trajneri Jorn Andersen shprehu më parë kënaqësinë e blerjes së talentit shqiptar. "Unë e di, që Jahmir Hyka kërkohej nga shumë klube në Gjermani e vende të tjera. Me të ne kemi marrë një futbollist të shpejtë dhe krijues, i cili është në gjendje të prodhojë momente suprizë në fazën ofensive".
Gjithsesi, Heidel është i qartë: "Mos prisni mrekulli nga ai. Është vetëm fillimi". Në Shqipëri 20-vjecarin Hyka e mbajnë si një talentet më të mëdha të dhjetë viteve të fundit. Nofka e tij "Maradona e Ballkanit" ka ndikuar jo pak në transferimin e tij te klubi gjerman, aq më tepër që ai shihej si pasuesi i 22-vjecarit Luka Modric te Dinamo e Zagrebit, i cili u transferua për 21.5 milionë euro te Tottenham Hotspurs.
Sipas Heider, Hyka, kartoni i të cilit ishte pronë e Olimpikut të Tiranës, një skuadër e katëgorisë së dytë shqiptare, do të jetë në krahun e majtë të mesfushës së avancuar së bashku edhe me rivalin e tij, Markus Feulner. Mainz ka blerë deri tani Peter van der Heyden (VfL Wolfsburg), Aristide Bance, Niko Bungert (të dy nga Kickers Offenbach), Felix Borja (Olympiakos Pireus), Florian Heller (Erzgebirge Aue) dhe Jahmir Hyka (Olimpik Tirana).
Hyka ndodhet për momentin në Itali, por më 27 qershor, dy ditë para grumbullimit zyrtar të ekipit për kryerjen e fazës përgatitore, ai do të jetë në Gjermani. Testi i parë i Jahmirit me fanellën e kuqe të skuadrës së re do të jetë, më 5 korrik, kundër një ekipi amator, Bavaria Ebernburg. Gati, një muaj më pas do të jenë dhe provat serioze në "Kaiserstuhl-Cup", ku kundërshtarë janë SC Freiburg dhe Bayer Leverkusen.