Hej Slloveni

Presidenti i Republikës së Sllovenisë, Danilo Turk, të hënën gjatë një vizite në Prishtinë, i ka dhënë një shpjegim humanist çështjes së lëvizjes së lirë të kosovarëve në shtetet anëtare të Bashkimit Europian.
Ai tha se lëvizja e lirë është parim bazë i të drejtave të njeriut.
“Liria e lëvizjes është një prej parimeve dhe të drejtave themelore të njeriut. Kështu që, heqja e vizave nënkupton mundësinë e zbatimit të kësaj të drejte”, tha Presidenti slloven, duke u dhënë kështu mbështetje ambicieve të autoriteteve të Prishtinës që edhe Kosova të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave me BE’në.
Në vizitën e parë zyrtare në Kosovë, Danilo Turk u takua me Presidentin Sejdiu, Kryeparlamentarin Krasniqi, Kryeministrin Thaçi, vizitoi trupat sllovene në Kosovë, ashtu sikurse edhe zhvilloi takime me komunitetin e biznesit. Ai shoqërohej edhe nga Ministrja sllovene e Mbrojtjes, Lubica Jelushiq dhe nga një grup biznesmenësh sllovenë.
Ai tha se Sllovenia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën, qoftë me praninë e saj ushtarake e civile, ashtu edhe në kuadër të politikave integruese europiane.
“Mbajtja e suksesshme e zgjedhjeve lokale dhe pjesëmarrja e serbëve ishin hapa inkurajues për shtetin e ri të Kosovës”, tha Turk, pas takimit me Sejdiun.
Por, Presidenti slloven rikujtoi se Kosova, ashtu sikurse edhe vendet e tjera që aspirojnë të integrohen në BE, duhet t’i plotësojnë kriteret e nevojshme.
Presidenti i Kosovës, ndërkaq, tha se Sllovenia në vazhdimësi ka luajtur rol konstruktiv në raport me Kosovën. Ai falënderoi shtetin slloven për këtë angazhim dhe premtoi bashkëpunimin konstruktiv të Kosovës me shtetin slloven.
“Për ne është aq më tepër e rëndësishme se ky përkushtim, kaq kualitativ, nuk ka mbetur vetëm në relacionet e drejtpërdrejta mes dy vendeve dhe dy popujve, por edhe me një angazhim të fuqishëm të Republikës së Sllovenisë edhe në qendrat ndërkombëtare, për të sqaruar mirë arsyet e mëvetësisë së Kosovës”, tha Sejdiu.
Kryeministri Thaçi, pas takimit me Presidentin Turk, tha se Kosova dhe Sllovenia kanë raporte të shkëlqyera.
“Kosova dhe Sllovenia kanë një historik të suksesshëm të marrëdhënieve bilaterale. Raportet mes shteteve tona do të njohin vetëm përparim”, tha Thaçi.
“Investitorët sllovenë kanë dhënë një shembull të mirë edhe për investitorët e vendeve të tjera. Kosova është një vend i mundësive për investime dhe zhvillim, si në infrastrukturë, energjetikë, turizëm dhe bujqësi. Investitorët sllovenë janë të mirëseardhur”, shtoi Kryeministri.
Mundësitë e bashkëpunimit ekonomik kanë qenë në fokus edhe të një konference që u zhvillua pasditen e së hënës mes biznesmenëve sllovenë dhe atyre kosovarë.
Presidenti Danilo Turk tha se Lubjana, sikurse e ka mbështetur Kosovën në aspektin politik, edhe është duke u angazhuar që të ketë marrëdhënie të mira ekonomike dhe një bilateralitet mes kompanive sllovene me ato të Kosovës.
“Kam mirëbesim që me një interes kaq të veçantë që është shfaqur nga dy vendet dhe komunitetet afariste, kjo konferencë do të kontribuojë drejt forcimit dhe krijimit të marrëdhënieve të mira afariste”, tha Turk.
“Në të kaluarën kemi ndërtuar lidhje të ndërsjella ekonomike dhe besoj që edhe në të ardhmen do të mbajmë nivel shumë të lartë të dialogut politik dhe do të përforcojmë bashkëpunimin tonë ekonomik me potencialet e ndryshme për këtë arsye jam këtu në Kosovë me përfaqësuesit e komunitetit afarist, me nevojën tonë për të përforcuar marrëdhëniet tona ekonomike”, shtoi Presidenti slloven.
Ai përmendi faktin që Sllovenia është një ndër investitorët me të mëdhenj të huaj në Kosovë, e cila deri tani ka investuar 550 milionë euro, ndërsa tha se duhet të punohet për të arritur një balancë tregtare dhe të ketë shanse për zhvillim edhe ekonomia e Kosovës.