E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ivanov refuzon ftesën e Sejdiut

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, duket se nuk do të marrë pjesë në Samitin e Presidentëve të Rajonit, që zhvillohet më 7 dhe 8 janar në qytetin e Prizrenit.
Burime të gazetës nga Kabineti i Presidentit maqedonas, kanë thënë se janë disa arsye se pse Ivanov nuk do të marrë pjesë në Samit.

“Ne ende nuk kemi marrë ftesë zyrtare për këtë takim. Por edhe sikur të kishim marrë ftesë, Presidenti Ivanov nuk do të mund të ishte në Samit, pasi që në atë kohë ka një agjendë të ngjeshur”, ka thënë burimi i gazetës.

Samiti i Prizrenit mbahet më 7 dhe 8 janar, me organizim të Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiut. Ftesa tashmë është konfirmuar nga Presidenti i Kroacisë, Stipe Mesic, ai i Malit të Zi, Filip Vujanovic dhe Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi.

Presidenti maqedonas, Gjorgje Ivanov disa herë ka habitur opinionin me veprimet e tij në raport me Kosovën. Kështu, ai nuk e kishte ftuar fare Presidentin Sejdiu në ceremoninë e inaugurimit të tij si President i Maqedonisë, derisa në atë ceremoni të pranishëm kishin qenë të gjithë presidentët e vendeve të rajonit.

Samiti i Prizrenit nga Beogradi zyrtar është konsideruar si një provokim, pasi që përkon me Krishtlindjet Ortodokse Serbe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›