Berisha: Agjencia do të ripërshtatet
22/12/2009 AKKP-ja
Qeveria do të vendosë rregullime në funksionimin dhe organizimin e Agjencisë Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pasi përballet me shqyrtimin e një numri shumë të madh ankesash. Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike se AKKP-ja duhet të shqyrtojë mbi 8 mijë dosjet ankimore para datës të skadimit të paraqitjes së ankesave. “Natyrisht, qeveria do të bëjë disa riaxhustime, pasi janë një numër i madh ankesash, me gjithë punën e madhe që është bërë. Kanë qenë rreth 40 mijë, tani kanë ngelur rreth 8 mijë, në mos gaboj. Është bërë punë voluminoze, por edhe këto 8 mijë do të kërkojnë ripërshtatjen e Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në përputhje me këtë vëllim të madh pune dhe qeveria sigurisht do të shqyrtojë mundësinë e një strukture të re për Agjencinë për të pasur të gjithë ekipin dhe burimet e mjaftueshme njerëzore për t’iu përgjigjur sa më shpejt shqyrtimit të 8100 dosjeve që janë pa u shqyrtuar”, - ka thënë kreu i qeverisë. Duke folur mbi projektligjet që do të shqyrtohen dhe votohen në seancën e fundit plenare të këtij sesioni parlamentar, Berisha evidentoi si tepër të rëndësishëm ligjin për banorët e zonave turistike, të cilët më parë ishin ferma dhe qytetarët kanë ngelur faktikisht pa një vlerësim. “Banorët e këtyre zonave kanë ngelur krejtësisht duarbosh. Komisioni – dhe unë nuk jam kundër këtij mendimi – propozon që dhënia e tokës të proporcionohet, të ketë një lloj proporcionimi për frymë të familjes. Dhe e kanë propozuar nga 300, minimumi gjer në 750 në varësi të frymëve të familjes. Unë jam dakord me këtë koncept”, - ka deklaruar kryeministri Berisha. Ai u shpreh se vlerësimi mund të shkojë edhe pak më tepër.