Analizë pyetjeve të dërguara nga KE
22/12/2009 Integrimi në BE
Komiteti i Koordinimit Ndërinstitucional për Integrimin Evropian do të mblidhet gjatë ditës së sotme për të diskutuar mbi aktivitetin dhe problematikën e deritanishme që ka shoqëruar procesin e plotësimit të pyetësorit të Komisionit Europian. Gjatë kësaj mbledhjeje do të miratohet raporti për mbledhjen e Komitetin Ndërministror për Integrimin Europian. Tashmë të gjitha grupet ndërinstitucionale të punës dhe institucionet e përfshira në proces kanë marrë pjesët përkatëse të pyetësorin dhe është bërë analiza e pyetjeve nga Ministria e Integrimit. Analiza konsiston në ndarjen (zbërthimin) e çdo pyetjeje në nënpyetje dhe përcaktimin e institucionit që duhet të përgjigjet për hartimin e përgjigjes për çdo nënpyetje. Ndërkohë pyetjet e analizuara u janë dërguar grupeve ndërinstitucionale të punës. Sipas Ministrisë së Integrimit, të gjitha grupet ndërinstitucionale në bashkëpunim me institucionet e përfshira në proces janë duke përcaktuar personat përgjegjës për hartimin e çdo pyetjeje dhe nënpyetjeje, të cilët do të regjistrohen si përdorues në portalin e administrimit elektronik të procesit dhe përgjigjeve. Gjithashtu është krijuar infrastruktura e nevojshme për përkthimin e përgjigjeve të pyetësorit të KE-së, e cila përfshin rrjetin kompjuterik dhe programet profesionale të përkthimit. Ndërkohë ka filluar përkthimi i pyetjeve të pyetësorit. Sipas Ministrisë së Integrimit, grupet ndërinstitucionale të punës kanë realizuar deri tani 18 takime, në të cilat është diskutuar analiza e pyetjeve. Gjithashtu gjatë këtyre takimeve janë bërë përmirësime në zbërthimin e pyetjeve të bëra nga Ministria e Integrimit.
Raportimi
Pas mbledhjes së ditës së sotme të Komitetit të Koordinimit Ndërinstitucional për Integrimin Evropian do të përgatitet një raport i detajuar, i cili do t’i kalojë për raportim Komitetin Ndërministror për Integrimin Europian, që drejtohet nga kreu i qeverisë.
Analiza
Ministria e Integrimit ka bërë analizën e pyetjeve të dërguara nga Komisioni Europian. Analiza konsiston në ndarjen (zbërthimin) e çdo pyetjeje në nënpyetje dhe përcaktimin e ministrisë apo institucionit që duhet të përgjigjet për hartimin e përgjigjes për çdo nënpyetje.