E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hejnkes: Bajerni do të shënojë edhe në Barcelonë

TIRANE-Trajneri i Bajernit të Mynihut, Jup Hejnkes, nuk trembet për ndeshjen e kthimit kundër Barcelonës, madje ai pohon se skuadra që ai drejton do të shënojë minimalisht një gol në “Kamp Nou” dhe misioni drejt finales së Uemblit do të jetë shumë më i lehtë. Sipas trajnerit Hejnkes, Barcelona vazhdon të mbetet skuadra më e mirë në botë dhe bavarezët duhet të përgatiten për të evituar surprizat.

“Ne jemi një skuadër që nuk luajmë të tërhequr dhe ashtu si në Mynih, do të kërkojmë sërish portën kundërshtare. Për mua është gjithmonë një kënaqësi kur vij në Barcelonë, sepse është një qytet plot me kulturë dhe shpresoj të them të njëjtën gjë edhe pas ndeshjes. Me Realin kam fituar, ndërsa me Atletiko Bilbaon e Tenerifen kalova dy sezone pa u mundur nga Barcelona. Duhet ta marrim në konsideratë kundërshtarin, por edhe ne kemi treguar se jemi një ekip që luan në nivele shumë të larta. Kur përjeton një ndeshje si ajo kundër Çelsit, teksa e humbëm një sezon më parë, e kupton se nevojiten ndryshime. Të gjithë lojtarët kanë reaguar dhe ndryshuar që nga ajo kohë, duke forcuar shpirtin e grupit. Unë kam shumë besim te skuadra, sepse mbetet e motivuar për të arritur në finale. Di të them që do të shënojmë të paktën një gol, për të tjerat ia lëmë fushës së lojës” – ka deklaruar ndër të tjera trajneri i Bajernit, Jup Hejnkes. Edhe njëherë tjetër, shumica e futbollistëve bararezë kanë deklaruar se Barcelona thyhet vetëm duke e sulmuar. Do ta bëjnë sërish këtë dhe do të fitojnë edhe në “Kamp Nou”? Kjo do të jetë e vështirë, por në krahun tjetër pritet që Bajerni të shënojë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›