E Diel, 1 Nëntor 2026

Hekuran Deda, Rama: Berisha ka detyrim ligjor të shpjegohet për tentativën e blerjes së vizitës

Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste ka reaguar lidhur me tentativën e Prefektit të qarkut Dibër për tjetërsimin e vendimit të Komunës Kala e Dodës, e cila ka shpallur Hekuran Dedën Qytetar Nderi.

Rama është shprehur në profilin e tij në Tuiter se Përpjekja e prefektit të Dibrës për t’i hequr titullin qytetar nderi dëshmorit të 21 janarit, Hekuran Deda vazhdë e barbarisë qeveritare.

Lideri i opozitës, gjithashtu ka nënvizuar se Ndaj familjes Deda, Kryeministri ka detyrimin të shpjegohet para drejtësisë edhe për sekserin që çoi në mesnatë për të blerë me lek një vizitë tek ata!

Prefekti i qarkut të Dibrës ka kundërshtuar vendimin e Komunës Kala e Dodës që shpall e Hekuran Dedën, Qytetar Nderi.

Kryetari i komunës Kala e Dodës, Bajram Himallari, ka bërë me dije se vendimi është marrë në fillim të janarit të këtij viti dhe i është dorëzuar familjes më 21 janar, në Tiranë por prefekti Genc Sharku nuk ka konfirmuar një vendim të tillë.

Sipas Sharkut, vendimi i Këshillit të Komunës nuk është marrë brenda rregullave dhe se anëtarët e Këshillit nuk janë mbledhur në një mbledhje normale, por vendimi është marrë me firmat e  këshilltarëve.

Himallari, i cili ua ka dorëzuar titullin familjarëve të Dedës, është shprehur se nëse prefekti nuk e konfirmon vendimin për herë të dytë, atëherë Këshilli i Komunës do ti drejtohet gjykatës. /F.Stafa/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›